mercoledì 30 maggio 2012

Sërish në shtjellë...

Pikërisht. Sikur të shpjegoja për të thjeshtuar ose lehtësuar disi kuptimin, them se nuk do ta bëja ndryshe nga sa kam shkruajtur sepse, sikundër thoshte Aristoteli kur diskutohej nëse duhej apo jo filozofia, edhe ata që duan ta mohojnë filozofinë, nuk mund ta mohojnë veç duke filozofuar. Në njëfarë mënyre kupton se je i përndjekur nga vetvetja dhe çfardo truku proteian të përdorësh serish i takon asaj hapësire të ndikueshme që e kam quajtrur rrethinat e qenies e të dëshirave. Pra nuk mund t’i shmangesh vetvetes.
Çështja që ngrihet edhe pse është e ndërthurur me probleme të tjera, mbijeton në një disi që herë zbehet sikundër pakësimi i papritur i dritës kur retë veshin qiellin dhe herë theksohet në ngjyra të forta. Njësoj si xhamet me ngjyra në formë figurash gjeometrike, që rëndom i shikojmë në hapësira katedralesh e kishash si për të thyer zymtinë dhe heshtjen solemne që mbizotëron brenda tyre. Por, gjithaq nuk përjashtojnë kultin sidoqë të jetë fluksi i dritës që bie mbi to. Te e fundit kuptohet, në një krahasim më vulgar janë njësoj me kapilarët e një qyteti të cilat edhe kur nuk derdhen në qendër, në dalje apo hyrje të tyre, ka gjithmonë një tregues, shigjetë, që si një gisht spiunon qendrën e qytetit. Pra, kjo qendër, ky thelb – çështje, është dëshira, sunduese e njeriut, që shfaqet në shumllojshmëri kënaqësie për të lehtësuar flijimin e vetvetes. Kënaqësia është paraprima në të cilën flijimi pranohet në humbje cilësish të mirëfillta. Në fakt përjashton gjykimin. Është si parathënia e një libri. Dikë mund ta nxitë, një tjetri i heq çdo interes. Duhet apo nuk duhet lexuar? Nuk ka një përgjigje të prerë. Por, çdo përgjigje zvarrit ngushëllimin. (Çdo dëshirë; e realizuar ose jo, mishërohet në flijime të pjesëshme të vetvetes. I rikthehemi shembullit të birrës. Nëse e pi – dëshira shuhet, njëherësh me të edhe ajo pjesë e vetvetes që e lindi, nëse nuk e pi, dëshira nuk realizohet dhe njëherësh flijohet ajo pjesë e vetvetes që e ka dëshiruar. Është një gjendje paradoksale thuajse, por është. Kjo e lëkund Uni-n. Mund të përdorim edhe fjalën ‘tundon’. Nënshtrimi ndaj dëshirës është natyrë njerëzore qoftë edhe kur shndërohet  në fiksim, ose mani. Tipike, mgjtë, për qeniet njerëzore.)
Në prag të vdekjes ose në fund të ekzistencës, sikur njeriu të bëjë një përmbledhje, për fat të keq përfundimi është në favor (hatër) të atyre që nuk janë realizuar. Por njeriu nuk është i prirur të bëjë një tërësi të këtij lloji sepse kështu ruan veten prej zhgënjimit të fundit; atij që e nxjerr jetën një kotësi. Cili prej nesh nuk kërkon një jetë sa më të realizuar? Por nga ana tjetër çfarë e bën një jetë të realizuar? Ka vetëm një përgjigje të mundëshme: Realizimi i gjithë dëshirave. Problemi tjetër që shfaqet në njëherësi është sërish një pyetje: Cilat janë ato dëshira në të cilat kushtëzohet një jetë e plotësuar? Kësaj askush nuk mund t’i përgjigjet sepse dëshirat lindin dhe vdesin çdo sekondë. Ose në mënyrë të figurëshme mund të themi se dëshirat janë si fluturat. Element i pandarë i natyrës mort. Bukuri effimere (e përkohëshme). Pavarësisht. Mund të soditen sikundër bukuria e një luleje, që ndryshe e quajmë edhe soditje e lirë, të xhveshur nga çdo lloj interesi, por mund edhe të gjykohen sikundër ndodh më shpesh, nga vetë njeriu ku lind kjo dëshirë si dhe nga mjedisi ku kjo dëshirë kërkon shtratin e duhur për tu realizuar. Megjithë këtë gjendje nga e cila kurrë nuk je i baraslarguar, po të kthesh kokën mbrapa shikon vetëm humnerë, asgjë. Asgjëja si një vetmbrojtje natyrale. Nevojë për të qetësuar veten. Duke shmangur besdinë e një fraze më të zymtë; ngushëllimin si nevojshmëri sepse përtej nuk na pëlqen të shkojmë bosh. Drejt asgjëse nuk mund të shkojmë as si gjë as edhe me gjë sepse kështu do të anulonim asgjënë. Është kjo aryeja pse na duhet të xhvishemi edhe nga trupi.
