“Unë jam çfarë them”, thotë Heideger.
Nuk e di sa jemi në gjendje të kuptojmë vetveten, ose sa vetvetja na
zbulohet, por mendoj se midis Unë dhe vetvetes lidhjet nuk janë ato të
sinqeritetit të plotë. Pavarësisht se Hajdeger thote se unë jam çfarë
them, te e fundit kjo nuk e përjashton mundësinë e përzgjedhjes të asaj
që duhet të thotë, të asaj që thotë e kushtëzuar nga çfarë kërkon të
arrijë. Dmth, qëllimi, dikton rrugën,
ose mjetin sikundër thotë Makiaveli, masën dhe mënyrën. Pra, jemi në
gjendjen e çiltërsisë së përjashtuar ose të shpërfillur. Zbulojmë se
kemi edhe një qenie tjetër brenda nesh, është pikërisht ajo që
shfrytëzon e para atë “jashtë nesh”, formën. Realisht, na intereson të
qenët për vete, e cila zbulohet te të tjerët nga çfarë themi e nga çfarë
bëjmë si pasojë e të parës dhe reagimit që ngjall apo reaksionit që
shkakton, nëse vepron si një katalizator (përshpejtues). Njëherësh,
ndërtojmë me duart tona edhe një rrezik të madh sepse bëhemi të
paragjykueshëm. Në rast se çfarë themi nuk është përzgjedhur me kujdes
dhe ky kujdes shpesh s’është gjë tjetër veç tredhje e mendimeve,
shterpëzim, flijim, për t’i bërë ato të pranueshme për të tjerët dhe sa
më pak të dëmshme për veten. Pas kësaj nuk ndihesh i paragjykuar, je.
Por ka ndodhur në pavënëresi. Ёshtë mungesë guximi, kuraje, ose thjesht
pragmatizëm; i përshtatesh çastit si çelësi bravës. Te e fundit, edhe
kjo pohon “të qenët për të tjerë”. Nëse femra në raste të tilla shkon në
vijë të drejtë duke përdorur hiret si “mjet”, për mashkullin kjo
mundësi nuk njeh mënyrë të qeni tjetër veç asaj me parashtesën
fjalëformuese “Pa”. Ndaj, përgjithësisht e gjen mjetin brenda vetes.
Kuptuar si një relativizëm hamendësor cilësish luhatëse midis virtytit
dhe vesit. Shkurt, për të mbritur qëllimin, përul kurrizin. Në këtë rast
thënia e Hajdegerit nuk nevojëson shoqërimin ose shpjegimin me fjalë,
sepse flet gjesti.
Wilde – thoshte – më jepni një maskë dhe do t’ju them të vërtetën.
Atëhere, si mund t’i besojmë Hajdegerit?
domenica 3 agosto 2014
Njeriu faustian.
