Në vend që t’i... përgjigjej
pyetjes që i drejtoi Pjata e Tretë.
“Kam vdekur?” pyeti veten Arian Z. Rëndom, në këto raste pickohet dora, por, përgjigja, si rrallëherë, mbrriti në parakohë dhe s’la blanë. Kishte parë kofshë grash më keq, me vraje mavi si liqenet finlandezë të vëzhguar nga Google Earth. “Jo?”. Ishte përgjigja. Mund t’i thartonte turinjtë, sepse, e shqiptuar me zë, pohimi prerës, është shembull klasik i një keqardhjeje të nënkuptuar. Një thelb që nuk e përjashton vdekjen përderisa edhe sëlargu, jeton nën ndikimin e mendimit se ke lindur parakohe dhe në një epokë shterpë ku e vetmja gjë që të afrohet është të imituarit. “Jo!” përsëriti aty për aty sikurse i ndodh mëngjeseve të ftohtë të dimrit kur ngrihet nga shtrati dhe vishet shpejt e shpejt për të ruajtur diçka prej ngrohtësisë së trupit. “Duhet të jetë një nga përkufizimet e shumta të saj.”. Këmbënguli kushedi pse. “Eufemizëm.”. Në këtë pikë të mëdyshjes mendoi se e humbi fillin e kohës, në çastin kur, i përkulur mbi tavolinë, sikur të qenë duke luajtur biliardo, picërroi sytë dhe me një ton të zvarritur shqiptoi:
“Jeta tonë është mbledhje aritmetike ditësh me shumën zero.”.
E thënë copë.
Pas pohimit, gishti tregues, vertikalisht, kërkoi t’i afronin çastin ifigjenik. Mollëza hoqi një vijë paralel sikur të kishte përpara një monitor touch screen (karamanjola) dhe një faqe wordi (tavë balte) që duhej vënë në një lëvizje rrethore për të këqyrur nga i njëjti vend. Tha se s’kishte ndërmend të harxhonte gjithë kohën. Gjithë kohën? Me çfarë? E shtjelloi mendimin duke i përqasur çastet me femrat. Disa joshëse tmerrësisht brenda përmasash kohore të pakapëshme nga shqisat dhe disa tmerr rëndomësie në një përherësi pranie. La të kuptojë se i nevojësohej lentimi i hapësirës. Bosh, hëpërhë, sa të kthehej nga Pjata e Tretë për t’i thënë:
“Është njësoj si të pyesësh një peshk të Adriatikut nëse i njeh fqinjët e tij të detit Jon.”. Fraza e sapo shqiptuar nuk synoi përgjigjen e pyetjes së drejtpërdrejtë. S’ishte qëllimi. Në fakt qe e pamundur. Kur ndihesh i tradhëtuar prej shikimit. “I tradhëtuar gjithmonë”, saktësoi me ton korigjimi. Thuhet vetëm kur tradhëtia rrjedh në linja mirë të përcaktuara, e shlizuar sikurse uji i shiut në ullukët e çative, pa shtruar vrarjemendje të llojit gota gjysëm bosh o gjysëm plot. Dreqi ta hajë, nëse ke etje edhe gjysma bën punë. Sasinë e kushtëzon përseja e përdorimit dhe nevoja, jo ena mbajtëse. Mendon. Mendoi? Në një shoqëri aurikolarësh tingëllon si blasfemi të menduarit. Pak e nga pak rradhët e atyre që sorollaten qytetit me kufjet ngjeshur në vrimat e veshëve po shtohen dhe kjo tregon se janë duke u shtuar ata që shndërohen në dëshmitarë dëgjimorë të përzgjedhjeve vetiake. “Zoti i bën, pastaj i çifton”, tha me vete. Ndonjëri, madje, kur shoqëron me zë të lartë këngën, duke ikur rrugës, stonon pa e kuptuar. Është nga të paktat gjëra që ka mbetur ende e pa cënuar. Ana qesharake e njeriut. Askush nuk e merr seriozisht. Bionjeri. Është ndikimi përçudnues. Marifet teknologjik më shumë se magji. Po mbështillen nga një fshikëz e padukëshme veçuese, jo përçuese. “Biokrimbëri”. Ja përse nuk mundi ta shqitë prej vetes shqetësimin. Ndoshta vagëllt duhej shqiptuar, gjithmonë në lidhje me njërin prej argumentave se, edhe në mungesën e arsyes mirëfilli, nuk i qahet halli kalorësit pse i varen këmbët. Mendoi por nuk shpresoi. Ndihej i turbullt dhe i befasuar, sikur të kishte gjetur në kuzhinë formulat e librit egjiptian të të vdekurve në vend të një mënyrori gatimi. Gjëja ndryshon parashikimet.
Specialiteti i ditës.:
“E proshkët:
Ngjallja e mumjes së shquar X.
(në vend të shujtës fasule me pastërma e nënmohuar.”).
“Ah! E proshkët mumja!? Hahaha!”.
