sabato 24 novembre 2012

Paranojë pa metaforë...



I shikoj në FB. Nuk duhen tiparet. Të mbërthyer nga prangat e përditësisë, zhduken dallimet. Gjithsesi. Në përpëlitje për tu shkëputur nga mijëra fijet e padukëshme të kohës si në një endëz merimange e lidhin veten më shumë derisa mbeten brenda një fshikëze ku shuhen edhe pëshpërimat. Për tu dëgjuar sadopak, për të rënë në sy sadopak sillen si tre gjigandët e një rrëfenjëze Skandinavë që banonin larg njëri tjetrit, midis maleve. Pas mijëra vjetësh në heshtje, ndoshta gjumore, njëri prej tyre thotë: “Dëgjoj muitje lopësh!”. Pas treqind vjetësh, gjigandi i dytë përgjigjet: “E dëgjova edhe unë muitjen.”. Dhe pas treqind vjetësh të tjera, gjigandi i tretë i inatosur thotë: “Nëse vazhdoni të bisedoni, unë do të shkoj!”.


Nganjëherë ngjajnë me bimësinë që rritet buzë përrenjve, ose në ujra pellgjesh e që një ngricë e papritur, si vështrim i beftë Meduze, i shndëron në suaza akulli ku fijet e barit, kërcenj bimësh, ndonjë gonxhe luleje, gjethe të vetmuara, duken si kapilarë qenieje të ndëshkuar nga ajo frymë përkohshmërie vdekësore si përkujtim i diçkaje të ngjashme në kapërcyellin e dilemës: A do t’i përkasë të ardhmes? Një e ardhme e trishtuar thjesht nga frika se mund të jetë e ajkosur kështu, një shtresë resh gri, veshëse qielli dhe hamendësi. E vetmja mundësi. E ardhme e fosilizuar që pret një ekip antropologësh për ta çmuar.

mercoledì 21 novembre 2012

Solitary man. Pjese nga Kap I.

Në vend që t’i... përgjigjej
pyetjes që i drejtoi Pjata e Tretë.

