domenica 22 maggio 2011

E vjella sartriane.


“Bota…kjo gjë e madhe dhe absurde. S’mund të pyetej prej nga vinte, gjithë kjo, as edhe se si ishte një gjë në vend të asgjë. S’kishte kuptim, bota ishte e pranishme nga të gjitha anët, para, mbrapa. Nuk kishte pasur asgjë para saj. Asgjë. S’ka patur një çast në të cilin ajo do të kishte mundur të mos ekzistonte… Të zbulosh që bota s’ka kuptim, që është e kotë, nxit të vjellët”.

Dy shkarravina mjaftojnë për një karikaturë. Vështrimi është bosh sikurse shpirti, mendja sikurse hapësira midis një kornize.

(Më duket sikur i përkas një lloji tjetër. Dalin nga zyrat, pas pune, shikojnë shtëpitë, sheshet të vetkënaqur, mendojnë se është qyteti i tyre, një qytet i bukur borgjezësh...Imbeçilët. Më pështiroset. Kur mendoj që kam për të parë fytyrat e tyre...)


(pasazhe nga “E përziera”.)


(E përziera nuk është te unë: e ndiej atje posht mbi mur, mbi krahëza, gjithandej rreth meje.  Ngjizet te një kafe, jam unë brenda saj…E tashmë e di: unë jam, bota është dhe unë e di që bota është. Ja, e tëra. Por nuk më tundon. E çuditëshme se si e gjitha është moskokëçarje për mua: është diçka që më kall frikë)

sabato 21 maggio 2011

Quid...

Quid...turbullirë.

Biseda. (fjalë lavrake) Pasojë e një pasioni të grryer, porozitet sfungjeri që vjell pa e shtrydhur, i mjaftueshëm si hiri që kujton zjarrin, e ndërkohë, në rrethina përfoljesh ndonjë ...
Vrasje (Quod! - mosqoftë) e ndodhur diku, ze vend padashur. Në dëshirë.
Ndërkohë gazetat...I lexoni? Më habitni, nuk e kuptoni? Që. Janë hukatje e frymës së ngrohtë mbi pasqyrë. Përkohësi e shitur si përherësi. Namatisje. Më pas vizatojnë mbi sipërfaqen e lëmuar të pasqyrës kurmin e ndonjë shenjtori pasi kanë rrëmuar si Tarja në pyetësorë të pluhurosur dhe ty nuk të mbetet gjë tjetër veç sa herë që shikohesh në pasqyrë edhe kur i hedh vetes një shikim tërthorrazi të ngatërrosh me shenjtorin. Keshtu ti dhe modeli tënd bëheni një. (Berisha dhe Shkodranët) Rroftë Jamato! Avullveshëse. Vetvete e mashtruar. Mendon se mund të kuptosh domethënien e pasthënies pa lexuar përmbajtjen. Rri përpara pasqyrës ku vetja tënde shenjtor ose shenjtori vetja tënde dhe duke buzëqeshur lehtë thua: “Di çfarë mendon ... qerrata"... dhe buzëqesh. E ke parë këtë buzëqeshje te kandidati për kryetar bashkie që dikur nuk të linte të shikoje në drejtim të shtëpisë së tij; fytyra e Arkangjelit, e ëngjëllit më të bukur...e kryeëngjëllit që u rrëzua, e ke parë te avokati, te shitësi dhe ngjethesh, ndërsa kur e shikon te xhelati gëzohesh. E ke pritur kaq kohë. Sjell prehjen. Buzëqeshja është shprehje qetësie. Gazetat pikërisht. Na sigurojnë qetësinë e duhur (atë që afroi edhe Sali Protopapa në vijë të drejtë me Sali Berishën. Fatlidhje.) “Një hukatje tjetër të lutem! Faleminderit. Isha duke parë çfarë  nuk shfaqet në pasqyrë, atë që ngërthen me kthetra përfytyrimin duke e lënë në paqartësi dhe po rrëshqisja dalngadalë drejt humnerës. Pastaj mu kujtua Madame De Sevinjè që më 27 janar 1687 shkruante se sikur në moshën njëzetvjeçare të shikonim fytyrën që do të kemi gjashtëdhjet vjeç...do të kemi frikë nga ajo fytyrë. Më shpëtove” ... Është rrëfimi. Lexoni gazetat – nekrologji e gazetarisë. Varreza të vetvetes. Më shpesh karikatura. Qindra o ndoshta mijëra artikuj në ditë tregojnë se si nuk duhet shkruajtur. Fjalë të shpërdoruara. Vrasin artikujshkruesit. (Armand Shllakun dhe të tjerë zvarranikë) Sepse artikujt e njohin mirë atë që i shkruan dhe në shumicë njohin shpirtin tregëtar të tyre, pohojnë se ata nuk shkruajnë atë që duhet, më shpesh, shesin mendime, ndaj edhe midis artikullshkruesit nuk nderet kurrë një hapësirë kënaqësie e mirkuptimi, e përbashkët përveç atij shtrëngimi që krijon një fjalë e përbërë: Artikull – shkrues. Kalemxhi. Murator. Baltues. Tingëllon si një zanat i ri. E shikoni dallimin?
Për qeveritarët dhe politikanët, vrasja është rëndomësi e ditës. E injoruar. Sa kohë që ndonjë prej tyre nuk fluturon me ...eksploziv në by ... thuhet me presh në... por tingëllon tepër groteske. Dua të them paradoksale. Komizëm, cinizëm, dramë dhe ironi. Sa më shumë vrasje e vetvrasje të rinjsh, aq më shumë...Jo. Askush nuk kërkon një përse ngaqë politikanët shqiptarë kanë bërë një marrëveshje të heshtur: Më mirë mbushim statistika në një anonimitet burokratik se sa të marrin përsipër autorësinë dhe meritat si shkrues tragjedish. Agorà. Ndërkohë. Askush nuk analizon ngaqë faqeve të gazetave nuk u intereson nëse duhet të plotësojnë procesin e metamorfozës.