Sepse tjetri. Tjetri është pikërisht Pjata e Tretë, qenie që s’ngopet së ngrëni fasule, e ndërpreu në një diku të rrëfimit. Mgjt, mbreslënia qe zelli i tepruar, në të cilin tjetri shembëlleu tjetër. Të jesh tjetri i tjetrit është panjohësi e shumfishuar vasaliteti. Rrallësi, si shfaqja e një komete jashtë cikleve kozmikë. Meqënëse është. Duhet përkufizuar pa humbur kohë. Fytyrë huazuar mosbesimit. Përtej kufijve të përkohshmërisë së hamendësuar, Z parandjeu tjetërsimin. Pjata e Tretë i anuluar?! “Qenie e marrë në përdorim! ...?... Dmth, ti je qenie e marrë në përdorim?! Ti, pa ndihmën e gishtit tregues për të venë pikën mbi i. Po kur pika është nën dhe jo mbi? Pikçuditësja e ndjekur besnikërisht nga pikpyetja, mjaftojnë si shembull?
Diçka brenda vetes, shtjellë ftohtësie, grahu drejt mohimit. Pikat posht ... Në lokal, ndërsa priste të vinin shokët, u argëtua duke dëgjuar një grup vajzash. Studente të letërsisë? Ndoshta. Flisnin për krijimtarinë. Njëra prej tyre tha se kishte mbetur e mbërthyer në vend qëkurse vuri pikën në fund të frazës. Nuk parasyshoi lëvizjen e brendëshme të frazës pa zhvillim të mëtejshëm midis fjalëve dhe se çdo përpjekje përhapte metastaza malinje e dhimbje të padurueshme. Është njëlloj përkufizimi i errët. Kështu, nuk po gjente mundësi ta kapërcente atë pikë. Ishte torturë si një vrimë ulçere në stomak ... (shqyqyr, tha me vete i kënaqur që ajo e ndryshoi diagnozën) E kini parasysh, kur aspirinat i gëlltit të patretura? Aty ku bien (tha ajo) ... aty ku bien ( përsëritën ato) ...aty ku bien (mendoi ai) ... I përsëriti ato tre fjalë disa herë me vete, para se të ndërhynte, aq herë sa të merrte afri me Shekspirin sepse i duhej leja e tij për të soditur më nga afër skenën e shtrigave. Pastaj u kthye nga ato duke iu drejtuar vajzës që kishte folur e kapur nga dëshpërimi se mund të shpëtojë prej ulokësisë lehtë, mjafton të mendojë titullin. Kështu paralajmërohej fraza që kishte ngulur thundrat si një gomar kryeneç. “Sepse gomari përsa gomar, është ... gomar”...tha. Nuk u tall. Thjesht koka ishte boshatisur nga mendimet. Dhe ato, si për një hakmarrje të vetvetishme - she wants revenge - e panë një sekondë të hutuara. Një sekondë të vetme. Kaq pak vlen? Pastaj njëra prej tyre, pyeti: “E si mund ta quajë?”. “Pika e fundit e shurrës.” U përgjigj vetëtimthi. Ato u përpoqën të dallojnë grimë shpotie në fytyrën e tij, në këqyrje shkarazi por Z argumentoi gjatë se pika e fundit e shurrës, te meshkujt deri në njëfarë moshe, bie mbi këpucë, ndërsa te pleqtë është ujvarë. E shikoni thelbin filozofik? “Jam i sigurt që nuk kuptuan gjë.” I tha vetes dhe u kthye sërish drejt, ndërsa ato, tashmë duke e ditur se përgjoheshin nuk folën më, pas pak u ngritën dhe ikën. Mundi t’i shikojë vetëm kur i kaluan përtej xhamit, ndërsa ai ishte ngujuar në lokal si një manekin. “Budallaçka!”. Tha me përbuzje. Gjë e tillë afërsisht! E pabesueshme. Si mund të katandiset njeriu kështu?!” I rikthehet mendimit të mëparshëm më shumë se njëmendësisë. Dëshira për të hokuar është mundësi e vetme ngushëllimi - e qeshur e hidhur - kur zhgënjimi tret çdo shpresë ngazëllimi mbi të cilin në të kaluarën përfytyrohet e ardhmja. “Zhdukemi nga realiteti vetëm nëse përngjashmohemi.”. Z shqiptoi butë dhe në pangjyrësi, gjë që kujton kore buke të futura në ujë për pak kohë, për tu squllur, para se të perzihen me mishin e grirë. Duket se qoftet janë pak a shumë humbje kuptimi. Sepse një kore e zbutur s’është më kore, sikurse një copë mishi e grirë s’është më i tillë. Dy të tjerët kryqëzuan shikimet. Ai, pohoi mundësinë entropike të pafundme që kanë për tu ndodhur njëherësh në të ardhme të tjera, por nuk perceptoi gjë. Të paktën përligji ndërhyrjen e Pjatës së Tretë. “Të paktën” përsëriti.