“Kam vdekur?” pyeti veten Arian Z. Rëndom, në këto raste pickohet dora, por, përgjigja, si rrallëherë, mbrriti në parakohë dhe s’la blanë. Kishte parë kofshë grash më keq, me vraje mavi si liqenet finlandezë të vëzhguar nga Google Earth. “Jo?”. Ishte përgjigja. Mund t’i thartonte turinjtë, sepse, e shqiptuar me zë, pohimi prerës, është shembull klasik i një keqardhjeje të nënkuptuar. Një thelb që nuk e përjashton vdekjen përderisa edhe sëlargu, jeton nën ndikimin e mendimit se ke lindur parakohe dhe në një epokë shterpë ku e vetmja gjë që të afrohet është të imituarit. “Jo!” përsëriti aty për aty sikurse i ndodh mëngjeseve të ftohtë të dimrit kur ngrihet nga shtrati dhe vishet shpejt e shpejt për të ruajtur diçka prej ngrohtësisë së trupit. “Duhet të jetë një nga përkufizimet e shumta të saj.”. Këmbënguli kushedi pse. “Eufemizëm.”. Në këtë pikë të mëdyshjes mendoi se e humbi fillin e kohës, në çastin kur, i përkulur mbi tavolinë, sikur të qenë duke luajtur biliardo, picërroi sytë dhe me një ton të zvarritur shqiptoi:
“Jeta tonë është mbledhje aritmetike ditësh me shumën zero.”.
E thënë copë.
Pas pohimit, gishti tregues, vertikalisht, kërkoi t’i afronin çastin ifigjenik. Mollëza hoqi një vijë paralel sikur të kishte përpara një monitor touch screen (karamanjola) dhe një faqe wordi (tavë balte) që duhej vënë në një lëvizje rrethore për të këqyrur nga i njëjti vend. Tha se s’kishte ndërmend të harxhonte gjithë kohën. Gjithë kohën? Me çfarë? E shtjelloi mendimin duke i përqasur çastet me femrat. Disa joshëse tmerrësisht brenda përmasash kohore të pakapëshme nga shqisat dhe disa tmerr rëndomësie në një përherësi pranie. La të kuptojë se i nevojësohej lentimi i hapësirës. Bosh, hëpërhë, sa të kthehej nga Pjata e Tretë për t’i thënë:
“Është njësoj si të pyesësh një peshk të Adriatikut nëse i njeh fqinjët e tij të detit Jon.”. Fraza e sapo shqiptuar nuk synoi përgjigjen e pyetjes së drejtpërdrejtë. S’ishte qëllimi. Në fakt qe e pamundur. Kur ndihesh i tradhëtuar prej shikimit. “I tradhëtuar gjithmonë”, saktësoi me ton korigjimi. Thuhet vetëm kur tradhëtia rrjedh në linja mirë të përcaktuara, e shlizuar sikurse uji i shiut në ullukët e çative, pa shtruar vrarjemendje të llojit gota gjysëm bosh o gjysëm plot. Dreqi ta hajë, nëse ke etje edhe gjysma bën punë. Sasinë e kushtëzon përseja e përdorimit dhe nevoja, jo ena mbajtëse. Mendon. Mendoi? Në një shoqëri aurikolarësh tingëllon si blasfemi të menduarit. Pak e nga pak rradhët e atyre që sorollaten qytetit me kufjet ngjeshur në vrimat e veshëve po shtohen dhe kjo tregon se janë duke u shtuar ata që shndërohen në dëshmitarë dëgjimorë të përzgjedhjeve vetiake. “Zoti i bën, pastaj i çifton”, tha me vete. Ndonjëri, madje, kur shoqëron me zë të lartë këngën, duke ikur rrugës, stonon pa e kuptuar. Është nga të paktat gjëra që ka mbetur ende e pa cënuar. Ana qesharake e njeriut. Askush nuk e merr seriozisht. Bionjeri. Është ndikimi përçudnues. Marifet teknologjik më shumë se magji. Po mbështillen nga një fshikëz e padukëshme veçuese, jo përçuese. “Biokrimbëri”. Ja përse nuk mundi ta shqitë prej vetes shqetësimin. Ndoshta vagëllt duhej shqiptuar, gjithmonë në lidhje me njërin prej argumentave se, edhe në mungesën e arsyes mirëfilli, nuk i qahet halli kalorësit pse i varen këmbët. Mendoi por nuk shpresoi. Ndihej i turbullt dhe i befasuar, sikur të kishte gjetur në kuzhinë formulat e librit egjiptian të të vdekurve në vend të një mënyrori gatimi. Gjëja ndryshon parashikimet.
Specialiteti i ditës.:
“E proshkët:
Ngjallja e mumjes së shquar X.
(në vend të shujtës fasule me pastërma e nënmohuar.”).
“Ah! E proshkët mumja!? Hahaha!”.
