mercoledì 30 maggio 2012

Sërish në shtjellë...

Pikërisht. Sikur të shpjegoja për të thjeshtuar ose lehtësuar disi kuptimin, them se nuk do ta bëja ndryshe nga sa kam shkruajtur sepse, sikundër thoshte Aristoteli kur diskutohej nëse duhej apo jo filozofia, edhe ata që duan ta mohojnë filozofinë, nuk mund ta mohojnë veç duke filozofuar. Në njëfarë mënyre kupton se je i përndjekur nga vetvetja dhe çfardo truku proteian të përdorësh serish i takon asaj hapësire të ndikueshme që e kam quajtrur rrethinat e qenies e të dëshirave. Pra nuk mund t’i shmangesh vetvetes.
Çështja që ngrihet edhe pse është e ndërthurur me probleme të tjera, mbijeton në një disi që herë zbehet sikundër pakësimi i papritur i dritës kur retë veshin qiellin dhe herë theksohet në ngjyra të forta. Njësoj si xhamet me ngjyra në formë figurash gjeometrike, që rëndom i shikojmë në hapësira katedralesh e kishash si për të thyer zymtinë dhe heshtjen solemne që mbizotëron brenda tyre. Por, gjithaq nuk përjashtojnë kultin sidoqë të jetë fluksi i dritës që bie mbi to. Te e fundit kuptohet, në një krahasim më vulgar janë njësoj me kapilarët e një qyteti të cilat edhe kur nuk derdhen në qendër, në dalje apo hyrje të tyre, ka gjithmonë një tregues, shigjetë, që si një gisht spiunon qendrën e qytetit. Pra, kjo qendër, ky thelb – çështje, është dëshira, sunduese e njeriut, që shfaqet në shumllojshmëri kënaqësie për të lehtësuar flijimin e vetvetes. Kënaqësia është paraprima në të cilën flijimi pranohet në humbje cilësish të mirëfillta. Në fakt përjashton gjykimin. Është si parathënia e një libri. Dikë mund ta nxitë, një tjetri i heq çdo interes. Duhet apo nuk duhet lexuar? Nuk ka një përgjigje të prerë. Por, çdo përgjigje zvarrit ngushëllimin. (Çdo dëshirë; e realizuar ose jo, mishërohet në flijime të pjesëshme të vetvetes. I rikthehemi shembullit të birrës. Nëse e pi – dëshira shuhet, njëherësh me të edhe ajo pjesë e vetvetes që e lindi, nëse nuk e pi, dëshira nuk realizohet dhe njëherësh flijohet ajo pjesë e vetvetes që e ka dëshiruar. Është një gjendje paradoksale thuajse, por është. Kjo e lëkund Uni-n. Mund të përdorim edhe fjalën ‘tundon’. Nënshtrimi ndaj dëshirës është natyrë njerëzore qoftë edhe kur shndërohet  në fiksim, ose mani. Tipike, mgjtë, për qeniet njerëzore.)
Në prag të vdekjes ose në fund të ekzistencës, sikur njeriu të bëjë një përmbledhje, për fat të keq përfundimi është në favor (hatër) të atyre që nuk janë realizuar. Por njeriu nuk është i prirur të bëjë një tërësi të këtij lloji sepse kështu ruan veten prej zhgënjimit të fundit; atij që e nxjerr jetën një kotësi. Cili prej nesh nuk kërkon një jetë sa më të realizuar? Por nga ana tjetër çfarë e bën një jetë të realizuar? Ka vetëm një përgjigje të mundëshme: Realizimi i gjithë dëshirave. Problemi tjetër që shfaqet në njëherësi është sërish një pyetje: Cilat janë ato dëshira në të cilat kushtëzohet një jetë e plotësuar? Kësaj askush nuk mund t’i përgjigjet sepse dëshirat lindin dhe vdesin çdo sekondë. Ose në mënyrë të figurëshme mund të themi se dëshirat janë si fluturat. Element i pandarë i natyrës mort. Bukuri effimere (e përkohëshme). Pavarësisht. Mund të soditen sikundër