venerdì 11 marzo 2011

Skicë shpërfytyrimi...

Po mundohesha të përfytyroja një ditë që kalon pa shkruajtur gjë, pa një mendim. Një dialog që të shkon ndërmend sikur të jetë bërë diku me njerëz pa fytyrë, vegimorë. Hije. Ngrysore. Ndonjë zëri të largët, thuajse i huaj, duhet t’i bashkangjitësh ngjyrat e zbehta të perëndimit dhe ngrohtësi shpirti për të mos e harruar. Faqe libri mbi një fletë e shënuar, një adresë ku gjendet përligjja e mendimit tënd. Të përfytyroj skeletin e një dite që e le pas sikundër shtëpitë e vetmuara majë kodrash, aty - këtu pemësh, shtylla elektrike dhe tela tensioni të lartë. Përzgjatje e një lëmshi që s’mblidhet kurrë. Krahasimi i fijeve elektrike me lianet që lidhin pemët me njëra tjetrën sëfundi të çon drejt mendimit: “Në to kacavirret vdekja.”.  Përsiatje e dëshiruar sepse provon mbi lëkurë ndiesi mornicash. Buzëqeshja e trishtuar i përqaset pellgut që pret zhytjen e një këmbe për tu turbulluar; ankth - ndëshkim i gruas së martuar që besnike vetëm të dashurit i ka qëndruar. Ndodhi ushëtimesh. Imazhet mospërfillëse rendin lingth, rrëshqasin mbi xhamin e makinës, pa u ndalur kurkund dhe ti kupton se janë të dikurshme... “di – kur...” i thua vetes dhe i bën vend në fytyrën tënde dinakërisë së një buzëqeshjeje... “Unë e di kur – përsërit.”.

Nessun commento:

Posta un commento