Sepse tjetri. Tjetri është pikërisht Pjata e Tretë, qenie që s’ngopet së ngrëni fasule, e ndërpreu në një diku të rrëfimit. Mgjt, mbreslënia qe zelli i tepruar, në të cilin tjetri shembëlleu tjetër. Të jesh tjetri i tjetrit është panjohësi e shumfishuar vasaliteti. Rrallësi, si shfaqja e një komete jashtë cikleve kozmikë. Meqënëse është. Duhet përkufizuar pa humbur kohë. Fytyrë huazuar mosbesimit. Përtej kufijve të përkohshmërisë së hamendësuar, Z parandjeu tjetërsimin. Pjata e Tretë i anuluar?! “Qenie e marrë në përdorim! ...?... Dmth, ti je qenie e marrë në përdorim?! Ti, pa ndihmën e gishtit tregues për të venë pikën mbi i. Po kur pika është nën dhe jo mbi? Pikçuditësja e ndjekur besnikërisht nga pikpyetja, mjaftojnë si shembull?
Diçka brenda vetes, shtjellë ftohtësie, grahu drejt mohimit. Pikat posht ... Në lokal, ndërsa priste të vinin shokët, u argëtua duke dëgjuar një grup vajzash. Studente të letërsisë? Ndoshta. Flisnin për krijimtarinë. Njëra prej tyre tha se kishte mbetur e mbërthyer në vend qëkurse vuri pikën në fund të frazës. Nuk parasyshoi lëvizjen e brendëshme të frazës pa zhvillim të mëtejshëm midis fjalëve dhe se çdo përpjekje përhapte metastaza malinje e dhimbje të padurueshme. Është njëlloj përkufizimi i errët. Kështu, nuk po gjente mundësi ta kapërcente atë pikë. Ishte torturë si një vrimë ulçere në stomak ... (shqyqyr, tha me vete i kënaqur që ajo e ndryshoi diagnozën) E kini parasysh, kur aspirinat i gëlltit të patretura? Aty ku bien (tha ajo) ... aty ku bien ( përsëritën ato) ...aty ku bien (mendoi ai) ... I përsëriti ato tre fjalë disa herë me vete, para se të ndërhynte, aq herë sa të merrte afri me Shekspirin sepse i duhej leja e tij për të soditur më nga afër skenën e shtrigave. Pastaj u kthye nga ato duke iu drejtuar vajzës që kishte folur e kapur nga dëshpërimi se mund të shpëtojë prej ulokësisë lehtë, mjafton të mendojë titullin. Kështu paralajmërohej fraza që kishte ngulur thundrat si një gomar kryeneç. “Sepse gomari përsa gomar, është ... gomar”...tha. Nuk u tall. Thjesht koka ishte boshatisur nga mendimet. Dhe ato, si për një hakmarrje të vetvetishme - she wants revenge - e panë një sekondë të hutuara. Një sekondë të vetme. Kaq pak vlen? Pastaj njëra prej tyre, pyeti: “E si mund ta quajë?”. “Pika e fundit e shurrës.” U përgjigj vetëtimthi. Ato u përpoqën të dallojnë grimë shpotie në fytyrën e tij, në këqyrje shkarazi por Z argumentoi gjatë se pika e fundit e shurrës, te meshkujt deri në njëfarë moshe, bie mbi këpucë, ndërsa te pleqtë është ujvarë. E shikoni thelbin filozofik? “Jam i sigurt që nuk kuptuan gjë.” I tha vetes dhe u kthye sërish drejt, ndërsa ato, tashmë duke e ditur se përgjoheshin nuk folën më, pas pak u ngritën dhe ikën. Mundi t’i shikojë vetëm kur i kaluan përtej xhamit, ndërsa ai ishte ngujuar në lokal si një manekin.  “Budallaçka!”. Tha me përbuzje.  Gjë e tillë afërsisht! E pabesueshme. Si mund të katandiset njeriu kështu?!” I rikthehet mendimit të mëparshëm më shumë se njëmendësisë. Dëshira për të hokuar është mundësi e vetme ngushëllimi - e qeshur e hidhur - kur zhgënjimi tret çdo shpresë ngazëllimi mbi të cilin në të kaluarën përfytyrohet e ardhmja. “Zhdukemi nga realiteti vetëm nëse përngjashmohemi.”. Z shqiptoi butë dhe në pangjyrësi, gjë që kujton kore buke të futura në ujë për pak kohë, për tu squllur, para se të perzihen me mishin e grirë. Duket se qoftet janë pak a shumë humbje kuptimi. Sepse një kore e zbutur s’është më kore, sikurse një copë mishi e grirë s’është më i tillë. Dy të tjerët kryqëzuan shikimet. Ai, pohoi mundësinë entropike të pafundme që kanë për tu ndodhur njëherësh në të ardhme të tjera, por nuk perceptoi gjë. Të paktën përligji ndërhyrjen e Pjatës së Tretë. “Të paktën” përsëriti.  

