giovedì 25 ottobre 2012
lunedì 22 ottobre 2012
Përse Kadare e ka të vështirë çmimin Nobël, pse jo të pamundur?
E kam fjalën per shkrimin e Artan Mullajt. Çfarë më bëri përshtypje ishin gjëmimet e tij që ngriheshin aq lart sa përfshinin thuajse gjithë popullin shqiptar. Në këtë rast them se është ai që mllefon kundër shqiptarëve edhe për faktin se më duket e habitëshme që shqiptarët të shfryjnë mllefin e tyre ndaj Kadaresë. Nuk e di nëse ka kaq “armiq kaq të betuar”, edhe sikur të pranojmë për të vërtetë diçka të tillë, padyshim janë të çarmatosur. Të paktën për të penguar dhënien e çmimit Nobel, do të thosha se kanë çelësat e kashtës. Përpos dashakeqësisë, Kadare hyri në listë. Pra kjo hedh posht mëtimet. Nëse dikush thotë se Kadarenë e propozuan të tjerët, atëhere këta dorëzanës, të huaj ndoshta? pse nuk e çuan punën e tyre deri në fund? Pra, kushdo që e ka inat, kushdo që nuk e do, dështoi. Është kumti i parë që Artan Mullaj dhe të tjerë nuk patën largpamësinë ta zbërthejnë apo bënë sikur nuk e kuptuan sepse u duhet një kokë turku për të prerë.
Kush e jep çmimin Nobël?
Përgjigja është afërmenç. Komisioni pranë Akademisë Suedeze të Stokholmit. Dhe jepet vetëm “për punime intelektuale që i përkasin një shtrirjeje të gjerë... si dhe atij që do të ketë bërë në literaturë diçka po aq të shquar në kuptimin ideal.”. Pra është tepër e kushtëzuar dhe domosdoshmërisht e respektuar. A mund të zbatohet? Më drejtpërdrejt; a dredhon kjo Akademi? Ndoshta. Ndoshta edhe gabon, ndoshta edhe nuk është e paanëshme, ndoshta ka pëlqimet e veta, ndoshta i hap shteg dikujt dhe ia mbyll një tjetri mbi bazë vlerësimesh vetiake ose rrethanash politike. Të interesuarit le t’i kërkojnë. Por nuk duhet mohuar se njëmijë arsyet mbijnë dhe pleksen vetëm rreth Akademisë e jo jashtë mureve të saj. Atëhere ç’kërkojnë këta kalemxhinj që nëpërkëmbin popullin dhe nuk i drejtohen Akademisë me kritika, be e rrufe? Ç’hyjnë shqiptarët këtu?
Historikisht ka mjaft fakte nga Bashkimi Sovjetik për të rrëzuar posht çdo mëtim injorantësh se mund të pengosh dhënien e çmimit Nobel me letra alla Jovan Breg. Realisht është një fyerje për Akademinë. Sikur këta fansa ta njihnin dhe interpretonin drejt, psh vetëm një pasazh nga Dimri i vetmisë së madhe, atëhere nuk do tu kishte kaluar pa u vënë re një fakt. Ai i dhënies së çmimit Nobel shkrimtarit Boris Pasternak. U organizuan protesta anë e kend BS kundër. Mgjt Akademia ia dha çmimin Pasternakut, ia dha Solzhenicinit, ia dha Shollohovit edhe pse BS ishte një superfuqi dhe nuk ishte e lehtë t’i dilje kundër. Nuk e penguan as protestat popullore të hapura, shkrimet e intelektualëve, manifestimet e studentëve, kolektivat e uzinave e fabrikave, kolkozianët etj. JO. Asnjë nuk u përfill. Atëhere, a nuk u shkon ndërmend pyetja: Kur nuk mundi BS të pengonte, BS një superfuqi, si mund ta bënin disa shqiptarë?
Çfarë e ndan Kadarenë nga shkrimtarët disidentë?
Të gjithë këta nobelistë kanë kritikuar në veprat e tyre hapur rregjimin e mëparshëm, pa marrë parasysh pasojat. Dhe vuajtën burgje e internime në kamp përqendrimi. Madje Solzhenicinit iu hoq edhe e drejta e botimit, përveç burgut edhe e drejta e autorësisë. Por ata vazhduan të shkruajnë e ta thonë të vërtetën edhe ilegalisht. “Arqipelagu gulag” i Solzhenicinit u botua jashtë ilegalisht. Po citoj diçka që e ka shkruajtur më 1974 disa orë para një arrestimi të rradhës.
"Nuk jemi thirrur për të zbritur në shesh, nuk jemi pjekur ende për të kumtuar me zë të lartë të vërtetën, për të thirrur çfarë mendojmë. Nuk janë gjëra për ne, na trembin. Por ama nuk pranojmë të themi atë që nuk e mendojmë”
Krahasojeni me letrën dërguar Nexhmije Hoxhës nga Kadare.
