lunedì 30 gennaio 2012

Dashuria është gjithmonë një ndjenjë e papaguar. Sikurse...


 Proteinik

Dashuria është gjithmonë një ndjenjë e papaguar. Sikurse...

“Vezët nuk mbushen, vezët lindin plot”, thotë Andre’ Gide’... Sepse edhe fjalët që i përkushtohen, janë të tilla, të përsosura në vetvete e kjo do të thotë që e kanë humbur prej kohësh të qenët të tjetërsuara. Ndërkohë i luhat qëllimi. Nëse godasin në shenjë, janë të përsosura - sipas nesh, nuk di se cili është reagimi i tyre. Harrojmë se përsosmëria e fjalëve është gjithmonë e përkohëshme. Ndaj, jam kurioz të di nëse vërtet ndiejnë po atë kënaqësi, si timen, nëse kur shkruaj zjarr, a e di ai se ç’është e djegura? Kur them “dashuri” a e di ajo se ç’përmban? “Më shuaj një kurizotet”, druaj ta bëj, druaj ta bëj të dukëshme sa herë që ngrihet një pyetje kësisoj sepse një jetë që shuan kërshërinë humbet kuptimin. Vdes pak e nga pak. Në çdo kuriozitet të shuajtur, firon nxitja, joshja, dëshira. Është si një qiell nate kur afrimi i mëngjesit i fshin yjet një e nga një. Mbetet është një çfarë hutuese, e ngjashme me një qiell prej kaltërsisë shpëlarë. Mjegullsirë stinësh. Zymti. Gjëmime vjeshte. Rënie gjethesh në kalfëtirë. Asgjë e krahasueshme me mbresën magjepsëse e trallisëse që përhap xixëllimi i yjeve e që i nxit të dashuruarit ta kërkojnë njëri tjetrin diku në thellësitë e pambarimësisë edhe në ato çaste kur buzët e tyre janë palosur mbi njëra tjetrën – pikërisht në ato çaste, sepse fjalët shkrihen prej afshit të dashurisë dhe nektari i tyre i ngjit buzët. Flijim që s’mund ta këndellin as përpjekjet e tërbuara të poetëve edhe kur djalli u jep hua forcën e tij, venitje që s’mund t’i japë ngjyrë as edhe peneli i piktorit i zhytur në harkun e ylberit. Gjithçka fundëron, si petale lulesh kur era e ngrohtë e qershorit i rrëzon për t’ia lenë hapësirën sythit të frutëzohet, as edhe në vapën e gushtit kur tinguj e verës së Vivaldit do të përcjellin zukatjen e bletëve mbi lule ndërsa fijet e barit do të dridhen nga tingujt e muzikës dhe, si harqe të një lire do të ënden andej këtej në kërkim të pak prehjes. Currili i ujit e zgjat udhëtimin e tij sa më shumë sepse duhet të shuajë etjen e dheut të zhuritur. Por. Gjithçka ndihet kaq e pafuqishme përballë magjisë së ndjenjës. Fjalët lindin...vetëm lindin. Janë tonat atë çast. Mandej na braktisin. Kërkojnë pështjellim shpirti për tu shumuar dhe çdo regëtime zemre bëhet flutur dashurie. Nëse ulet në dorën tënde, ke frikë të mbyllësh gishtrinjtë se mos e shtrëngon fort dhe e vret, e ndërsa e sodit,  flatrimi i saj të largon ... Ndihesh bosh. Ti dhe ngushëllimi tënd. Kur i thua vetes se edhe dashuria është si vezët, lind plot ... ke harruar se ajo varfërohet çdo ditë kur mbushet vetëm me fjalë...sepse fjalët lindin plot. Ndoshta. Proteinike.


(shkruajtur në bloggerin tim më 30.01.2012, ora 03. 25')

Nessun commento:

Posta un commento