giovedì 25 ottobre 2012

Dita e sotme shtatzene. Nje shtatzani e çuditeshme sepse nuk lind kurre nje qenie e vetme por pjese te saj qe japin pershtypjen e nje vazhdimesie pa fund. "Et tibi manga satis" (mjaft e madhe per ju) thote Virgjili, pikerisht, mjaft e madhe per ju sa te diskutoni per te e me te.

lunedì 22 ottobre 2012

Përse Kadare e ka të vështirë çmimin Nobël, pse jo të pamundur?



E kam fjalën per shkrimin e Artan Mullajt. Çfarë më bëri përshtypje ishin gjëmimet e tij që ngriheshin aq lart sa përfshinin thuajse gjithë popullin shqiptar. Në këtë rast them se është ai që mllefon kundër shqiptarëve edhe për faktin se më duket e habitëshme që shqiptarët të shfryjnë mllefin e tyre ndaj Kadaresë. Nuk e di nëse ka kaq “armiq kaq të betuar”, edhe sikur të pranojmë për të vërtetë diçka të tillë, padyshim janë të çarmatosur. Të paktën për të penguar dhënien e çmimit Nobel, do të thosha se kanë çelësat e kashtës. Përpos dashakeqësisë, Kadare hyri në listë. Pra kjo hedh posht mëtimet. Nëse dikush thotë se Kadarenë e propozuan të tjerët, atëhere këta dorëzanës, të huaj ndoshta? pse nuk e çuan punën e tyre deri në fund? Pra, kushdo që e ka inat, kushdo që nuk e do, dështoi. Është kumti i parë që Artan Mullaj dhe të tjerë nuk patën largpamësinë ta zbërthejnë apo bënë sikur nuk e kuptuan sepse u duhet një kokë turku për të prerë.                             
Kush e jep çmimin Nobël?
Përgjigja është afërmenç. Komisioni pranë Akademisë Suedeze të Stokholmit. Dhe jepet vetëm “për punime intelektuale që i përkasin një shtrirjeje të gjerë... si dhe atij që do të ketë bërë në literaturë diçka po aq të shquar në kuptimin ideal.”. Pra është tepër e kushtëzuar dhe domosdoshmërisht e respektuar. A mund të zbatohet? Më drejtpërdrejt; a dredhon kjo Akademi? Ndoshta. Ndoshta edhe gabon, ndoshta edhe nuk është e paanëshme, ndoshta ka pëlqimet e veta, ndoshta i hap shteg dikujt dhe ia mbyll një tjetri mbi bazë vlerësimesh vetiake ose rrethanash politike. Të interesuarit le t’i kërkojnë. Por nuk duhet mohuar se njëmijë arsyet mbijnë dhe pleksen vetëm rreth Akademisë e jo jashtë mureve të saj. Atëhere ç’kërkojnë këta kalemxhinj që nëpërkëmbin popullin dhe nuk i drejtohen Akademisë me kritika, be e rrufe? Ç’hyjnë shqiptarët këtu?
Historikisht ka mjaft fakte nga Bashkimi Sovjetik për të rrëzuar posht çdo mëtim injorantësh se mund të pengosh dhënien e çmimit Nobel me letra alla Jovan Breg. Realisht është një fyerje për Akademinë. Sikur këta fansa ta njihnin dhe interpretonin drejt, psh vetëm një pasazh nga Dimri i vetmisë së madhe, atëhere nuk do tu kishte kaluar pa u vënë re një fakt. Ai i dhënies së çmimit Nobel shkrimtarit Boris Pasternak. U organizuan protesta anë e kend BS kundër. Mgjt Akademia ia dha çmimin Pasternakut, ia dha Solzhenicinit, ia dha Shollohovit edhe pse BS ishte një superfuqi dhe nuk ishte e lehtë t’i dilje kundër. Nuk e penguan as protestat popullore të hapura, shkrimet e intelektualëve, manifestimet e studentëve, kolektivat e uzinave e fabrikave, kolkozianët etj. JO. Asnjë nuk u përfill. Atëhere, a nuk u shkon ndërmend pyetja: Kur nuk mundi BS të pengonte, BS një superfuqi, si mund ta bënin disa shqiptarë?

