lunedì 28 settembre 2015

Remo Koçiu "Dritare në humnerë" Streaming 1



Frush. Mërmërimë. Tingujt shkëputen nga laringu dhe synojnë rënien në tundje majtas djathtas. “Fryn erë,” i thotë vetes në tonet e një korigjimi të mundshëm sepse gjethet shtyhen të gjitha në të njëjtin drejtim dhe çdo majë peme kryen një rreth të vogël në rrethinat e një rrafshi, lloj orbite, do të shtonte, por, e krahasuar me lëkundjen e kokës së të dehurit, zbulon pse vjell.
Gjithçka tjetër kllapohet nga rravgimi, sikundër maçoku i fqinjës. Djali i saj dëfrehet duke ia lidhur bishtin pas qafës dhe kafsha e mjerë rrotullohet rreth vetes pa fund. 

“Mirë që s’ka tru,” mërmëriti herën e parë në oborr, kur ndaloi edhe ai për të soditur e për tu argëtuar, sëbashku me turmën, me lojën e maçokut të gënjyer, sikundër tha dikush sepse...e kujton bishtin e tij si mi, ndërsa për R ishte tjetër gjë. U ngjeth dhe kjo e bindi për të sajtën herë që ajo skenë, për shumicën zbavitëse, përcillte diçka tjetër, më shumë se një iluzion, sepse në një blitz përfytyrimi, njësoj si para një  pasqyre çudibërëse, u shfaq një pamje tjetër e fytyrës së tij. U tmerrua dhe hapat e parë i bëri kuturu, derisa gjeti drejtimin e duhur. U kujtua se qe duke u kthyer në shtëpi.

“Keq ku ke tru,” përsëriti pak më parë, kur, për të lenë përshtypje ndryshe, u çua nga shtrati me hov, por iu soll dhoma rrotull. Nuk di nëse asaj i ra në sy. “Kanë mbetur shumë pak gjëra me tru,” flet duke baritur në siudhën me fije sintetike ku janë stampuar lule.
“Me tru ka shumë por me arsye, ka pasur përherë e përherë vetëm një qenie,” thekson ajo. “Njeriu. Përse?” pyet me një mirësjellje që zhduk një pjesë të bisedës së hamendësuar duke e  quajtur tërthorazi kotësi.
“Nuk e di. Dikur qe më e thjeshtë. Sepse te e fundit, për jetën gjykojmë dhe se historia nuk është gjë tjetër veç modele jete që i ndërtojmë dhe i prishim duke shfaqur thelbin fëminor apo primitiv, parak, quaje si të duash," pohon indiferent. "Dikur. Në orare të caktuara qyteti i ngjante një deti ku batica dhe zbatica qe rregullsi, në orët e para të mëngjesit, shumica e njerzve zbarkonte në rrugë, shkonin në punë, pastaj qyteti fashitej. Lëvizjet ngjanin me puhitë apo dallgët që ngriheshin për forcë zakoni. Mbasdite vonë, fillonte zbatica, ktheheshin nga puna. Ndërmjetësia sërish qe pasojë e njohur. Sot, qyteti është përmbytur. S’ka një matës niveli: nyelli, gjuri apo gryka. Sot, është faqe e enjtur nga një prajë dhëmballe. Ёshtë një jetë pa skaje, përveç një zbehtësire pa ngjyrë që nuk të krijon mundësi gjykimi, sikurse purpuri në perëndim.”

(E di? kur ishim studentë mallkonim: Të zëntë dhëmballa në kohë provimesh?! 
Kam përshtypjen se e kam lexuar diku, thotë ajo. 
Ashtu? 
Sytë e tij mbushen me trishtim. Ky lloj pohimi, në thelb qortim dhe keqardhje bashkë, ngre një dyshim të madh mbi jetën e tij, njëherësh, hedh edhe një hije të rëndë mbi atë vetë duke e varur në çengelin e një pikpyetjeje, shkurt, i cënon edhe ekzistencën, por tashmë ndihet si kalimtari i kapur befas nga një rrebesh shiu në rrugë dhe i duhet të qulloset derisa të gjejë një strehë.
Gjysmë shekulli s’paska qenë i mjaftueshëm për t’i treguar kësaj vajze njëzet e kusur vjet, diçka të re?
Dikush që e ka emrin si ty, shton ajo, si ty, poooor ... 
Kuptova. 
Joooo! S'kisha asnjë qëllim të keq.
Përsa dorzanisë, për R është futja e një thike në një plagë të herëshme, sikundër një rrymë ajri e ftohtë që përshkon mushkritë, përmend bronket e rëna në letargji, dhe i shkund ato në një kollë frymëmarrëse. Edhe ajo thikë fillon ta grryejë me egërsi derisa. Kështu bën edhe në ato raste, kur llastika në qafën e çorapeve e shtrëngon fort. Minuta të tëra të kruajturi derisa thonjtë, pasi kanë prekur lëkurën me ashpërsi, fillojnë ta fshikin për të mos e acaruar më.) ...

