mercoledì 23 maggio 2012

Vështrim në rrethinat e qënies.

Aut aut përballë një lypsari që na thotë më jep lëmoshën time ndryshe do të vdesësh. Çfarë do të bëjmë? Si do të veprojmë? Nuk do t’i japim? Po sikur? ... Po sikur...? Krimbi i dyshimit nuk është si një këngë që e dëgjojmë në mëngjes dhe mbetet në rrokëz të veshit si kërmilli në kafkull duke u shndëruar në krimb muzike që na shoqëron gjithë ditën. Gjithçka varet nga dëshira tonë, që në njëfarë mënyre quhet edhe të zgjedhësh. Por nuk është një dëshirë e natyrëshme, është një dëshirë e kushtëzuar, pikërisht nga një dilemë e cila nuk formohet ose nuk ekziston në thelb të qenies por diku në rrethinat e saj sepse duhet të takohet me atë të lypsarit, të përplasen ose të shkrihen qoftë edhe përkohësisht. Edhe pse është prirje e përgjithëshme e dëshirës që të lindë në qendër të qenies, në thelbin e saj, në botën shpirtërore dhe për ta mbrojtur nga kërcënimi e quajmë intimitet. Menjëherë pas lindjes ajo lëviz drejt rrethinave, sikundër llava e vullkanit që kërkon të çarat për të dalë në sipërfaqe sepse vetëm kështu krijohet vullkani, përndryshe, në qendër të tokës, ose rreth bërthamës së saj, nuk do ta ketë asnjëherë një mundësi të tillë. Edhe dëshira duhet të bëhet e njohur që të realizohet dhe nga çasti kur realizohet ajo pushon së qeni e tillë. Nëse të pihet një birrë, pasi e ke pirë, kjo lloj dëshire nuk ekziston më. Këto shfaqje të jashtme e bëjnë të njohur në shoqëri për aq sa është e diktuar nga vetë shoqëria. Dua në them në të njëjtën masë. Çfarë njeriu jemi, karakterin, virtytet, veset etj etj. Dëshira e lypsarit është tejbartur në hapësirën e domosdoshmërisë ose të nevojës për të jetuar, ndërkohë ty nuk të ndryshojnë jetën pak të holla por nuk i jep sepse brenda teje ekziston pengesa e moralit, ose një pengesë etike e cila farkëtohet në vazhdimësi te mënyra e të jetuarit e lidhur me të merituarit, ose e thënë ndryshe, me punën. Por e tërë kjo etikë bie si një kështjellë me rërë kur lypsari e kushtëzon kërkesën duke vënë në dilemë të qenët tënd sepse për një çast gjarpëron brenda teje pyetja: “Po sikur të më ndodhë gjë?”. Lypsari e ndërton dëshirën e tij duke e fshehur agresivitetin te një nënton mjerimi, i nënshtruar, i njeriut të goditur ose jo nga fati, por gjithsesi që synon të shkaktojë atë reaksion te tjetri që quhet keqardhje nga i cili shpreson të përfitojë. Kështu veprimi i tij, të lypurit, rigjenerohet dhe legjitimohet, ndërkohë që ti vërtitesh në pavendosmëri. Ju kujtohet Uliksi? E vetmja mënyrë për tu takuar dëshira e tij me dëshirën e mëtuesve ishte të shndërohej në lypës sepse vetëm kështu ai do të ngjallte mëshirë te ta por ende e pamjaftueshme për të realizuar hakmarrjen ose ndëshkimin. Lipsej edhe përbuzja, si e vetmja mënyrë që do t’i krijonte mundësinë për të marrë pjesë në garë, sepse nuk konsiderohej një rival. Përndryshe, i shfaqur si një mëtues do të ndeshej me rivalitetin të gjithëve kundër të gjithëve. Pikërisht. Kështuqë, ky vendim duhet të merret pikërisht aty, në rrethinat e qenies. Në thelb diçka e tillë rrezikon identitetin. Në periferi, përplasjet sado të mëdha, ato sërish e ruajnë thelbin nga trazirat e njëherësh i krijojnë njeriut mundësinë e përshtatjes, meqënëse është ajo pjesë e qenies e prirur të asimilojë, të ndikojë e të ndikohet, e krahasuar me të gjitha fenomenet që ndodhin mbi sipërfaqen e tokës dhe nuk prekin bërthamën e saj – kuptuar identitetin e individit. E përqasur me forcën shkatërruese të një tornadoje, në syrin e të cilit çdo gjë fle, ndërkohë që trupi i tij në shtjellën e furishme, shkatërron gjithë sa prek. Sepse janë pikërisht rrethinat e qenies ku realizojmë atë që Jean – Paul Sartr e thotë edhe te një pasazh i shkëputur nga pjesa “Keqbesimi” te ‘Qenia dhe Asgjëja’ ... “Por, i lejon vetes të gëzojë dëshirën, në masën në të cilën e percepton si diçka që nuk është çfarë është ...” (fq92). Pikërisht. Të perceptosh te dëshira ose dëshirën diçka që nuk është çfarë është, kërkon atë sasi vetflijimi në të cilën pagëzohet zgjedhja tënde. Nëse pi birrën, nuk ekziston më dëshira për të e kjo do të thotë se ti ke flijuar diçka nga vetja, dëshirën për të pirë birrë. Një zgjedhje që Kierkegaard te vepra e tij Aut – Aut (Ose Ose) e quan një thuajse zgjedhje, sepse e quan një zgjedhje etike që ka pak të bëjë me thelbin e njeriut dhe ku ndoshta thelbi nuk merr pjesë. Gjë që nga ana tjetër e lejon dëshirën të ripërsëritet qoftë kur është një dëshirë fiziologjike ose mirëfilli, abstrakte. (Ndërkohë që zbehet ndikimi i kësaj zgjedhjeje etike kur ndodhemi përpara lypsarit. Ta japim ose jo lëmoshën është vërtet një dilemë etike, për ty, për ty sepse ke ngitur një pengesë kulturale, jo për lypësin për të cilin është indiferent ndërtimi i një dialogu që do të shënonte edhe vendosjen e një marrdhënieje, të cilës i druhesh. Për lypësin gjithçka merr fund nga çasti kur ka marrë lëmoshën.).
Pjesa e ndryshueshme e qenies tregon se cilët jemi në realitet e që e tradhëton shpesh herë thelbin tonë e po aq herë vepron në sintoni (harmoni) me të. Dhe shpesh herë është çorodia që e dominon qenien si një sinfoni tronditëse. Kështuqë i ngërthyer në kthetrat e dyshimit si një dyshim nga më të padëshiruarit ku qenësia pezullohet qoftë edhe në përkohësi, në atë çast të padukshëm kur mendon se mund të të ndodhë gjë dhe kjo gjë nuk është tjetër veç anulimi tënd, i pushtuar prej ankthit i trajton së dytësi mundësitë e tjetra, mundësi që i jep fund moskokëçarjes e njëherësh zbulon çfarë të përbashkët me lypësin e ke. Frikën.

Nessun commento:

Posta un commento