domenica 10 aprile 2011

dje...(vet) - vranë Obllomovin?! ... joooo!

D, kur dëgjoi lajmin nuk e besoi. Megjithatë ende pa gdhirë rendi te gazetashitësi posht shtëpisë. Nuk kishte fotografi të tjera veç të zakontave; vipave, ose duke përdorur një shtrembërim tallës të Obllomovit: ‘Të viçave’. Titulli zinte pak rreshta në fund të faqes së parë, aty ku zakonisht shkruhej për kronikën e zezë. Gërmat ishin mikroskopike. Asgjë nga përmbajtja e rëndomtë. Dy riga posht tij i lanë përshtypjen e besdisë përderisa shkronjat qendronin padëshirë në atë renditje të shtrënguar; në fjalë, fjali e fraza, sëfundi në rreshta, ngjanin mjaft me rekrutët kokëqethur të pamësuar me rradhën. Sidoqoftë pakënaqësia e tij rritej në përpjestim të zhdrejtë me ankthin. E lexoi dhe rilexoi, nga e majta në të djathtë, pastaj në të kundërt, sëfundi kinezçe, arabisht, derisa çfarë mbeti nga ato dy riga ishte njëlloj murge, lëngu i errët që del nga shtypja e ullinjve. Asgjë! Tërësia e turbullt ia shtoi mosbesimin dhe nga ana tjetër zbuloi që s’ka ndërsjelltësi në marrdhëniet midis çfarë dëgjon e lexon dhe sa beson. Është njëlloj lingërie shpëtimtare. Në fakt, mendoi se për të qenë i çiltër, mendja duhej plogështuar shumë si një frut i mbrydhur. Pastaj të kërkonte një strehë diku midis për të shijuar pak nga të gjitha ishte lojë çiliminjsh. Qe e pamundur edhe pse njeriu joshet më shumë prej vesit: Domethënë të jetë lojtar, gjykatës e shikues. Në ngjashmërinë e të shëllërurit mbi një rrasë shkëmbi, strukej e vërteta sepse në pandierësinë e rënies së përgjumjes mbi kapakë sysh shpresoi të gjente gjendjen e kllapisë dhe diku në hapësirën e saj edhe vetë Obllomovin. Idea dështoi nga çasti kur u mishërua në seks dhe grahu drejt masturbimit. Një puthje duke futur gjuhën brenda gojës përçon pasi ka prekur të dy buzët. Franceze. E puthura. Kur ia tha Obllomovit ditë më parë, ai rrudhi buzët në shenjë mosaprovimi. Nuk qe duhuri e puthura, sipas tij... “mjafton të zgjedhësh femrën e duhur”, - pëshpëriti sikur të qe duke numëruar grahmat pa u merakosur për përmbajtjen; domethënë një shpjegim të nënkuptuar të kënaqësisë lakuriq larg buzëve dhe frymës së kushtëzuar nga karia. “Ku ta gjesh një të dashur të tillë?!”. Kundërshtoi D. Ngriti një vërejtje më këmbë duke përdorur qesëndinë si themel ndërkohë që nervozizmin e la për në fund. “Mos dashuro sepse kështu do të kërkosh të puthësh, gjej një femër, - këshilloi, - jo të dashur... - veçoi, - si unë, - shtoi pas një pushimi të shkurtër, - femra që më ndjek është tip centauri”, - pohoi  papritur. Zëri i plogët theksoi parëndësinë e një qenësie antropologjike tjetërsoj. Njëherësh zvogëloi edhe pasojat shkatërruese që mund të përfytyroheshin; gjysmë njeri dhe gjysmë kalë, por meqënëse ishte femër atëhere dy gjysmat qenë vajzë e pelë. D e pa hutueshëm. Sëfundi Obllomovi lëshoi një buzëqeshje falas kaq të ngjashme me frutat e motësuara. Mendoi se një gjest të tillë njeriu e bën për t’i dhënë vlerë diçkaje për të cilën nuk rropatet kurrë. Por ishte i bindur se ashtu sikurse një qenie paranormale edhe mikut të tij diçka i kishte kushtuar. Sikur të qe një skenë filmi, tjetrit do t’i kishte rrjedhur gjak nga hundët derisa t’i binte alivan. Nuk qe falas... mendoi dhe e shpërfilli vetveten në hallakatje sepse shndërimi i vështrimit në këqyrje në mos i jepte fund dyshimit të paktën e ndihmonte. Sidoqoftë dukej sikur thoshte: “Oh, mos më lodh sëkoti. Bëj durim, tashmë vjen dhe do ta shikosh.”