mercoledì 20 febbraio 2013

Tina

Tina, kënaqësi.”.
Zgjat dorën ajo. Përgjigjen, ai, e le pas çastit, i zenë ende me përshkrimin e qenies së saj. Flokëzezë, trupngjeshur, me forma të rregullta që bien në sy nën pantallonat jeans dhe nxit padashur kërshërinë nëse përfytyrimi e detyron. Tepër miklues. Sytë. Në lartësinë e raftit të tretë. Të mëdhenj. Në një ngjyrë të çuditëshme që i shmanget përcaktimit. Mbresë e largët njollash vaji mbi një pellg me ujë, ngjyra ylberore që notojnë plogësht në sipërfaqe dëshmi e shpërbërjes. Mahnitëse. Reagojnë ndryshe pas çdo burimi drite. E vetmja gjë që nuk shkon në portretin e saj është i kuqi i buzëve, “rosso deciso”, thotë edhe pse nuk i pëlqen të mendojë në italisht. I ndodh shpesh kohët e fundit. Të menduarit në italisht. Natyrisht, përcaktimi ‘kohët e fundit’ është një e hequr penelate me bojë të errët, jo të zezë. E zeza është dëshira perverse e njeriut për të caktuar kufij. E lentuar. Errësira është nuancë. Shkallëzim natyral. Nuk është një flauri, vring ose beftësi. Në të ngrysur vjen në zbehje drite dhe në përzierje poetike, ndërsa agimi i çliron sërish të gjitha ngjyrat derisa e bardha e dritës dominon. Ja përse në jetë s’ka ndodhi të theksuara sinonim i një kufiri ndarës përtej të cilit nuk ekziston një përtej. Në një pikturë mund të heqësh një vijë të zezë në gjendje ta këputë mendimin dhe ta pengojë shikimin, por në jetë as vdekja nuk shënon një skaj përfundimtar përderisa në asnjë rast nuk vjen për të njëjtat arsye edhe pse ka përmbajtje të njëjtë. Mirëpo, të qenët e saj të linte përshtypjen se mundësohej vetëm si përmbysje e gjithçkaje që përpiqej të shndërohej në përkufizim. Ndaj, për të hequr një vijë ndarëse përtej të cilës ka nisur diçka e re dhe këtejësia mbetet gjithmonë çfarë duhet zbuluar, i duhet errësira sepse kështu i shkon jetës në pikën më të afërt të mundëshme ku ai shijon trillet në prekje me dorë njësoj si një foshnjë që e shuan kërshërinë duke e futur çdo gjë në gojë. Të ndodhesh në prapaskenën e krijimit, në zanafillë, jep sipëroritetin e njeriut që ska asgjë për të humbur, përshembull, puna e pjatalarësit të shtunë të dielë në kuzhinën e një restauranti e bënte gati të padukshëm. Punë e keqpaguar, por, të qenët në fund të hierarkisë, i lejonte të shikonte çfarë ndodhte në kuzhinë dhe kjo i jepte përparësi mbi njerzit e të gjitha shkallëve shoqërore, që mbushnin tavolinat në anën tjetër ku në nuanca të ndryshme paraqitej një botë që përdorte ndjenja të shfrytëzuara dhe një gjykim të tejkaluar. Rëndom, nëpër filma, në tavolina, kur vendoset një vazo me lule, pa asnjëlloj arome, por me ngjyra mirë të përcaktuara, ose kur digjet me një flakë përtuese një qiri, pritet ecuria e një drame që shpesh ngarkohet me një romantizëm tërheqës, ndriçues por jetëshkurtër si ndezja e fijes së shkrepses. Lulet përfundojnë në kazanin e hedhave, ndërsa qiriri mund ta vazhdojë vetdjegien si një mallkim nëse dikush nuk e fik. Rrallëherë ky vetflijim këndohet nga poeti për të tërhequr vemendjen. Më pas, kur shumica e dritave të restaurantit shuhen dhe mbetet ndonjë aty këtu sa për të thyer errësirën e plotë, diku, andej nga fundi i sallës, apo te banaku i pijeve, sërish pamja është kaq reale sa nuk mund të përfytyrohet prushi i imët, i mbuluar nga hiri i nxehtë i zjarrit në të shuar, që duhet të këndellet të nesërmen duke përdorur magjinë që ka thelbi i çdo fjale; edhe më e rëndomta. Përkundrazi, më e rëndomta, sikurse thesari i fshehur në zemër të malit dhe “hapu malore” e Ali Babait. Kur ishte i vogël dhe kërkonte ndonjë gjë, mamaja i thoshte se duhej të përdorte fjalën magjike që t’ia jepte...cila është? “Të lutem” shqiptonte ai me njëfarë zemërimi. Veçse tani ndihet bosh. Nuk i vjen asnjë fjalë magjike në mendje dhe i pushtuar prej ankthit, diçka e tillë vonohet ose ndodh të mos shfaqet si mundësi. Përballë asaj vajze të cilën ka përshtypjen sikur e njeh prej kohësh. Kjo është femra, një botë përrallash që duhet rrëfyer. Ndaj edhe fjala shpuzë është një mundësi ringjalljeje e ngrohtësisë së dashurisë dhe e përflakjes. Ja përse atij i duhej nuanca dhe jo ngjyra e theksuar, përcaktuese. Sepse, një çast tjetër, kur ai u gjend duke vështruar buzët e saj, u end për një kohë të pacaktuar brenda qenies duke kërkuar mendimet e tij të arratisura që po sajonin vetiu një përzierje kimike ndryshe, si alkimisti gurin fiozofik, gjithsesi pa arritur të krijojë një aromë të tillë; hallkë lidhëse të përherëshme me atë vajzë, ndryshe, takimin e përjetshëm me dashurinë. “Mirza që del nga buzët e saj, i tha vetes i ngazëllyer, duhet të jetë dehëse.”. Kështu përligji përhumbjen e mendimeve të tij. Nuk ishin buzë shumë të bukura, në gjendje qetësie, por, kur pjesmerrnin në shprehje ndjenjash apo në përpunime fjalësh, shndëroheshin në një mrekulli. E megjithatë ai shpejtoi të thotë se nuk është e vërtetë që mendoi diçka për bukurinë e buzëve, përderisa nuk binin në sy. Kur shënoi cakun, kushtëzoi jo vetëm gjykimet e mëpastajme por edhe mëtejësinë e tyre sepse niseshin nga premisa të gabuara gati të padukëshme që do ta pështjellonin gjithçka. Ekuacion ku e panjohura tashmë pasi ajo zgjati dorën e vogël që u struk në pëllëmbën e tij si një zog i trembur dhe shqiptoi emrin e saj, pra, kjo e panjohur, mbeti ai. Në timbrin e zërit të saj nuk dalloi asgjë përjashtuese që do t’i krijonte ndiesinë e të qenit përtej cakut. Përkundrazi. I ndodhur papritur përballë, do t’i pëlqente t’i puthte lehtë buzët e saj, pa i ngjitur, thjesht, duke i fshikur si një flutur petalet, aq afër sa të ndiente puhi ajri t’i përshkonte qenien. Dalldi...

***

Nessun commento:

Posta un commento