Ombra mai fù,
di vegetabile,
cara ed amabile,
soave più.
Pati ndonjëherë hije,
Të gjallojë
E dashur dhe e përzemërt
E ëmbël më shumë.
Hendel
Dimër, reminishencë vere...
“Atë ditë isha perlë,” thotë ajo ndërsa përcjell vështrimin në dikunë e pezullisë.
Jashtë.
Natyrë gri dhe shi.
Përtej, në faqen e murit të pallatit, që nuk mbetet kurrë bosh sepse varen reklama, këtë rradhë, është futur një vajzë sëbashku me frazën e saj. “Jam Lorena S dhe i dua ngjyrat”. U mundua mjaft natën e parë, në të ngrysur, kur u ndezën dritat ta shpëtonte nga njëlloj gjymtimi reklamën. Kjo ishte mbresa. I erdhi keq për atë vajzë që e flijonte bukurinë e vet në hapësirën mediokre të një fraze që s’do ta kishte shqiptuar kurrë, në asnjë rrethanë. Një copëz herë e trajtoi si një rebus. Pastaj. E futi frazën brenda një bashkbisedimi, pa ndonjë përfundim kushediçë. Ose përfundimi qe i njëjtë, po ai. Asgjë. Nënkuptohet dikush që punon në të zezë në atë kumt. Këtu është e keqja, te nënkuptimi. Atë natë kishte ndalur pikërisht aty ku tashmë është lakuriqësia e Lorenës që përfiton nga verbëria e muzgut dhe grija e ditës së dimrit e thelluar aq sa i kujton ngjyrën e një miu të murrmë dhe në këtë çast përasjeje ai s’mund të shndërohet në maçok. I vjen thuajse keq. Pastaj ironizon veten sepse dëshiron të shënojë një cak të njëzetekatërorëshit; ngrysjen. I hedh një vështrim shkarazi orës mbi komodinë. Po sikur të jetë e gjymtuar qenia e tij? Dyshimi tromaks.
Prisnin ... pranë ... verën
“Pas pak duhet të ndizet” thotë dhe e rrëshqet vështrimin mbi trupin e saj lakuriq, shpatullat e hajthme dhe flokët e verdhë që i prekin thuajse e që i kujtojnë çastet e seksit pak para. Nuk kishin nevojë për dritë. Sëfundi, ai e mposhti ngurrimin që e ndrydhte dëshirën për t’i zhytur gishtrinjtë në to. (ajo e porositëte duke tundur gishtin sikur të kishte para një çamarrok. Diçka midis qortimit, mendoi pa mundur të gjejë anën tjetër. Herën e parë ai ia kapi flokët sikur të ishin jele kali) Sot. Shpupurisi vrazhdë, i kllapuar nga ëndja e epshit. Kur mbaruan ajo e shtyu me të dy duart që ia mbështeti në gjoks, lehtë apo jo, një dreq mund të matë gjëra të tilla dhe u ngrit. Sipër, filloi të rregullojë flokët me gishtrinj dhe tha se ia prishi, e se atë mbasdite kishte kaluar nga flokbërësja. Nuk i bëri përshtypje aspak ajo grimë zemërimi që trupi i saj lakuriq e shkundi në hapa të lehtë duke shkuar te dritarja, po mendonte diçka tjetër, përshembull në cilin rast flokbërësja shndërohet në flokëprerëse, sikundër kyçi në çelës, apo anasjelltas? Ndoshta për të mos i ngatërruar mendimet me ndjenjat. Kështu e shpjegon ai atë pamje njëpërmasore, si një monedhë të këqyrur në profil.