. Ishte pak a shumë e kundërta e përshtypjes. Pastaj duke treguar një unazë sipër tavolinës, tha: “Çoje te muri posht dritares, vendose pikërisht në rrëzë, - porositi - dhe ulu” - bëri shenjë. Vështrimi i tij sëfundi u boshatis nga përmasat e kolltukut kur D e pushtoi duke u fundosur në butësi. Pas pak ra një heshtje tepër e thellë, mostjetër ata kishin fundëruar në apati. Pak çaste mjaftuan për ta gërmadhuar gjendjen. Një e fërshëllimë e lehtë përkoi me pezmin nervor të pritjes. D do ta kishte pranuar sikur të qe vapëherë dhe ai në një luadh diku përtej një korije drurrallë, insekte dhe dihatje, por jo aty në një dhomë. Vetëm duke hapuar në ritmet e frymëmarrjes së Obllomovit kuptoi që dilte nga njëra vrimë e hundës. Me sa duket në kanalet e saj kishte mbetur ndonjë kakëz gjysmë e thatë që e pengonte ajrin të hynte e dilte pa ndalë. Në një fjalor kishte lexuar se fjala ‘skandal’ ishte me origjinë greke përkthehej ‘pa pengesë’, vetëtimthi i shkoi mendja se pa pengesë në gjuhën e tij thuhej edhe :‘Ska ndalë’. Do ta kishte ndarë me shokun gëzimin e këtij zbulimi por e fshehu diku nën buzën e poshtme sikundër bën dikush që shikon një monedhë por i ve këmbën sipër dhe pret që vështrimet e të tjerëve të shpërqendrohen për ta marrë. Nuk ndihej i qetë dhe kaq herë u mat t’i thotë: Fute atë dreq gishti tregues në vrimë për ta pastruar atë gjënë bajate! Lëvizi kaq herë vendit sikur posht të ndenjurave të kishin mbirë gjemba. I ra në sy edhe Obllomovit që pyeti nëse ndihej rehat dhe D u përgjigj me gjysmë zëri po... nëse... “Nëse?...”. “Erdhi,” - tha D i lehtësuar që nuk do të jepte një shpjegim. Në korridor u dëgjua një trokitje takash e fortë dhe e prerë, aq sa dukej sikur qe ling njëthundraku. Nuk kishte një jehonë boshllëku ndërmjet sikundër ndodh përshembull midis gjëmimit dhe vetëtimës, gjë që ndihmon të përcaktosh largësinë me saktësi. “Është ajo” - pëshpëriti Obllomovi dhe e shtriqi trupin në divanin tre vendesh ku rrinte gjithmonë gjysmështrirë si për të mos lënë asnjë gisht hapësirë bosh. Brenda u dha një femër që luhatej midis tridhjetë e tridhjetë e pesë viteve, më shumë trupgjatë se e bëshme, ndërsa miset ishin vërtet sa për sy e faqe, diçka e samtë, dhe D shfrytëzoi rastin për tu hakmarrë sepse e përqasi pak a shumë me një sallatë të lyrosur me vaj soje që kohët e fundit kishte filluar ta përdorte për të ulur kolesterolin. Megjithatë trupi i linte në hije të gjitha mbresat e tjera. Minifundin dukej sikur e kishte veshur enkas për të hedhur posht thënien se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra. Lejonte të dukej aq sa mjaftonte për të përdorur pa merak fjalën ‘shalë’ në vend të këmbë. Në këtë rast për D u bë e pamundur të gjente ndonjë shprehje tjetër për ta rrënuar me kënaqësi, megjithëse mbiemrat ‘shalëgjatë e shalëngjitur’ feksën një çast në tru sepse duke vështruar përvijimin e linjave deri sipër, tha me vete se s’mund të klasifikonte pa e njohur ende. Ajo, përshëndeti me kokë jo aq për të ngjyrosur me gri  mosvënien re të D, kotësi joshqetësuese, se sa skicimin e një parabole në parathënien e të cilës njihte te vetja mungesën e bukurisë por pa e pranuar. “Ja e tërë gjendja”, mendoi D i kënaqur në shpjegim. “E dashur, - tha befas Obllomovi, - të lutem merre pak atë unazën atje rrëzë murit...”. Tjetra, me dy hapa u ndodh te vendi dhe në përkuljen e saj të ngeshme, zbuloi një palë vithe të jashtzakonëshme. Tunduese. Tmerrësisht joshëse. Ajo femër nuk kishte nevojë për tipare. Duke parë edhe njëherë kalimthi vithet e saj e vetmja dëshirë ishte ta shalonte. D u kthye nga Obllomovi dhe në mirkuptimin e një buzëqeshjeje të qetë i tmerruar vuri re se miku i tij kishte pritur kaq kohë që një kumtëri ndjenjash, e fjalësh shoqëruese e përshkruese ta përmblidhte në një çast të vetëm e në një veprim të origjinal, përkuljen, për t’i dhënë goditjen përfundimtare. Rrënoi një pafundësi gjendjesh. E pa me admirim.