Te romani im “Memento Mori!? - mërmmiti Eda Di” (botimet Toena) në fund, gjen këtë pasazh:  
“- Tomaso S... çdo t’i kërkosh Zotit?
Ai buzëqesh.
- Të mos di atë që di dhe të di atë që s’di, - thotë. Rikthim i përjetshëm i asgjëse, do ta quante Niçe...i pëshpërit vetes.”.
Në përgjithësi kjo filozofi disfatiste, ose quajeni edhe nihiliste, është e vetmja pasojë e jetës. Markesi, (Gabriel Garsia) mundohet ta përcjellë kumtin kur thotë se jeta nuk është të jetuarit si i tillë, por çfarë ne kujtojmë nga ajo që kemi jetuar dhe si e kujtojmë për ta treguar. (“Të jetosh për të treguar.”. Botimet Mondadori 2002) Pra, mbresa. Dhe mbresa, nuk është tërësisht vetiake sepse në hapësirën e saj përfshin edhe të tjerët që të kanë rrethuar dhe që kanë ndikuar iks ndodhi të jetës. Mbresa varet nga të dy anët e së njëjtës medalje: Kujtesa dhe Harresa. “Boshatisin raftet” që mund të përkulen e thyen nga mbipesha. Në mënyrë të vetvetishme. Përpjekjet e vetdijëshme në këtë rast humbasin mjaft nga mundësia e tyre. Nëse e detyron veten të mos e kujtosh gjaprin dhe thua në mënyrë të përsëritur: Unë nuk dua ta kujtoj gjarprin.  Bën të kundërtën, sepse në përfytyrimin tënd përvijohet pikërisht, çfarë nuk dëshiron të kujtosh, në rastin në fjalë është gjarpri. Nga ana tjetër është po aq e natyrëshme edhe prirja për ta boshatisur veten nga dëshira të padëshirueshme. (argument ky, ku të duash atë që urren mund të konsiderohet si një virtyt i mrekullueshëm.) Ndrydhja e tyre edhe pse shtjellohet në kufijtë e pamundësisë. Mirëpo, nga ana tjetër, asnjë dëshirë nuk realizohet nëse ajo qendron e ndrydhur ose e fshehur, ose e pashfaqur. Dëshira e ka të domosdoshme të piktakohet me mjedisin, i kuptuar ndryshe realitet shoqëror, ku mund të sendëzohet ose trajtësohet. Këshuqë tundimi është një tendencë e dykahëshme. Niset nga brenda qenies drejt rrethinave dhe nga rrethinat drejt thelbit në shërbim kurdoherë, si një qen besnik i dëshirës. 
Përse ndodh kjo?
Ndodh ngaqë çdo qenie e dëshiruar është dhe dëshiruese. Në rastin e një djali që dëshiron një vajzë dhe kur i përgjigjen njëri tjetrit, pra kur dëshira gjen jehonë, ne e quajmë dashuri. Sikundër mbyllet filmi “Even Money”: Të gjithë dëshirojmë gjëra të ndryshme, dikush para, shtëpi, femra të bukura, etj, por të gjithë dëshirojmë një gjë të vetme; jetë më të bukur...