Kaq do të mjaftonte për të mos ngritur në rang akuza të shëmtuara. Por kjo vlen për njerëz me arsye, jo për fansa. Pikërisht fansa. Fansat e Kadarese. Nuk janë admirues të thjeshtë, lexues që u pëlqen të shfletojnë literaturën e tij, janë pikërisht fansa. Veprojnë si të tillë. (Fan – fans vjen nga fanatik. Mund të jetë si një i vetëm ashtu edhe turmë. I bashkon verbëria. Priren drejt një ideje apo personi, me një ngazëllim të jashtzakonshëm, e njëherësh tregohen të padurueshëm (intolerantë) ndaj kujtdo që ka mendim ndryshe. Rëndom përfundon në dhunë e si e tillë duhet kuptuar edhe ajo e fjalës.) Shembull i qartë është shkrimi i Artan Mullajt që akuzon individë, grup individësh pse jo gjithë shqiptarët, si shkaktarë që Kadare nuk e merr çmimin Nobel. Nënkuptimi. Akademia do, s’duan shqiptarët. Ndryshe i thonë: I zoti e shet, tellalli (shqiptarët) s’e jep.
Kjo akuzë gjithpërfshirëse është kur ai u përmend shqiptarëve se dikur, në kohën e monizmit, e kanë lexuar të gjithë. E vërtetë, por në kohën e monizmit ama, kur çfarë të afrohej ishte çfarë të afrohej dhe jo çfarë kishe dëshirë ti të lexoje. Pas ndryshimeve të sistemit, shqiptarët patën një vizion 360 gradë, në rreth, pra nuk ishin më të detyruar të lexonin Kadarenë apo Agollin, apo iksin e ipsilonin. Apo tu drejtohej rrugëve klandestine sikundër bënte autori i këtij shkrimi me dy shokë të tij. Tashmë u njohën me një literaturë të shumllojëshme që dilte nga caqet e realizmit socialist. Pasoja? Do të fironin patjetër lexuesit sepse pasioni i tyre u shpërngul në autorë e zhanre të reja jo vetëm për kërshëri por edhe pse e gjetën veten aty këtu. Kjo është bukuria e artit dhe letërsisë.
Kadare, ishte oportunist dhe bashkpuntor.
Lëvizte midis këtyre dy qendrimeve. Herë ashtu dhe herë kështu, kush t’i siguronte më shumë përfitim. Gabimi më i madh i tij ishte kur mendoi se i ishin mohuar meritat dhe asnjëherë nuk i shkoi mendja te e kundërta, që i ishin njohur më shumë nga sa i takonin. Mbi bazën e këtij mbivlerësimi vetiak, duke gjetur edhe sedërpërkëdhelës, përpunoi idenë e çmimit Nobël. Por pengesë ishte karriera e tij si shkrimtar, e filluar dhe e arritur në pikat më të larta të saj, pikërisht në sistemin e mëparshëm me të cilin ai nuk mund t’i lante duart si Pont Pilati. Pengesë kjo e pakapërcyeshme. Mund vetëm t’i vihej rrotull. Gjë që në vetvete është përçmuese. Kadare i shndërroi edhe kritikat më të vogla si një domethënie e kundërvënies ndaj regjimit. Mjafton të lexosh veprat e tij, të botuara, për të fshirë çdo dyshim. Mjafton të lexosh pohimet e tij në letra dërguar “lart” ndër to ajo drejtuar Nexhmije Hoxhës ku thekson se atë e bëri shkrimtar PPSh dhe socializmi se pa to nuk do të ishte gjë. Mjafton të kujtojmë që ishte kandidat i KQ të Partisë dhe gëzonte privilegje që për të tjerët ishin ëndra me syhapur. Të gjitha këto janë një e vërtetë që nuk mbulohet kaq lehtë për të mos thënë kurrë.
Ndonjë mendimi naiv se ç’të bënte, të futej në burg? Unë nuk mund të them gjë: Zgjedhjet i bëri Kadare dhe pasojat janë këto. Nuk mund t’i mohojë e duhet t’i pranojë për hir të sëvërtetës. E këto zgjedhje gjithmonë ishin oportuniste edhe pse rrallëherë pati nevojë sepse gjithmonë vepra e tij ishte ajo e një bashkpunëtori dhe ndihej krenar. Përse nuk e mban krenarinë?
martedì 2 ottobre 2012
Mendim
Nuk është arti që kërkon të rrafshojë dallimet e njerzve, janë njerzit që e gjykojnë qiellin nën një ombrellë.
Remo Koçiu
Iscriviti a:
Post (Atom)