mercoledì 30 marzo 2011

“Dashuri e zhvleftësuar”

Ai tha:
- Ajo iku në ditët e para të vitit. E ke parasysh uljen e çmimeve që bëhet në dimër, uljen e parë? Doli nga shtëpia duke thënë se po dal të bëj shooping dhe nuk u kthye më.

“Gruaja e lumtur!?”.

Kishte pasur muzikë në ajrin e thithur dhe ajo nuk gjeti kurrë fjalë për t'i zhytur në atë mirëz melodie?
Ishte një çast dobësie apo poshtërsie?
Dhe kur ai e pyeti: - Përse qan? - duke i vënë dorën lëndimthi mbi sup, ajo ia largoi me një anim paksa të trupit. Ishte një gjest i pakapshëm për vështrimin, thuajse një lëvizje e kockave nën lëkurë por i mjaftueshëm për të rrëzuar një pikëz uji të rënë rastësisht mbi lakuriqësi. Ngjethësirë. Për një çast desh t'ia kapte dorën dhe t'ia shtrëngonte sikurse bënin sa herë që e shprehnin dashurinë për njëri tjetrin pa joshur tepricë fjalësh në thurrimën e ndjenjave, por hoqi dorë ngaqë e kuptoi se çasti tashmë bënte pjesë në kronologjinë e një të ardhmeje tjetër ku ai nuk qe i pranishëm.

