"Nuk e di," mendon.
Nuk e shqipton, ndoshta ngaqë nuk e
pranon të qenët e saj brenda vetes. Thekson 'e saj' dhe shpreson që togfjaleshit
t'ia ndryshojë brendinë duke e trajtuar si një fjalë të vetme.
"Nuk e di," përsërit, gjë që i ndodh rëndom, "por edhe logjikisht," shton, kur dyshon në mendimin e mërparshëm. Pastaj pret hakmarrjen. Gjithmonë e habit mendimi që u afron fjalëve mundësinë e hakmarrjes, por është ndalur aty, pa hequr një vijë mëtejësie, si një litar që hidhet diku në pus...ngjethet dhe e fshin nga përfytyrimi ende pa lidhur diçka në skajin tjetër apo pa dëgjuar një britmë dëshpërimi. Ndiesi e herëshme, pa ndonjë datë lindjeje dhe kjo e bën më të misterëshme përsenë. Çuditërisht, kësaj rradhe ndodh befas, mund të pohojë vetiu, por diçka nuk shkon, përpastaj të kërkonte edhe një krahasim, si njëlloj pikmbështetje, por kupton që është ndjenjë sepse pshertin dhe e nxjerr me një frymë jashtë qenies, duke zbuluar brengën lakuriq si plagën posht kores pasi e gërvisht. Diku thellë vetes dyshimi malinj, përhap fije lidhëse por ... ajo "nuk e di".
Oh! pas klithmës di përse e quan "ajo". "Unë dhe Ajo," mendon,
"e kemi më të lehtë të kuptohemi në dy gjini të ndryshme.". Paskësaj, tret vështrimin
përtej, por është një boshllëk humneror.
"Normalisht, Ajo, duhej të kishte buzëqeshur pas përpjekjes time të
kotë për ta mbushur, por nuk ndodh, thjesht ngaqë ende s'ka tipare.".
"S'ekzsiton as si ide," pëshpërit
më i qetë, "e, ndoshta askush nuk më kishte bërë një pyetje që unë të përgjigjesha,
ftohtë, në një ngritje paksa të supeve por të mjaftueshme për ta hequr qafe:
"Nuk e di.".
Jo, në gjininë femërore e kam më të
thjeshtë ta keq-trajtoj.
"Arsyeja", i thotë vetes.
"Arsyeja pse dua ta shndëroj në një fjalë të vetme, me një trup të lëmuar,
ndoshta të mermertë, për ta ledhatuar, ose... nuk e di."
Fjala keqtrajtim nuk i shqitej nga koka.
"U bë kohë," mendon.
Nessun commento:
Posta un commento