Çfarë e ndan Kadarenë nga shkrimtarët disidentë?
Të gjithë këta nobelistë kanë kritikuar në veprat e tyre hapur rregjimin e mëparshëm, pa marrë parasysh pasojat. Dhe vuajtën burgje e internime në kamp përqendrimi. Madje Solzhenicinit iu hoq edhe e drejta e botimit, përveç burgut edhe e drejta e autorësisë. Por ata vazhduan të shkruajnë e ta thonë të vërtetën edhe ilegalisht. “Arqipelagu gulag” i Solzhenicinit u botua jashtë ilegalisht. Po citoj diçka që e ka shkruajtur më 1974 disa orë para një arrestimi të rradhës.
"Nuk jemi thirrur për të zbritur në shesh, nuk jemi pjekur ende për të kumtuar me zë të lartë të vërtetën, për të thirrur çfarë mendojmë. Nuk janë gjëra për ne, na trembin. Por ama nuk pranojmë të themi atë që nuk e mendojmë”
Krahasojeni me letrën dërguar Nexhmije Hoxhës nga Kadare.
Kaq do të mjaftonte për të mos ngritur në rang akuza të shëmtuara. Por kjo vlen për njerëz me arsye, jo për fansa. Pikërisht fansa. Fansat e Kadarese. Nuk janë admirues të thjeshtë, lexues që u pëlqen të shfletojnë literaturën e tij, janë pikërisht fansa. Veprojnë si të tillë. (Fan – fans vjen nga fanatik. Mund të jetë si një i vetëm ashtu edhe turmë. I bashkon verbëria. Priren drejt një ideje apo personi, me një ngazëllim të jashtzakonshëm, e njëherësh tregohen të padurueshëm (intolerantë) ndaj kujtdo që ka mendim ndryshe. Rëndom përfundon në dhunë e si e tillë duhet kuptuar edhe ajo e fjalës.) Shembull i qartë është shkrimi i Artan Mullajt që akuzon individë, grup individësh pse jo gjithë shqiptarët, si shkaktarë që Kadare nuk e merr çmimin Nobel. Nënkuptimi. Akademia do, s’duan shqiptarët. Ndryshe i thonë: I zoti e shet, tellalli (shqiptarët) s’e jep.  
Kjo akuzë gjithpërfshirëse është kur ai u përmend shqiptarëve se dikur, në kohën e monizmit, e kanë lexuar të gjithë. E vërtetë, por në kohën e monizmit ama, kur çfarë të afrohej ishte çfarë të afrohej dhe jo çfarë kishe dëshirë ti të lexoje. Pas ndryshimeve të sistemit, shqiptarët patën një vizion 360 gradë, në rreth, pra nuk ishin më të detyruar të lexonin Kadarenë apo Agollin, apo iksin e ipsilonin. Apo tu drejtohej rrugëve klandestine sikundër bënte autori i këtij shkrimi me dy shokë të tij. Tashmë u njohën me një literaturë të shumllojëshme që dilte nga caqet e realizmit socialist. Pasoja? Do të fironin patjetër lexuesit sepse pasioni i tyre u shpërngul në autorë e zhanre të reja jo vetëm për kërshëri por edhe pse e gjetën veten aty këtu. Kjo është bukuria e artit dhe letërsisë.


Kadare, ishte oportunist dhe bashkpuntor.

Lëvizte midis këtyre dy qendrimeve. Herë ashtu dhe herë kështu, kush t’i siguronte më shumë përfitim. Gabimi më i madh i tij ishte kur mendoi se i ishin mohuar meritat dhe asnjëherë nuk i shkoi mendja te e kundërta, që i ishin njohur më shumë nga sa i takonin. Mbi bazën e këtij mbivlerësimi vetiak, duke gjetur edhe sedërpërkëdhelës, përpunoi idenë e çmimit Nobël. Por pengesë ishte karriera e tij si shkrimtar, e filluar dhe e arritur në pikat më të larta të saj, pikërisht në sistemin e mëparshëm me të cilin ai nuk mund t’i lante duart si Pont Pilati. Pengesë kjo e pakapërcyeshme. Mund vetëm t’i vihej rrotull. Gjë që në vetvete është përçmuese. Kadare i shndërroi edhe kritikat më të vogla si një domethënie e kundërvënies ndaj regjimit. Mjafton të lexosh veprat e tij, të botuara, për të fshirë çdo dyshim. Mjafton të lexosh pohimet e tij në letra dërguar “lart” ndër to ajo drejtuar Nexhmije Hoxhës ku thekson se atë e bëri shkrimtar PPSh dhe socializmi se pa to nuk do të ishte gjë. Mjafton të kujtojmë që ishte kandidat i KQ të Partisë dhe gëzonte privilegje që për të tjerët ishin ëndra me syhapur. Të gjitha këto janë një e vërtetë që nuk mbulohet kaq lehtë për të mos thënë kurrë.
Ndonjë mendimi naiv se ç’të bënte, të futej në burg? Unë nuk mund të them gjë: Zgjedhjet i bëri Kadare dhe pasojat janë këto. Nuk mund t’i mohojë e duhet t’i pranojë për hir të sëvërtetës. E këto zgjedhje gjithmonë ishin oportuniste edhe pse rrallëherë pati nevojë sepse gjithmonë vepra e tij ishte ajo e një bashkpunëtori dhe ndihej krenar. Përse nuk e mban krenarinë?