Njeriu faustian, qenia njerëzore në gjithë ndërlikimin e vet, natyrën e dyzuar, të lëkundur, shpesh perverse, luhatja e përherëshme gjithpërfshirëse që nënkupton të qenët vetiak edhe në skenë duke e hequr atë prapa (skene) sepse ngrihet si një mur sartrian ku mund të pushkatohesh, (ajo – jeta – nuk vlen gjë pasi ka mbaruar, - thotë personazhi kryesor te novela: “Muri” i Sartrit.) aty mund të shurritesh, në rastin më të keq mund të mbështetesh shpatullat, mund te vizatosh ose shkarravitësh por edhe në çaste dëshpërimi t’i biesh me kokë, thjesht për të treguar se nuk mund. Pra gjithçka mbyllet në rreth, sikurse jeta e sapo mbaruar. Duke gjykuar të gjitha këto karakteristika të qenies njerëzore, pranojmë se gjithçka drejtohet nga arsyeja, si një mënjanim i botës instiktive? Për tu zhytur në një batak rregullash që dikton morali e që synojnë gjithmonë të ndërtojnë individin kallëp – pikërisht, në kohën e Niçes nuk ekzistonte një ideologji mirëfilli, nuk ishte e nevojëshme përsa ekzistonte prej mijëra vjetësh, qëkurse njeriu filloi të përpunojë një lëndë të tillë sikundër është kaosi dhe ta modelojë atë jo si një mishërim të botës shpirtërore e cila ishte mjaft e trazuar dhe Hegel, sikurse ka shkruajtur Isaiah Berlin, me mitologjine..." e tij të thellë, e cila, sikurse shumë mitologji të tjera ka një fuqi të madhe ndriçuese, por edhe një fuqi të madhe për të errësuar çdo gjë që prekte.”. Diktonte gatitjen e njeriut, atë marksiste si një filozofi në pritje të verifikohej në vijat më të përgjithëshme të saj. Ndërkohë shoqëria njerëzore ecte përpara me ngërçe sepse ajo mbështetej mbi arsyen që përpunonte moralin sundues nga njëra anë dhe botën shpirtërore të qenies e cila prirej kundër në mënyrë të natyrëshme por e maskuar në hapësirën e dëshirës. Niçe kuptoi se mendimi i përgjithshëm, ai që i përgjërohej arsyes dhe harmonisë, nuk ishte gjë tjetër veç dukje, një vetrinë ku qenia njerëzore nuk ,mund të përfaqësohej nga modele të gatuar enkas për të mashtruar. Gjëja në fakt fshihte thelbin e një shoqërie që duhej kthyer përmbys e tëra si një plis dheu. Dhe shpëtimin e shikonte te dionizakja – mirëpo kjo bëhej vetëm duke pasur një mjet të tillë në përdorim Vullnetin, ky, i ngritur në fuqi, dominon arsyen dhe e ndihmon njeriun të kapërcejë vetveten, atë vetvete që e rrezikon sepse kërkon patjetër trasgresorin, rregullthyesin. Në këtë përpjekje ai ecën përpara. Ishte Niçe ai që do ta gjente rrugën për ta drejtuar njeriun dhe nxjerrë nga labirinti i minosit - ky po, është përpjekja për të kapërcyer - shkrihet në veprimin e tij - identifikohet me të dhe humb brenda këtij veprimi ende pa u identifikuar, ndërkohë është tejbartur duke siguruar vijimësinë sikurse neutroni që mund të shndërohet në energji duke humbur vetite lëndore përkohësisht sepse në formën e re ai mund të përshkojë çdolloj pengese për tu rishfaqur gjetiu. Lëvizja ruan vetveten në lëvizje si shprehje e plotë e ankthit. Dhe ankthi nuk është përmbajtje e apollonikes, e harmonisë, për arsye se çdo formë përsosmërie e realizuar ka si masë vetveten dhe në njëfarë mënyre kjo do të thotë fund. Aty ku s’ka ankth, do të thotë se je në një varrezë ndjenjash e mendimesh qoftë edhe pa asnjë epitaf për të lexuar dhe për të kaluar kohën sepse kjo mungon. Koha. Për këtë njeriu ka qenë i detyruar gjithmonë ta ngutë natyrën. Njeriu nuk konceptohet si pasojë e dashurisë e cila si një shprehje harmonie tenton të shkatërrohet sepse ka vetëm një kah sikundër koha, njëherësh nuk pranon asgjë tjetër brenda vetes, sikurse Narcisi që i mbylli veshët përballë Jehonës per të mos dalë jashtë qerthullit të vetvetes dhe kjo e shkatërroi. Sepse simboli i harmonisë është rrethi, ndërkohë i ecurisë faustiane, vija e drejtë. Por një vijë e drejtë si një përrua i rrëmbyer, i ngarkuar me pasione gjithfarëshe e të tërbuara. Mbi të cilat mbështetet qenia perëndimore, që sipas Oswald Spengler, është faustian në pasione dhe në dëshirën e egër materialiste.