Nuk duhet ta luajmë kurrë atë që s’duam ta humbasim...

Remo Koçiu
(Atman)

mercoledì 23 maggio 2012

Në qendër të labirintit; pyetja:

Në cilin çast qenia njerëzore ndihet e gatëshme të anulojë vetveten në emër të kënaqësisë? përfton kuptim ontologjik. Nga ky çast logjika afërmenç, përveç lëvizjes rreth boshtit të vet, vërtitet edhe në një rrafsh më të gjerë ku ndërkëmbimi është një mundësi që aftëson brishtësinë. (dobësinë, nëse marrim si pikëtakimi postmodernizmin. Dobësinë e cila nga njëra anë shënon përkohësinë ekzistenciale, nga ana tjetër shprehet si e vetmja mundësi për të kapërcyer vetveten duke u shndëruar në diçka më të mirë se vetja, në atë segment kohor në të dy skajet e të cilit nyjëzohet “isha” dhe “jam” e që Niçe te Zarathustra do ta ngrinte si një përpjestim detyrim. Mbinjeriu duhet të jetë për njeriun, sikundër njeriu është për majmunin. Koha merret në raport me vetveten sikundër mbinjeriu me njeriun, por gjëja ndryshon kryekëput kur njeriu vihet përballë majmunit sepse ai njeh shijen e vërtetë të përbuzjes, e nxitur kjo jo nga dëshira monoteiste për të hedhur posht teorinë e Darvinit mbi prejardhjen duke afruar diçka tjetër, baltën si lëndë të parë nga e cila e bënë trupin tonë e që në vetvete nuk na krijon asnjë mundësi krenarie përderisa mbi glob deri më sot kanë jetuar mbi 107 miliard njerëz dhe të mendosh se këta të gjithë jashtëqitnin, besoj se korja e tokës në masë të mirë është nga e pëgëra e njeriut.  A  jemi kaq të fortë sa ta asimilojmë përbuzjen ndaj vetes në atë masë, sasi, e cila të na japë forcën e duhur për të hedhur këmbën një ose dhjetë shkallë më lart? Çdo lloj qendrese, nuk bën gjë tjetër veçse e ngurtëson qenien, e ngurtëson për aq çaste sa është e nevojëshme të përballet duke e veshur megjithatë me një guackë moluskore) Kështuqë dobësia në këtë rast e humbet atë kuptim të sofistikuar që ka fituar në shekuj si një tipar i përbuzur dhe rikthehet te kuptimi i vet origjinal. Si një mënyrë - e vetmja -  për të rifituar veti e cilësi të tjera, duke marrë vlerën e një shum-mundësie si një lejim lëshim vetvetes për të ndryshuar. Ndërkohë një pragmatist e quan përshtatje. Në atë masë sa je i dobët, në atë masë vetëdija percepton nënvizimin e ndjenjave e kuptuar edhe si humbje e përgjithëshme e identitetit në përkohësi sikundër vetëdija në të fikëtit, e të çdo vlere përbërëse si parathënia e injoruar me dashje, sepse vetëm kështu kotësohet shfajësimi dhe ndihesh i gatshëm për flijim duke eliminuar çdo parashtrim etik e moral. Nuk është e nevojëshme që të kesh një udhëheqës si Virgjili dhe një Beatriçe që me bukurinë dhe ndieshmërinë e saj është në gjendje të zbutë egërsirat. Një shfajësim i panevojshëm ndryshon kahun e ngjarjeve. Nuk është njeriu që futet në labirith për të mbrritur në zemër të tij dhe përgjigjur pyetjes jetike, por Minotauri duhet të gjejë rrugën për të dalë dhe për tu treguar njerzve se faqja e padukëshme e kënaqësisë nuk është një përbindësh. Përbindëshi nuk lind nga pafajësia (Pasnjifaja). E kushtëzuar dalja e tij sikundër hyrja e njeriut në labirint, e kushtëzuar jo nga varësia e ndërsjelltë midis mendimit dhe gjuhës, por nga prirja e vazhdueshme e ligjërimit për tu shkëputur ose më e pakta për ta shndëruar në simbiozë marrdhënien. Prirje që do ta turbullonte Dostojevskin kur te libri i tij “Adoleshenti”, pyet: “Si ndodh që çfarë një njeri i mençur thotë, janë më pak të mençura se çfarë ka dashur shprehë?”