domenica 23 giugno 2013

                                                   


                                      Pikaso - Kitaristi plak

martedì 11 giugno 2013

R. Koçiu - Ligji...

Ligji duhet të jetë hartuar në atë mënyrë që të mundësojë të shkelurit, ndryshe nuk do të mësojmë kurrë shijen e lirisë.

lunedì 10 giugno 2013

...Zhgënjimi...




Tre ditë pas lindjes sime...nëna e pyeti mëndeshën: “Si është djali im?”. Dhe mëndesha iu përgjigj: “Është mirë zonjë. I dhashë të pijë tre herë ... s’kam parë kurrë një fëmijë kaq të vogël e kaq të gëzuar.”. Dhe unë i zemëruar thërrisja: “Nuk është e vërtetë mama...unë jam qenia më pak e lumtur!”.
Por nuk kuptoi as mamaja as edhe mëndesha sepse gjuha që flisja ishte ajo e botës nga vija.
...
Një ditë pas shtatë hënave, një fallxhor më pa dhe i tha nënës sime “Djali tënd ka për tu bërë burrë shteti i madh, do të udhëheqë mjaft njerëz.”. Por unë thirra: “Ky është një parashikim kallp sepse unë dua të bëhem muzikant!...”. Por edhe në atë moshë gjuha ime nuk kuptohej...Pas tridhjetë e tre vjetësh takoj te portat e tempullit fallxhorin, e ndërsa bisedonim më tha:: “Gjithmonë e kam ditur që do të bëhesh një muzikant i madh. E parashikova që kur ishe fëmijë.”.
Unë i besova, sepse edhe unë tashmë e kisha harruar gjuhën që flisja në botën nga kisha ardhur.

Kahlil Gibran – I marri.


Zhgënjimi

Po mendoja pasojat e zhgënjimit sikur ai të jetë në gjendje të prodhojë përvojë. Fatale. Them me bindje se jeta do të qe e pamundur të gjente rrugdalje sepse zhgënjimi do t'ia mbyllte të gjitha shtigjet nëse pranon se të ndihmon të gjykosh më drejt apo të çmosh e vlerësosh drejt një gjendje të ardhme që ende nuk është verifikuar. Në fakt çdo zhgënjim shprehet edhe si coptim. Një pamje e njollëzuar e njëmendësisë, kaq e coptuar sa nuk mund të krijohet ai degëzim aq i nevojshëm që e përqas pamjen e jetës me atë të një shatorri. Gjë që e kushtëzon pikërisht qëndrimi tënd i cili përdor si masë të vlerësimit diçka të përftuar nga një përvojë e mëparëshme. Zhgënjimi të paktën nuk ta afron vullnetarisht këtë mundësi, ai ta le ty në dorë dhe nëse nisesh nga parimi se çdo gjë që mund të ndodhë ndodh, atëhere do të thotë t'i gjykosh dy njerëz të ndryshëm me të njëjtën masë. Ajo që ndodh realisht është se i djegur nga i pari, paragjykon të dytin. Detyrimisht. Ndryshe i thonë i djegur nga qulli t’i frysh edhe kosit. Kosi nuk mund t’i mbledhë buzët i pezmuar e të ikë nga tasi apo pjata, por njeriu po.
Në të vërtetë kjo gjë hap një hendek të madh brenda qenies tënde. Përveçse anulon personalitetin e ndoshta i çon në shkrirje të gjitha veçoritë e individëve duke krijuar një masë të vetme, të qullët ose të butë, plastilinë, fillon e plazmon njeriun e dëshiruar larg atij që të afron realiteti (psh, një vajzë zhgënjehet gjithmonë ose është fatalisht e përcaktuar kështu nëse e përpunon modelin e burrit të ardhshëm mbi tiparet e një idhulli hollivudian. Idem edhe me djalin.). Janë pikërisht brenda qenies premisat e zhgënjimit, por është mjaft e vështirë t’i dallosh. Kjo ngaqë ato kanë vetinë të shndërohen në përfytyrim. I shpëtojnë kontrollit tënd dhe më keq i përdor si masë. Kështuqë, është mençuri që  zhgënjimin e pësuar ta mënjanosh dhe tjetrin që të del përpara ta shikosh si  tjetër. Kjo të ndihmon që të krijosh një marrdhënie të re dhe natyrisht emocione te reja - përjashto këtu veten tënde sepse një pjesmarrje e plotë e saj edhe sikur të mos shkaktojë të njëjtat pasoja ndikohet nga e dikurshmja për natyrë njerëzore, ndikim për fat të keq  shkatërrues. Aspak ndërtues. (kur them përjashto veten, nënkuptoj një korrigjim në sjelljen tënde, dmth të shikosh më shumë me sytë e realitetit sesa të imagjinatës). Kjo përvojë duhet të mbarojë sëbashku me qenien që e shkakton zhgënjimin, ndryshe priret të shndërohet në një matës mohës jo pohës. (negativ jo pozitiv). Natyrisht edhe reagimi i çdo njeriu është i ndryshëm ndaj zhgënjimit pas të cilit rëndom fshihet një person, dhe për të lehtësuar dhimbjet shpirtërore duhet kohë. Në këtë pikë ndodh çfarë nuk duhet. Koha shëron çdo gjë – e dimë. Çka harrojmë është se koha ka nevojë për kohë, jo ne. Mirëpo, një përjashtim i vetes ose një pjesmarrje jo e plotë, krijon kushte kundërshtie që i kërcënojnë marrdhëniet e reja për mungesë sinqeriteti dhe përgatit shembjen tjetër. Plotësisht e pranueshme. Nuk mund të ndërtosh lidhje me një kah. Sepse ndjenjat njerëzore e kanë të nevojëshme njëra tjetrën si Narçisi ujin përndryshe nuk do ta njohin vetveten. Ky bashkpunim është edhe ndërthurje, pleksje, kryqëzim, shartim, madje edhe përplasje sepse për natyrë kështu ato ushqejnë njëra tjetrën.

Në vargjet e një anonimi thuhet:

Brenda vetes mban çdo njëri prej nesh,
atë që kërkon qimen në përshesh,
vegimtarin, dashurorin, ekstremistin
 por dhe fëmijën e breshtë.
Jetë të gjatë atyre.

A mund t’i zbulosh të gjitha shpalosjet e ekzistencës dhe gjuhën që përdor secila prej tyre për të shmangur zhgënjimin? Jo.


martedì 23 aprile 2013

naivitet...

...te besosh ne nje dashuri te dyte, te trete e me rradhe, eshte njesoj si te skuqesh disa here patate ne te njejtin vaj.

                                               R. Koçiu

...diçka qe duhet shkaterruar...

Ligjet pohojne terthorazi dobesine e qenies njerezore.