Vjeshta...ngjyrë trishtimi
Një çast më pas thotë se nuk përjashtohet një përshtypje e sajuar që Lorena e shpërndan enkas në mugëtirën e dhomës. Në fakt ai nuk arrin të kuptojë se çfarë ngutësie i shtyn njerzit tu rikthehen gjendjeve të dikurëshme dhe jo ndodhive? Ndoshta ngaqë kanë lënë diçka pa shpjeguar? Rëndom, ndodhitë e herëshme i gjen si kujtime dhe kur një prej tyre, si një kokër rërë bie në lugëtinë e guaskës si veza e qyqes në folenë e harabelit, mashtrimi shndërohet në perlë. Një lloj mirënjohjeje që shpaguan? Vlera e sëkaluarës që ndryshon të tashmen? Ndërkohë ajo vazhdon të flasë dhe ai e kap sërish rrjedhën e bisedës në një pikë tjetër. Nga mënyra si flet kupton se ajo ka shumë mall. Për diçka që ishte dhe e tmerron pasiguria e saj, brishtësia, ëndja megjithatë, janë të gjithë përbërësit e gjendjes që ajo mundohet t’i risjellë. Përse?
Verë...soditur nga një dritare dimri
Por ajo nuk e dëgjon ose bën sikur... dhe vijon:
“Atë ditë dëshiroja kaq shumë të isha një perlë dhe drita të mblidhej e tëra brenda meje dhe rrezet e diellit të më preknin kalimthi si perëndesha Afërditë dikur, ndërsa valët e detit ta sillnin në duart e tua... Dëshiroja të isha perlë...” përsëriti për të sajtën herë.
Ndërsa ai pyet veten se në çkohë të dëshirës së parealizuar ajo kishte mbetur peng i dëshpërimit? Përderisa thotë se dëshiroja të isha...diçka kishte shkuar ters dhe e bënte të ndihej sendërgji. Një çast më pas ndoshta do të kishte pyetur pse ajo i shmanget trajtimit të foljeve në të tashmen. Nuk pyet. Thotë me vete se është një mënyrë për t’i shpërdoruar kujtimet. E kaluara është si një lojë shahu e mbaruar, mund ta luash me veten kaq herë duke bërë madje edhe korigjimet e dëshiruara. E njëjta gjë ndodh edhe me dëshmitarët e padëshiruar. Përjashtohen thjesht ngaqë nuk kanë më zë në kapitull. Mjafton ta mendojë ndodhinë në tjetër rrjedhë dhe me shtojcat përkatëse. Gjasa thjeshtohet. Ose kështu duket, i thotë vetes duke u përpjekur që të ruajë lidhjet me të. Fillimisht i nxjerr diku jashtë vetes në një kohë të mjaftueshme këqyrjeje dhe përzgjedh, megjithëse diçka e tillë është si të këqyrësh pas një xhamllëku.
“Asnjë mbresë e drejtpërdrejtë.” I kishte thënë ajo, ditën e parë. Mëngjes për saktësi. “E dija që do të më gjykoje keq....Kam të drejtë? Më thuaj, kam të drejtë?” Këmbënguli. Ai nuk foli. Nuk e kishte mbledhur ende veten. Ndërsa ajo u përpoq të argumentojë. “Gjithçka e shikon pas një këndi përthyerjesh. Vëngër. E ke parasysh?”.
“Oh, posi. E njoh gjuhën time mirë.”. U përgjigj. “Dhe e kuptoj tërthorësinë e mendimit tënd. Një vështrim i vengër të ngatërron sepse nuk e kupton ku shikon. Këtë do të thuash?”.
Ajo buzëqeshi largët.
“Asnjë grimë kënaqësie.” Thotë.
Atë çast e kupton se ajo nuk e kishte me atë. Duhej të ndihej i lehtësuar?
“Asnjë grimë kënaqësie.” përsërit.
Nuk do të ribëjë mjedisin dhe të vendosë dikë tjetër në vend të tij. Jo. Shumë më tepër. E pakënaqur me veten është duke kërkuar një mënyrë tjetër vetshkatërrimi. Ja përse futet thellë në kohë. Në paraken. Të ndyshojë kahun. Mund të kapë një kometë tjetër nga flokët e hirtë e ta detyrojë të pllaquritë bishtin në një pellg aminoacidesh këtu mbi dhe’. Me lëngun të përgatisë një supë tjetër gjallesash në një korigjim të recetës për të sjellë fillimisht qeniet njerëzore mbi tokë pastaj dinozaurët. Midis, asteroidi vrasës. “Oh!” klith. “Ana tjetër”. Gjë që do të thotë se është duke u mbyllur brenda guaskës.