. Ndoshta ngaqë Dostojevskij nuk arriti të kuptojë se edhe ai si gjithë njerzit ishte viktimë e të “shprehurit” dhe se fjala sikundër femra, është e paparashikuar në mënyrën si ajo shfaqet. Fjala dhe femra, sinonime të njëra tjetrës, në raste të caktuara përfaqësuese të një bote madhështore, por gjithmonë në gjendje të mbulojnë me hijen e ankthit si virtytet ashtu edhe veset e më shpesh në gjithë periudhën historike edhe si mbartëse  e tyre duke u quajtur e keqe “par excellence.”. Përbërës në të cilën ndodhet tashmë si një qëllim i tejbartur dhe i pamundur të përfytyrohet në tërësinë e vet. Ndaj edhe ngushëllohemi te hamendësia duke shpresuar që “ka gjasa të ndodhë” për t’ja ngushtuar sa më shumë forcën e ndikimit logjikës afërmenç. Në të njëjtën hapësirë të lëvizëshme kënaqësia me shpirtin në kërleshje të përkohëshme dhe intermittente (hopshme) shndërohen në “kënaqësi për qenien”, vetëm kur prekin fundin, atë të marrdhënieve seksuale të përkufizuara si perverse. E që psikiatria Krafft – Ebing duke i skicuar përshtypjet e saj pas leximit të librit “Afërdita me pellush” të shkrimtarit Leopold Von Sacher-Masoch, do ta quante mazohizëm. Në të cilën dhimbja është një atribut i kënaqësisë në përgjithësi dhe asaj seksuale në veçanti. Pra e dëshiruar.

Duke këqyrur në pasthënie mbresash.

Hapësirën e asgjësë që ne e tërheqim zvarrë pas vetes të mishëruar  në shuarje qirinjsh vendosur mbi një tortë për të thënë që mbresa e jetës është e ëmbël!!! Nuk është e vërtetë, është vetëm asgjëja që na ndjek mbrapa si hije dhe se çdo ditë që kalon nuk ndodh gjë tjetër veç shkurtohet njësoj si lëkura e shagrenit në dëshira. Në tërësi nuk është tjetërgjë veç hipokrizia e veshur me një vemesë ëmbëlsie sikundër lakuriqësia e një femre mbuluar me pellush. Është një mashtrim mirëfilli apo dëshira tonë që ndjek tërthorësinë për të kuptuar thelbin e emocioneve, meqënëse vetëdija shfaqet në tërë pafuqinë e vet? Duke maskuar në një ëmbëlsi shijesh hidhësinë e jetës. Dhe harrojmë që nihilizmi i Niçes e solli kopështin e Hekatës nga bota e Hadesit, e pamundur të realizohej nëse nuk do të kishte zbuluar natyrën për natyrë, ose e vetvetishme, kundravajtëse të njeriut, dehjen dioniziake, ndërkohë që harmonia apolloniane do ta shndëronte në një qenie të velur nga ëmbëlsia duke e shuajtur dalngadalë si torfa e kënetës që digjet në vetvete deri në kalbësi. Zoti e përzuri nga parajsa, apo njeriu krijoi një Zot jashtë vetes për të magazinuar aty gjithçka sa kishte zbuluar te vetja. Njeriu mbeti kështu i braktisur dhe vetëm përballë dhimbjes. Por përvoja do t’i tregonte se hapësira e errët e asgjësë mund të shndërohej në kënaqësi, ose e pakta në një motiv nxitës që do të mbrrinte te kënaqësia në një të ardhme ku e kaluara e dhimbëshme do të rishfaqej si një shumfishim i vetes jo si njëra prej përmasave të jetës, por jeta si një përmasë e dhimbjes, sikundër fëmija që lind dhe nga ai çast, thotë Demokriti, përgatitet për vdekjen, hap pas hapi, ditë pas dite, vit pas viti.  Në këtë kuptim dhimbja e shtyn jetën përpara brenda këtij paradoksi, ndërkohë që ato çaste të lumtura nuk janë gjë tjetër veç njolla të vdekjes, sikundër edhe thellësia e kënaqësisë që prek orgazma e që nuk është veç trokitje në dyert e vdekjes - përderisa lumturia është pika kulminante e krahasuar me përsosmërinë. Duke kaluar në portat e dhimbjes, tërheq vemendjen Dante te Ferri kur shkruan: “Lini çdo shpresë ju që hyni” e që shekuj më vonë do të rishfaqej si një asonancë antropologjike te shprehja e shkruajtur mbi një qemer qivur: “Arbeit macht frei”. Ndërkohë, do të shkruhej mbi një pentagram në linja të drejta, duke respektuar hapësirën ndërmjet si një klithmë dëshpërimi i shndërimit të qenies së asimiluar prej kënaqësisë trullosëse që e bën të harrojë dhimbjen në një “Botë vampire” do të këndojë Billi Corgan i grupit Smashing Pumpkins.