Qenia është rrjedhim i marrdhënieve puro seksuale, madje edhe i shprehjes më të shëmtuar të tyre, kur ngjizet si pasojë dhune dhe i çastit kulminant, që sikundër thotë Carlos Santana në një intervistë, e bën edhe ateistin të lëshojnë klithmën: Oooh Zot!
Në këtë çast kuptohet se Zarathustra s’është mbinjeriu, por është ai që kumton mbinjeriun. “Krijuesve, korrësve, dua t’u bashkohem atyre që festojnë: ylberin t’u tregoj dhe gjithë shkallët që te mbinjeriu çojnë.” (“Kështu foli Zarathustra”, fq 33, bot. Newton.)
Zarathustra është një aktor i përsosur dhe e pranon përsosmërinë me vetëdije, ai luan një rol në një botë ku gjithçka është Kallp (fallso) dhe ky është flijim, ai s’mund të jetë qëllimi, pikëmbrritja, stacioni i fundit, por rruga...për të dalë prej saj...dhe shkuar drejt...mbinjeriut, sikundër thoshte Buda që rruga drejt lumturisë është rruga. Kënaqësia dhe kërshëria udhakonjëse, ankthi, që e nxiti Odhisenë, atë gëzim që ndjen njeriu kur di çfarë kërkon por jo çfare e pret. E ardhmja.
Tek Faust kemi ndërthurjen e njeriut me mbinjeriun, i pari përfaqëson njëmendësinë, të tashmen historike si prirje, (realitetin si gjendje e ngurtë) dhe i dyti dëshirën, si pafundësi qiellore. (Ende, shumë më parë, Niçe, do të vështronte në thellësi të kohës, në periudhën e vdekjes së tragjedisë greke, kur shkrimin e tij: “Sokrati dhe tragjedia” do ta fillonte pikërisht me një thënie epitaf: “Tragjedia greke vdiq ndryshe nga gjithë llojet e tjera të artit antik: mbaroi tragjikisht...” (fq 27) Nëse pranojmë për analogji se njeriu vdes njerëzisht, atëhere duhet të pranojmë karakterin ontologjik të vdekjes dhe si të tillë mundësinë e saj për të vdekur. Midis tyre ka vetëm një mundësi, të pranojnë ndërhyrjen e një force e cila është djallëzore, (dioniziake) si e vetmja që e çliron dijen prej ngurtësisë, sepse vetëm në gjendje të amullt, mund të ngrihet lart e të përshkojë hapësirën e duhur ku njeriu të gjendet i plotfuqishëm, në atë kapërcyell që e shndëron në mbinjeri.
Kujtojmë paktin me gjak të Faustit me Mefistofelin. “Prej kulmit të gëzimit, ushton britma e terrorit, vajtimi therrës për një humbje të pariparueshme”. (fq 54. Vështrimi Dioniziak i botës.) Pra Dioniziakja dhe Apolloniakja janë dy parelele që si të tilla s’kanë vlerë, humbasin në tejzgjatimin e tyre drejt pafundësisë, ndërsa kur priten, ndërthuren dhe shkrihen, ndryshon gjithçka.
Vetëm pas këtij pakti krijohet mundësia që arti të jetë fryt i lojës me dehjen, ekstazën, rifiton atë ngarkesë emocionale ngjethëse.
Kuptohet që Niçe e shikon arsyen si diçka të realizuar brenda atmosferës së realizimit, të ftohtë, të ngurtë, të palëvizëshme, ose më saktë indiferente për lëmin tjetër, atë të nën-arsyes. Të gjithë këtë e shikon tek arti i Fidias edhe pse e përcakton si epokë të Fidias, duke e veshur kështu epokën me mermer.
Ndërkohë hyjnizon fitoren e sivëllait, Dionizit mbi Apollonin
Iscriviti a:
Post (Atom)