Në të ngrysur drita nuk është e drejpërdrejtë. Mendimi se do të ndizeshin pas pak kudo në qytet, nuk është edhe aq qetësues sa zbardhëllima që do të pasojë. Figura e saj do të zbehet pak a shumë derisa të mbetet si një hukatje mbi xham. Për të shkatërruar, duhet më parë t’i pezullojë ngjarjet, sikur të jetë duke kthyer një film dhjetë, njëzetë, njëqind herë, derisa të gjejë kohën e duhur dhe pastaj ... (ai nuk gjen asnjë pasthirmë në pajim që mund të japë idenë e një katastrofe të tipit bing-bang, përveç një loje fjalësh. Bing bang/bang bing bang/Bing bang bing/ bing bang). Pastaj... edhe një sekondëkohë të mjaftueshme për të kuptuar se pjella e rëndomësisë është një gabim që s’duhet fshirë. Paskësaj dëshira e saj mund të harliset në veçanti duke i siguruar një vend në të ardhmen.
Heshtja përshkohet nga përplasja e butë dhe aty-këtu e piklave të shiut në xham.
“Të paktën kështu shkruhet” thotë ai sepse është aq larg dritares sa rënia e një pike shiu do të dëgjohej po aq sa edhe britma e një mijë milion milingonave.
“Çfarë!?”
“Oh, asgjë.”
Ajo pajtohet me refuzimin. “Më mirë” thotë me vete sepse do të duhej sqaronte se kështu shkruhet nëpër libra. Në faqet e tyre, pikat e shiut janë të buta kur bien mbi xham, të zhurmëshme mbi ombrella, litarë në rrebesh e gjithfarë sinonimesh që ua veshin sikundër lakuriqësisë së manekinit rrobat e stinës. Edhe mund t’ja kishte thënë këto përderisa i nxorri nga pasthënia e pendesës.
“Atë ditë?...Kur atë ditë?” pyet ai thuajse papritur.
Ajo e vështron e çmeritur.
“Ditën kur u njohëm dhe kur të pashë në plazh.”.
Fytyra e saj rrëzëllin befas dhe ai mendon se ka gjetur shijen e duhur te përsiatja, në fakt dritat e lëvdimores së varur te ndërtesa në anën tjetër të sheshit po vonojnë ndezjen dhe ai duke e parë edhe njëherë trupin e saj ende prani, mendoi se nga çasti në çast duhej të ikte, të zinte vendin sepse ndihej boshllëku. Nuk mund t’ia thoshte. Meqënëse bie shi kalimtarët nuk e ngrejnë kokën lart për të parë, ndryshe do ta kishin venë re mungesën. Ose janë të bindur që ajo është atje, te reklama.
“Çfarë?!”
“Oh, jo, asgjë...lere fare”. Përgjigjet sikur të flitet për qafa çizmesh ku duhet të zhyten një palë këmbë. Por tjetra shikon hutuar dhe mendon se po e venë në lojë.
“Lexova reklamën e dashur!?”
“E lexove!”.
“Ke të drejtë. S’mund ta lexoj që këtu. Kujtova përmbajtjen...Pak a shumë”.
Largohet. Keqkuptimi.
Frymëmarrje e lehtësuar. E gjitha në ndërkohën e rënies së meteoritit.
“Dramat e heshtjes” mendon dhe mundohet të rikthehet në pikën e ndarjes sepse këtë rradhë një pikë tjetër afron edhe një tjetër pamje gjë që mund të shkaktojë rrëmujim dhe hutim.
“Ti dole nga uji në një çast kur unë nuk e prisja.” Thotë duke hyrë në lojë.
“Ti më ndoqe, u fute në ujë pas meje.”
“Po. Mendova se nuk më vure re.”
