Frymezimi im...
lunedì 22 luglio 2013
lunedì 8 luglio 2013
Liria ne barrikada - Delakrua.
venerdì 5 luglio 2013
Remo Koçiu: Shtrati i Prokustit dhe përfytyrimi artistik vetiak. (Idhull dhe Zvetënim)
Nëse
kërkohet roli i femrës në letërsi dhe arte, si subjekt dhe objekt, si personazh
dhe krijuese, gjendet pikërisht në hapësirën e shtrirë midis dy limiteve; të adhurimit,
si personazh dhe zvetënimit, si autore. E zhytur në ujrat e ndenjura të kënetës
së Stigjes, trupi i femrës ndodhet në habitatin e saj natyral, luhatet mbi valë
përngjethëse dhe përkundet e mpirë më shumë se e dehur nga avujt e ftohtë që
çlirojnë ujrat e ferrit.
Arti e ka
trajtuar femrën në të gjitha aspektet e jashtme por kurrë në tërësinë e vet të
brendëshme sepse e ka përjashtuar nga mundësia për të pasur një përmbajtje. Aty
ku kjo përmbajtje ka ekzistuar në masën e një talenti të pakundërshtueshëm, është
injoruar duke e zhytur në harresë mësëshumti dhe më e pakta duke ia cunguar
meritat. Në këtë mënyrë ka qenë më e lehtë për ta trajtuar femrën si dilemë
midis dëshirës dhe pamundësisë, kurrë si një qenie me te gjitha virtytet e të
metat e saj. E trajtuar gjithmonë pa e fshehur një dozë cinizmi dhe përbuzjeje
si një qenie e një shkalle më të ulët. Gjendja që çoi në rebelimin e saj të
shumvonuar.
Çdo poet,
shkrimtar, piktor, skulptor, çdo artist në tërësi, mundohet që të hedhë në
veprën e tij çfarë ai ka të idealizuar për femrën. Këtë përfytyrim vetiak e
përdor si një enë për një qenie ose një botë tjetër kaq të afërt dhe kaq të
largët, kaq të dëshiruar e po kaq të zvetënuar, kaq të domosdoshme dhe po aq të
kotë, e pikërisht mbi bazën e këtyre antonimive kjo “enë” sikundër është
përfytyrimi i tij përsa i ndërtuar me lëndë artistike, sërish mbetet enë që
duhet të mbajë brenda një lëng tjetër e ku mund të futë turinjtë të pijë edhe
një kalë, qoftë edhe ai i perandorit Kaligula i emëruar senator e që pinte ujë
në një legen floriri, por te e fundi mbetej gjithmonë kalë. Mirëpo një
përfytyrim i tillë i cili hapet përballë një qenieje tjetër përsa zemërgjerë,
sërish dhe detyrimisht ia përshtat qenien tjetër formës së vet duke bërë kështu
shtrëngimin e parë. Në këtë mënyrë përfytyrimi nuk është gjë tjetër veç shtrati
i Prokustit (a) për çdo ndikim apo ekzistencë jashtë vetes, e pranuar por me
kusht që të marrë formën e enës, e thënë ndryshe të përshtatet me pasojat.
a - Sipas
mitologjisë Prokusti apo Damasti, i njohur edhe si Polipomeni, rrinte ne një
shteg mali ku priste kalimtarët e rastësishëm që i kapte dhe i shtrinte mbi një
shtrat. Kushdo që ishte më i gjatë se shtrati, i priste këmbët dhe më të
shkurtrit ia tërhiqte gjymtyrët për ta zgjatur. Në të gjitha rastet vdekja qe e
pashmangëshme. U vra nga Tezeu në të njëjtën mënyrë.
mercoledì 3 luglio 2013
Remo Koçiu - Rëndomësi kufinjsh.
Përcakton pikën ku mbrrin aftësia
e të kuptuarit.
Quajmë kufi një pikë që për ne
është e pakalueshme, e konceptuar si qëllim; ideal e material, në larminë e
vet, (i afërt, i largët, i parmë i pastajmë), shtetëror, një avlli oborri,
humnerë apo lumë, madje edhe një kanal, ai që ndan arën tënde nga timja, çdo
prag shtëpie, si edhe zemërimi ka një kufi. Edhe liria ka një kufi. Rëndom aty
ku fillon liria e tjetrit. Gjithë vështirësia është të kuptosh ku fillon liria
e tjetrit sepse ke kuptuar njëherësh se ku ka mbaruar liria tënde. Paskësaj gjithçka
që duket ose është e pakapërcyeshme shpesh për natyrë, ose për marrveshje kërkon
një tjetër marrveshje për të njohur atë kufi i cili të lejohet ta “shkelësh”,
ndryshe quhet edhe lejë. Por ky rregullim i tillë e platit nevojën e njeriut për
trasgresion (shkeljen) dhe kjo e bën të dobishme përsa paradoksale mos-marrveshjen.