Vështrim në rrethinat e qënies.

Aut aut përballë një lypsari që na thotë më jep lëmoshën time ndryshe do të vdesësh. Çfarë do të bëjmë? Si do të veprojmë? Nuk do t’i japim? Po sikur? ... Po sikur...? Krimbi i dyshimit nuk është si një këngë që e dëgjojmë në mëngjes dhe mbetet në rrokëz të veshit si kërmilli në kafkull duke u shndëruar në krimb muzike që na shoqëron gjithë ditën. Gjithçka varet nga dëshira tonë, që në njëfarë mënyre quhet edhe të zgjedhësh. Por nuk është një dëshirë e natyrëshme, është një dëshirë e kushtëzuar, pikërisht nga një dilemë e cila nuk formohet ose nuk ekziston në thelb të qenies por diku në rrethinat e saj sepse duhet të takohet me atë të lypsarit, të përplasen ose të shkrihen qoftë edhe përkohësisht. Edhe pse është prirje e përgjithëshme e dëshirës që të lindë në qendër të qenies, në thelbin e saj, në botën shpirtërore dhe për ta mbrojtur nga kërcënimi e quajmë intimitet. Menjëherë pas lindjes ajo lëviz drejt rrethinave, sikundër llava e vullkanit që kërkon të çarat për të dalë në sipërfaqe sepse vetëm kështu krijohet vullkani, përndryshe, në qendër të tokës, ose rreth bërthamës së saj, nuk do ta ketë asnjëherë një mundësi të tillë. Edhe dëshira duhet të bëhet e njohur që të realizohet dhe nga çasti kur realizohet ajo pushon së qeni e tillë. Nëse të pihet një birrë, pasi e ke pirë, kjo lloj dëshire nuk ekziston më. Këto shfaqje të jashtme e bëjnë të njohur në shoqëri për aq sa është e diktuar nga vetë shoqëria. Dua në them në të njëjtën masë. Çfarë njeriu jemi, karakterin, virtytet, veset etj etj. Dëshira e lypsarit është tejbartur në hapësirën e domosdoshmërisë ose të nevojës për të jetuar, ndërkohë ty nuk të ndryshojnë jetën pak të holla por nuk i jep sepse brenda teje ekziston pengesa e moralit, ose një pengesë etike e cila farkëtohet në vazhdimësi te mënyra e të jetuarit e lidhur me të merituarit, ose e thënë ndryshe, me punën. Por e tërë kjo etikë bie si një kështjellë me rërë kur lypsari e kushtëzon kërkesën duke vënë në dilemë të qenët tënd sepse për një çast gjarpëron brenda teje pyetja: “Po sikur të më ndodhë gjë?”. Lypsari e ndërton dëshirën e tij duke e fshehur agresivitetin te një nënton mjerimi, i nënshtruar, i njeriut të goditur ose jo nga fati, por gjithsesi që synon të shkaktojë atë reaksion te tjetri që quhet keqardhje nga i cili shpreson të përfitojë. Kështu veprimi i tij, të lypurit, rigjenerohet dhe legjitimohet, ndërkohë që ti vërtitesh në pavendosmëri. Ju kujtohet Uliksi? E vetmja mënyrë për tu takuar dëshira e tij me dëshirën e mëtuesve ishte të shndërohej në lypës sepse vetëm kështu ai do të ngjallte mëshirë te ta por ende e pamjaftueshme për të realizuar hakmarrjen ose ndëshkimin. Lipsej edhe përbuzja, si e vetmja mënyrë që do t’i