“Oh...!” shkëputet një klithmë.
Silhueta e saj përbri dritares, ka ndryshuar disi vendosjen. Tashmë është pakëz mënjanë, në një profil të ndriçuar zbehtë, figurë e paqartë, thuajse një përpjekje e dështuar errësire që sa më shumë thellohet aq më tepër humbet brenda vetes. Ajo e qorton. Pikërisht e qorton. Thotë, se ai nuk bëri përpjekje të futej brenda saj. Në botën e saj çdo gjë është më e thjeshtë. “Mbetesh i ri përgjithmonë” tha si për ta joshur por e tradhëtoi pshertima që pasoi. Flet për një të kaluar të përfytyruar. Ndërsa ai mundohet të ndërtojë një mendim për të tashmen sepse i duhet të shpëtojë nga ajo gjendje kllapie.
“Përkëtej,” përshkruan, “në suazë është një copë qiell i rrethuar nga palosje resh si shalle femrash kur mbështjellin flokët ... ndërsa fytyra...ndërsa fy - ty – ra,” e shqipton fjalën të ndarë në rrokje sikurse i ndodh kur duhet të qëmtojë në pellgje uji. “Fytyra është diçka e anëshkruar. Pa vlerë. Retë kanë zenë peng një pjesë pafundësie... Kjo po, është diçka” thotë me vete. Në ndërmjetësi ajo. Diku. Tingëllon si një korrigjim. Ai ndez dritën e abazhurit. Është një pasthirmë dhimbjeje. Thuajse ankojë.
“Përse e bëri?”. Ndoshta duhet ta pyesë nëse veshjet intime përfund këmbëve, e mbulojnë humnerën sepse duket si palma e vetme e një ishulli koralesh. Të pëlqen të jesh palmë? Nuk pyet. Nga çasti në çast të fanepset pret. Ndër hope. Diçka që duhet të ndryshojë si çastin ashtu edhe hopin. Pastaj ajo klith sërish, butë: “Oh”. Është klithmë e vonuar ose ndoshta e harruar brenda gjoksit.
“Ndodh me femrat” thotë. “Kanë gjithmonë një brengë në shpirt, por e harrojnë sikundër vathët në vesh para se të flenë.”.
Pasojnë shëmime. Ndërkohë një pikë shiu shkëputet vetëm pasi ka thithur brenda vetes gjithë dritën e botës. Mbeturinat e muzgut. “Oh”, si një këpujë. Përpjekja e fundit për të realizuar dëshirën, të bëhej pika e shiut dhe drita e botës njëherësh. Tretësirë që stërpik qiellin dhe njollos rastësinë. Shuan abazhurin. “Përse e bërë?” përsërit ajo. Zëri i saj bie ngadalë dhe ai e kupton se ajo nuk është në gjendje ta gjejë veten në asnjë rrethanë. Madje, tashmë duket vetëm një shtupë errësire dhe i duhet ta përfytyrojë lakuriqësinë e saj të shpëlarë nga ngjyrat. Nuk i tha. Do të fyhej sigurisht. Nuk foli as edhe për përshtypjen.
“Çfarë ngjyrë ka lakuriqësia?”.
Shpërbërje.
Mendon.
Mund të kishte shtriqur këmbët nga kënaqësia sikur të qe ulur në një kolltuk, por shtrirë në krevat nuk di ku ta çojë trupin. Ndërsa ajo që nga gjysmëerrësira që i mbulon lakuriqësinë e pyet si cilët janë pikërisht kështu?
“Dëshira dhe realiteti” përgjigjet me gjysmëzëri sikur në atë ndërmjetësi e vetmja mundësi të ekzistuari është të jesh i shpërbërë. Heshtja e zgjatur e saj tregon se po bluan mundësinë. Nuk i ka besuar.
“Do të thuash si ne të dy?” pyet zëmekur.
Një pllangë e madhe drite shkel mbi dysheme.
“U ndez reklama. Ajo duhet të jetë aty”. Mendon ai.
Përton të ngrihet nga shtrati.