“Ke
etje për ujë?”, pyet Obllomovi pasi dëgjon ligjeratën e D për vapën e
pazakontë të kësaj vere në Tiranë të
rënduar nga pluhuri dhe tymrat e makinave. “Po.”, përgjigjet thatë. “Dhe e kërkon prej meje?”.
“Natyrisht, je i zoti i shtëpisë.”. Tjetri lëshon një buzëqeshje të
vakët, pastaj shfryn lehtë ajrin dhe D mundohet të kuptojë nëse i
lëvizin qimet e hundës. “Prej kohësh punoj vetëm unë në këtë
vend.", fillon të flasë dhe D mundohet të
kuptojë se ç’lidhje ka me etjen e tij.
"Natyrisht, tingëllon pak e çuditëshme si thënie ...”, pastaj
rrotullon vështrimin ngadalë në një orbitë sa më të gjatë dhe e ngul mbi
të, por, për pak sekonda. Tjetri, dikur i kishte thënë se njerzit janë
të marrë, e prishin jetën duke lexuar apo duke parë një panoramë, një
pikturë, në mijëra marifete të kota...sepse, miku im, kur unë lexoj një
libër do të thotë që të humbas kohë me faqet e tij dhe koha është jetë.
Të gjitha këto kërkojnë kohë, pra, jetë. A ia vlen ta prishësh jetën për
kënaqësi të tilla?”. Pyet e si rëndom nuk kërkon përgjigje dhe D merr fyrmë i
lehtësuar. Nëse Obllomovi do ta çojë në fund mendimin, është vetëm
çështje kohe, por një kohë e sajuar me dashurinë e atij që ledhaton
gjinjtë e të dashurës…nuk i
dihet asnjëherë kur mbaron. "Si ia bën.”, pyet, “dmth si ia bën për t’i kaluar
dorën të dashurës në gjinj, nëse e shalon nga mbrapa?”. “Nuk është e
nevojëshme, i varen sikur të jenë dy kapakë xhepash…të kujtohet moda
dikur, kur xhepat e prapëm mbuloheshin me kapakë?”, përgjigjet tjetri
fytyrëngrysur dhe thuajse i zemëruar sepse ia shkurtuan kohëpërtesën.
(Për D, ai ndryshim në fytyrë i Obllomovit, është çudi. Ёshtë e vetmja
pamundësi. Mund të lëvizë nga vendi disa milimetra, por prapë lëvizje
është. Por të ndryshohej pamja me të cilën fytyra e tij ngrihet prej
gjumit, jo. E pamundur. Si një sonambul shkon te pasqyra dhe sodit gjatë
veten duke u munduar të kuptojë se ku kishte qenë, sa kishte bredhur, e
çfarë kishte bërë gjatë ëndrave. Kur mbaronte së treguar, thoshte: Ja
përse ndihem i lodhur zgjuar.”. Jo! Matet të ulurijë D. Në një dritë të
beftë kupton se ka një shpjegim tjetër. Obllomovi ngulet te pasqyra dhe
sodit veten për një kohë të gjatë sepse kështu sekondat dhe minutat ia
dhuron po vetes. Dreq! I çmendur.)
“Është mjaft e thjeshtë të
provoj që në këtë vend punoj vetëm unë.”, rikthehet në bisedë.
“Llogaritim. Jemi tre milion e gjysëm. Mbi një milion janë emigrantë.
Rreth gjashtëqind e pesëdhjetë mijë janë nxënës e studentë, gati ose
diçka më shumë, janë pensionistë, hiq ushtrinë, zbrit nga ky numër të
burgosurit e të ngujuarit, evgjitët dhe kurbetët, mos i llogarit sepse
s’kanë punuar asnjëherë në jetën e tyre, hiq edhe të papunët që janë
rreth pesëdhjetpërqind e popullsisë, hiq zyrtarët dhe sekretaret e tyre
putana, zbrit nga ky numër edhe 140 deputetët, hiq qeveritarët që lodhen
duke numëruar paratë e vjedhura dhe kryeministrin që lëviz në një kullë
shtatëqindmilionëshe… Lëshon një pasthirmë të mbytur si zhytje e një
sendi të rëndë në një pellg të thellë. Pas kësaj, D e di që duhet të
presë një kohë të gjatë, ndaj për të egledisur merret me boshllëkun që
shtrihet para tij, nisur nga mobiljet, muret e gjithçka sa kap syri.
Pasi i mbush me fantazinë e tij, vëren që Obllomovi kishte rifilluar të
fliste, pa u ndjerë si një makinë që ia heqin frenat e dorës në zbritje…
“Duhet të dëgjosh, unë nuk kam aq kohë sa ta shpenzoj me ty, ia kam
lënë mungesës së vullnetit, limontisë, gjithë sa ka çmesë për mua…”,
vëren i pakënaqur dhe kjo është çudia e dytë. “Më fal”, kërkon ndjesë
D. “Ku e lamë?” “Pra, siç e shikon duke i përjashtuar të gjithë
shqiptarët, mbetemi vetëm unë dhe ti, por meqënëse ti je ulur në
kolltukun përballë e po dëgjon llomotitjet e mia, atëhere punoj vetëm
unë.”. “Atëhere do më japësh një gotë ujë.”, thotë D që i ngjiten fjalët
në gojë. “Më vjen keq, jam në kohën e pushimit. Lodhem në ëndra dhe çlodhem zgjuar.
”.
Nessun commento:
Posta un commento