krijonte mundësinë për të marrë pjesë në garë, sepse nuk konsiderohej një rival. Përndryshe, i shfaqur si një mëtues do të ndeshej me rivalitetin të gjithëve kundër të gjithëve. Pikërisht. Kështuqë, ky vendim duhet të merret pikërisht aty, në rrethinat e qenies. Në thelb diçka e tillë rrezikon identitetin. Në periferi, përplasjet sado të mëdha, ato sërish e ruajnë thelbin nga trazirat e njëherësh i krijojnë njeriut mundësinë e përshtatjes, meqënëse është ajo pjesë e qenies e prirur të asimilojë, të ndikojë e të ndikohet, e krahasuar me të gjitha fenomenet që ndodhin mbi sipërfaqen e tokës dhe nuk prekin bërthamën e saj – kuptuar identitetin e individit. E përqasur me forcën shkatërruese të një tornadoje, në syrin e të cilit çdo gjë fle, ndërkohë që trupi i tij në shtjellën e furishme, shkatërron gjithë sa prek. Sepse janë pikërisht rrethinat e qenies ku realizojmë atë që Jean – Paul Sartr e thotë edhe te një pasazh i shkëputur nga pjesa “Keqbesimi” te ‘Qenia dhe Asgjëja’ ... “Por, i lejon vetes të gëzojë dëshirën, në masën në të cilën e percepton si diçka që nuk është çfarë është ...” (fq92). Pikërisht. Të perceptosh te dëshira ose dëshirën diçka që nuk është çfarë është, kërkon atë sasi vetflijimi në të cilën pagëzohet zgjedhja tënde. Nëse pi birrën, nuk ekziston më dëshira për të e kjo do të thotë se ti ke flijuar diçka nga vetja, dëshirën për të pirë birrë. Një zgjedhje që Kierkegaard te vepra e tij Aut – Aut (Ose Ose) e quan një thuajse zgjedhje, sepse e quan një zgjedhje etike që ka pak të bëjë me thelbin e njeriut dhe ku ndoshta thelbi nuk merr pjesë. Gjë që nga ana tjetër e lejon dëshirën të ripërsëritet qoftë kur është një dëshirë fiziologjike ose mirëfilli, abstrakte. (Ndërkohë që zbehet ndikimi i kësaj zgjedhjeje etike kur ndodhemi përpara lypsarit. Ta japim ose jo lëmoshën është vërtet një dilemë etike, për ty, për ty sepse ke ngitur një pengesë kulturale, jo për lypësin për të cilin është indiferent ndërtimi i një dialogu që do të shënonte edhe vendosjen e një marrdhënieje, të cilës i druhesh. Për lypësin gjithçka merr fund nga çasti kur ka marrë lëmoshën.).
Pjesa e ndryshueshme e qenies tregon se cilët jemi në realitet e që e tradhëton shpesh herë thelbin tonë e po aq herë vepron në sintoni (harmoni) me të. Dhe shpesh herë është çorodia që e dominon qenien si një sinfoni tronditëse. Kështuqë i ngërthyer në kthetrat e dyshimit si një dyshim nga më të padëshiruarit ku qenësia pezullohet qoftë edhe në përkohësi, në atë çast të padukshëm kur mendon se mund të të ndodhë gjë dhe kjo gjë nuk është tjetër veç anulimi tënd, i pushtuar prej ankthit i trajton së dytësi mundësitë e tjetra, mundësi që i jep fund moskokëçarjes e njëherësh zbulon çfarë të përbashkët me lypësin e ke. Frikën.