Marr - vesh. Pohim i nënzëshëm jo
dhe aq i dëshiruar sepse provon një dyshim të brendshëm, lidhur me aftësinë për
të kuptuar. Shpata e Damokleut. “Më kupton?”. Pyetja zbulon gjasat e të mos
marrit vesh, ndaj edhe bëhet. Pra, dyshimi fillestar duket gjetiu, te tjetri,
në fakt vërteton thjesht se është si puna e mëkatit të parë. Trashëgimi
gjenetike nga Adami. Di, që je pjellë mëkati por jo arsyen. E ke të vështirë të
kuptosh se je pjellë rastësie, ndaj, e ke të vështirë ta pranosh dhe e kërkon
këtë gjë jashtë teje, përbri teje, meqënëse nuk mund të kalosh përtej krijuesve
dhe të kërkosh argumentin bashkues të çastit apo të një jete. Në fakt është më
kollaj të shikosh qimen në syrin e tjetrit se traun në supin tënd, por
megjithatë duket se shërben si ngushëllim. Vlera e masturbimit qendron në faktin
se e shëtit mendimin nga një femër te tjetra pa ndalur te asnjëra prej tyre.
Mundim i shpenzuar kot. 500 mijë spermatozoidët kanë menduar me ironi një
sekondë para vdekjes se kushdo tjetër prej tyre, do të kishte qenë një qenie më
e denjë për të jetuar se sa ti. Kushedi? Ndoshta çdo ushtar i falangës maqedone
para se të vdesë ka menduar se shkak është komandanti, Aleksandri, e kjo do të
thotë se ai vlente më shumë. Por që në ato sekonda ai padashur ka përdorur për
veten një kohë të shkuar e cuila ve në dyshim mendimin e tij. Ndryshe do të
kishte vdekur i panevojshmi. Sidoqoftë, synimi është që ngjarjet të rrjedhin e
ndjekin shembullin e spermatozoidëve, të cilët njohin vetëm një kah udhëtimi pa
kthim. Ndaj, në monologun e pyetjes, konflikti ka filluar në heshtjen e
dikurëshme të asaj që nuk u tha në kohë. “Merr – vesh”, “kupton?”, përse pyetet nëse nuk ekziston
dyshimi i të moskuptuarit? Mirëpo, të mos marrit vesh nuk shënon një konflikt
idesh, përkundrazi shënon cakun prej ku fillon mangësia tënde e që ti nuk mund
të dish ku mbaron nëse nuk e eksploron, por të eksplorosh paditurinë tënde
është tepër e dhimbëshme. Me vetdije, zgjedh të mos e bësh, (mund të zbulosh se
nuk je në gjendje të shpjegosh) në të kundërt, është njësoj sikur dikush me një
këmbë të futet në garën e njëqind metrove. Nëse je i pavetdijshëm, “kokë druja
mbetet kokëdru” thotë Shopenhaueri te “Aforizma
për një jetë të denjë.” Fabbri editori, fq 47. atëhere i bie barra dikujt tjetër
që ta bëjë për ty, por ky dikush nuk mund të përshkojë errësirën e thellë që
mbulon qenien tënde sepse çdo përpjekje është një shkelje kufiri. Ndaj, nuk e
shprehim deri në fund ose hapur mendimin për tjetrin. E ndrydhim thellë qenies
dhe nga ky çast kemi mbjellë farën e hipokrizisë në shpirt. Kështuqë kokëdruja
dënohet të mbetet kokëdru, ose sikundër themi shqip: Gdhëja mbetet gdhë. Peng i
paditurisë së tij. Njëherësh shënohet kufiri sepse çdo lloj “pronësie” – në këtë
rast padituria – shënon edhe një kufi. Shoqëria vuan dhe s’mund të ecë përpara
njëherësh sa kohë që ky koncept pronësie nuk është shndëruar në paragjykim. Në
atë masë që ky koncept merr ngjyrën ose përmbajtjen e paragjykimit, në atë masë
kemi edhe kundërvenien e si rezultat çlirimin e individit, daljen nga ngërçi,
apo gdhëja për të lejuar gdhendjen sepse njeriu është i prirur të kundërvihet. Ke
krijuar një hapësirë larg vetes, mjaftueshëm sikurse pika e shiut kur bie nga
streha që shënon një kufi real. Përtej lagesh. Te kjo hapësirë lejon, toleron, përbuz,
ndëshkon ose pëson. Të gjitha nënkuptojnë mëvetësi. Sikundër thoshte Aristoteli
rrokja “Ba” nuk është njësoj me tingujt “B” dhe “A”, ka një cilësi të vetën që
humbet kur tingujt apo fjalët veçohen. Ndaj këmbëngulja dhe kundërvenia, nganjëherë
s’është më frytdhënëse se sa nënshtrimi.Që të kuptosh vuajtjet e viktimës duhet
edhe të pësosh mbi kurrizin tënd. Gjë që do të thotë se duhet të lejosh tjetrin
ta bëjë. Sa je i gatshëm? Mbetet mister, ose më saktë përvoja tregon se njeriut
i pëlqen të jetë sundimtar më shumë se i sunduar. Problemi më i vështirë është
se askush nuk i pranon kufijtë që në vetvete diktojnë këto dy gjendje, por
askush nuk lejon të shkelen.
Iscriviti a:
Post (Atom)