bukuria e një luleje, që ndryshe e quajmë edhe soditje e lirë, të xhveshur nga çdo lloj interesi, por mund edhe të gjykohen sikundër ndodh më shpesh, nga vetë njeriu ku lind kjo dëshirë si dhe nga mjedisi ku kjo dëshirë kërkon shtratin e duhur për tu realizuar. Megjithë këtë gjendje nga e cila kurrë nuk je i baraslarguar, po të kthesh kokën mbrapa shikon vetëm humnerë, asgjë. Asgjëja si një vetmbrojtje natyrale. Nevojë për të qetësuar veten. Duke shmangur besdinë e një fraze më të zymtë; ngushëllimin si nevojshmëri sepse përtej nuk na pëlqen të shkojmë bosh. Drejt asgjëse nuk mund të shkojmë as si gjë as edhe me gjë sepse kështu do të anulonim asgjënë. Është kjo aryeja pse na duhet të xhvishemi edhe nga trupi.
Te romani im “Memento Mori!? - mërmmiti Eda Di” (botimet Toena) në fund, gjen këtë pasazh:  
“- Tomaso S... çdo t’i kërkosh Zotit?
Ai buzëqesh.
- Të mos di atë që di dhe të di atë që s’di, - thotë. Rikthim i përjetshëm i asgjëse, do ta quante Niçe...i pëshpërit vetes.”.
Në përgjithësi kjo filozofi disfatiste, ose quajeni edhe nihiliste, është e vetmja pasojë e jetës. Markesi, (Gabriel Garsia) mundohet ta përcjellë kumtin kur thotë se jeta nuk është të jetuarit si i tillë, por çfarë ne kujtojmë nga ajo që kemi jetuar dhe si e kujtojmë për ta treguar. (“Të jetosh për të treguar.”. Botimet Mondadori 2002) Pra, mbresa. Dhe mbresa, nuk është tërësisht vetiake sepse në hapësirën e saj përfshin edhe të tjerët që të kanë rrethuar dhe që kanë ndikuar iks ndodhi të jetës. Mbresa varet nga të dy anët e së njëjtës medalje: Kujtesa dhe Harresa. “Boshatisin raftet” që mund të përkulen e thyen nga mbipesha. Në mënyrë të vetvetishme. Përpjekjet e vetdijëshme në këtë rast humbasin mjaft nga mundësia e tyre. Nëse e detyron veten të mos e kujtosh gjaprin dhe thua në mënyrë të përsëritur: Unë nuk dua ta kujtoj gjarprin.  Bën të kundërtën, sepse në përfytyrimin tënd përvijohet pikërisht, çfarë nuk dëshiron të kujtosh, në rastin në fjalë është gjarpri. Nga ana tjetër është po aq e natyrëshme edhe prirja për ta boshatisur veten nga dëshira të padëshirueshme. (argument ky, ku të duash atë që urren mund të konsiderohet si një virtyt i mrekullueshëm.) Ndrydhja e tyre edhe pse shtjellohet në kufijtë e pamundësisë. Mirëpo, nga ana tjetër, asnjë dëshirë nuk realizohet nëse ajo qendron e ndrydhur ose e fshehur, ose e pashfaqur. Dëshira e ka të domosdoshme të piktakohet me mjedisin, i kuptuar ndryshe realitet shoqëror, ku mund të sendëzohet ose trajtësohet. Këshuqë tundimi është një tendencë e dykahëshme. Niset nga brenda qenies drejt rrethinave dhe nga rrethinat drejt thelbit në shërbim kurdoherë, si një qen besnik i dëshirës. 
Përse ndodh kjo?
Ndodh ngaqë çdo qenie e dëshiruar është dhe dëshiruese. Në rastin e një djali që dëshiron një vajzë dhe kur i përgjigjen njëri tjetrit, pra kur dëshira gjen jehonë, ne e quajmë dashuri. Sikundër mbyllet filmi “Even Money”: Të gjithë dëshirojmë gjëra të ndryshme, dikush para, shtëpi, femra të bukura, etj, por të gjithë dëshirojmë një gjë të vetme; jetë më të bukur...
Nuk duhet ta luajmë kurrë atë që s’duam ta humbasim...

Remo Koçiu
(Atman)

Nessun commento:

Posta un commento