* * *

- Kjo është lumturi, - pëshpërin pa e fshehur zilinë për shoqen. E kishte dëgjuar tregimin e tjetrës duke u munduar herë pas here ta fuste veten në atë ngjarje. E zhvendoste figurën e tjetrës dhe vendoste veten. Veprimi i parë kryhej lehtë gjë që e gëzonte, pastaj kërkoi të bënte edhe një ndryshim tjetër por hasi në pengesë; ta lëvizte burrin e tjetrës dhe të vendoste të sajin; qe e pamundur. Dukej si një rrëfim i shkruajtur në një faqe PDF. “E pamundur ta mënjanonte burrin e shoqes e të vendoste burrin e saj.”. Përsëriti mendimin si për të bindur dikë tjetër brenda vetes duke dashur ta përgjysmojë dëshpërimin. Në fakt kur e kuptoi se nuk ishte një moment dyzimi, pranoi se bëhej fjalë për të qetësuar veten nga mendime të paudha. Pas kësaj orvajtjeje të kotë dilte nga skenari dhe rikthehej te rrëfimi i shoqes. Kështuqë kur e përkufizoi rrëfimin si një shfaqje lumturie, nuk bëri gjë tjetër veç i mbylli kllapat. Ishte njëlloj hipokrizie që mbeti e pa kumtuar.
Shoqja tha se kur u kthye nga masteri, burri e priti në aeroport. Pastaj si zakonisht në makinë ndonjë shtrëngim dore, ndonjë shkëmbim i rrallë fjale dhe natyrisht më pak vështrime. Ajo e gjykoi thjesht një përkujdesje për të mos u zhytur në parakohën e ndonjë trallisjeje të rrezikëshme. Edhe pse frazën e shqiptoi në profil si për ta bërë më të rrëqitëshme domethënien ajo vazhdoi në përshkrim: Do të ndalte makinën, - tha - dhe duke u futur në ndonjë rrugë qorre apo ndonjë rrugë fshati, do të lëshohej si një egërsirë mbi prenë e vet ndërsa unë ç'mund të bëja tjetër veç të dorëzohesha e kënaqur në kthetrat e tij pas kaq kohe larg njëri tjetrit por edhe... ngaqë...
- Drenusha ... - i çuçuriti njëherë... - e le veten të vdesë sepse vetëm atë çast provon shijen e lotëve ...
Mendoi se do ta çonte te shtëpia me qera. Por jo...e çoi te një shtëpi tjetër dhe para derës, ajo vështroi e hutuar, po dridhej pa kuptuar...vërshonin ndjenja të ndryshme madje edhe parandjenja, sëfundi u mbyt, mbeti pa frymë kur ai u fut i pari dhe me një reverancë elegante e ftoi atë brenda.
- Kujdes shkel me këmbën e djathtë! - vërejti. Oh, patjetër, e dinte kaq gjë. Ajo hodhi hapin e parë ndërkohë që ai i tha: - Është shtëpia tonë, foleja tonë...E bleva.
- Oh ç’befasi! Lotët filluan të rrjedhin të nxehtë nuk dija çfarë të bëja nga lumturia... Më fal...e teprova.
- Asgjë, është e natyrëshme, - mërmërit duke i kapur dorën shoqes.
- Kjo është lumturi... - shqipton tjetra me një zë puhizë.
- Kjo është lumturi, - përsërit ndërsa kujton ngjarjen.

* * *

Me Z, burrin e shoqes takohet pas dy javësh. Rastësisht. Pas pyetjeve të rastit ai e fton në shtëpi.
- Jemi dy hapa larg, - thotë. - Eja, - ngulmon me një gjest që nuk lejon kundërshtim dhe fjalë të shqiptuara në përshpejtim për të shmangur çdo keqkuptim. Pranon heshtur. Patjetër brenda do të gjejë shoqen dhe përfytyroi paraprimë kohën që do të kalonin sëbashku. “Ndonjë orë, - i tha vetes, - në llafazanërira të rëndomta por që do të puqeshin kaq mirë me mërzinë e shiut.”.
- Ku është? - pyet purpur në fytyrë sapo gjendet brenda.
Buzëqeshja në fytyrën e tij humbet si një përhitje mëngjesi.
- Kjo është shtëpia që kisha me qera, - thotë. - E mbaj për njerëz shumë të çmuar... si ty... - pëshpërit duke iu afruar aq sa thuajse ndien frymën e tij në fytyrë... - Drenusha...
- E di, - thotë ajo pa e larguar, me një ton nënshtrimi, - e le veten të vdesë sepse vetëm atë çast provon shijen e lotëve...
Duart e tij ishin ngatërruar midis kofshëve dhe po ngjiteshin lart deri te mbathjet. Ishin të gjitha veprime që i la qëllimisht sepse duhej të mbrrinte në atë pikë kur duhej të vendoste.

* * *

- Nëse kjo është lumturi, - thotë, - më mirë që nuk e di...
Burri i saj e dëgjon por mbyllet brenda heshtjes dhe ajo për herë të parë pyet veten se sa kohë kanë që pllaquriten në kalfëtirë.
             “Oh, nuk shkoi me burrin e shoqes për t'i treguar se nuk kishte as një grimë lumturie në jetën e saj, përkundrazi, ishte fatkeqe... Jo, cmira nuk hynte fare..."

* * *
Dashuri e mjeruar.”.

Remo Koçiu - Të drejtat janë të autorit.