Modelet që televizioni rekomandon është kafazi dhe talk show politik. Nuk flitet për një kafaz ku duhen mbyllur qenëria e politikanëve, parlamentarëve, qeveritarëve. Është diçka tjetër, i një niveli më të ulët, por gjithaq efikas, në llojin e vet. “Vëllai i madh” ai që të bie shpatullave e të thotë: “Më ke mua.”. Mpihen forcat e trulloset mendja e mbi të gjitha zgjohet një interes pasiv sepse mendohet se lekët sigurohen kështu, (mjafton të marrësh pjesë e të luash, të bësh llogje e të shtiresh). Por edhe një e vërtetë gjarpëron në tru nëse mendon papunësinë. Duket se tv ka vendosur t’i vijë në ndihmë qeverisë, të edukojë një mënyrë fitimi mbi bazën e një llafazanërie që moralizon vlerë kotësie, prodhim jashtë çdo cilësie që e blenë turmat pa tru, sikundër do t’i quante Noli dikur, ndërkohë mbivlerën do ta marrin ata që rrinë mbrapa siparit që s’ngrihet kurrë. Vetëm kështu zgjohen interesa të një moralizmi ku dyshimi është mbartës pa dyshues sikurse gomari pa samar. Të dy lenë përshtypjen se bëjnë pa njëri tjetrin. Gomari pa samarin është po aq gomar, ndërsa samari pa gomarin kotet në ndonjë qoshe plevice. Humbet identitetin. Përderisa është shpenzuar për ta prodhuar lipset domosdoshmërisht gomari. Paskësaj pak rëndësi ka identiteti përderisa ulet çdo lloj e ndenjure. Për gomarin nuk ka asnjë mundesi të zgjedhuri. Shijet e tij nuk merren parasysh. Mangësi që nuk duhet të bjerë në sy. Për këtë shërbejnë shpërthime emocionale artificiale. TV prish e shprish ekuilibre të reja duke ndryshuar në vazhdimësi ekzistueset, kështu nuk bën gjë tjetër veç e mban dhe e mbart masën e të rinjve drejt idealesh bosh, pa asnjë projekt utopik, gjë që ka shkaktuar një krizë të madhe shpirtërore të shfaqur në forma të ndryshme të depresionit. Pesimizëm. Beteja të humbura që në bankat e shkollës sikundër jemi mësuar të themi.
Nessun commento:
Posta un commento