Ajo hesht. “Ndoshta s’më kuptoi,” mendon, gjithsesi e gjykon si një çlirim prej një angazhimi vetiu, për të qenë i lidhur me të çdo sekondë. Kështu, e gjen më zbavitëse lojën e shqisave që ndryshojnë perceptim. 

Muret anës rrugës, epen si gomë e shkrirë, R i mungon fryma e akullt, ngurtësuese, kazani me ujë të ftohtë ku kovaçit zhyt copën e hekurit të skuqur paq nga rrahja, për ta kundruar më pas çka sajuar, edhe ai duhet ta fiksojë përfytyrimin, për të krijuar një pikmbështetje të fortë për kalimtarët e rastit që të mos fundosen sikur shkelin torfë, apo mbi një sustë të vjetëruar, ndoshta të shpërdoruar, si e fqinjit. Gërmëret aq shumë sa ai, i besdisur kaq herë, në një prej ditëve çfardo, vendosi t’i japë fund.
“Jam i bindur që bën seks,” i tha gruas. Pikasje. Sepse njëherësh dëgjohej edhe një ngërthim klithmash e pasthirmash, e ndoshta do të kishte vrarë veten sikur mendimi pasues, rëndom, vlerësuesi, të kishte pluskuar në sipërfaqe në formën e një habije. Ndoshta.
“E pastaj?” tha ajo moskokçarëse. Në çastin që R u mat ta godasë murin me grusht, por krahu i mbeti në ajër sepse ajo kundërshtoi, madje këmbënguli kaq shumë sa e habiti. “Nuk është puna tonë... ndoshta, s’është punë për ne, dhe njeriu priret ta anulojë diçka të tillë nga realiteti,” tha por këtë rradhë në frazën e saj nënkuptimi rroi në shumllojshmëri hidre. Fillimisht e mori si një dëshirë për dashuri dhe zgjati dorën për ta ledhatuar, por ajo u shmang.
"U pre një kokë por dolën dy," i tha vetes ndërkohë u përqëndrua për të dëgjuar, shpjegimet dhe arsyen e keqkuptimit sepse ajo pohoi akoma më parë se diçka e tillë ndodh kur s'është në gjendje ta pranojë. Pra, ai, nuk e pati mendjen? Frazë shkatërruese. 
“S’është faji i tij por i arkitektit dhe ndërtuesit, kursejnë duke i bërë muret maestro aq të hollë sa edhe dihatja më e lehtë i përçon.”
Mbeti keq, sepse ajo ishte gruaja e tij. Ndoshta u tregua e mençur sepse arriti brenda një pulitje sysh të përfshijë fraza të ndryshme, të shpalosë emocione e ndjenja, e njëherësh të tejbartet duke i ndrydhur sërish brenda qenies e pastaj të buzëqeshë si dikush që i shpëton rrezikut duke kapërcyer një hendek përtej të cilit ndjekësi s'mund. Pra, ajo kënaqej dhe ushqente fantazinë e saj, ndërkohë ai përfytyroi një goditje të beftë, shtypëse, sikurse bën me mizat pensionisti që shëlleret në diell, në ballkon, i veshur me pantallona të shkurtra, kërcinjtë e tij, tashmë të tharë si karthje dushku, do tu mjaftojë një përshkënditje që të shkrumbohen. R vuri re se nuk e ndante vrarësen e mizave nga dora. Herë herë godiste lehtë, me një lëvizje gati mekanike, këllqet e tij.Gjest gjerarkësh.
“R, nesër prishet koha,” thotë ai me një zë disi të ngjirur.
“Ashtu? Pse? Të dhembin kocat?”
“Jo. Mizat pickojnë,” ia kthen tjetri në picërrim sysh.
“Ndaj i vret?”
“Jo, i vras sepse janë miza.”
Fillimisht, dialogu iu duk i mërzitshëm në përsëritjet e veta, aq sa për shpoti e përfytyronte si një pllakë gramafoni të vjetër, gjilpëra i ndiqte vijat por mblidhte pluhur në majën e saj, kjo, i kujtonte lokomotivat e filmave në vendet e ftohta me atë buzën metalike të shpërvjelë si të viçit, përpara, që e shtyn dëborën në të dy anët, ndërsa treni rrëshqet mbi binarë, s'ndodh e njëjta gjë me majën e gjilpërës së gramafonit, ngec si këmbësori në një rrugë të pashtruar në ditë me shi, "si sot" mendon, edhe pse qëmton, sërish balta i ngjyen këpucët anëve duke lënë përshtypjen e mustaqeve që përshkojnë në gjithë gjatësinë paksa sipër nofullave ... Orient Ekspres ... ha ha... qetësohen kur mbrijnë rrëzë veshëve. Vonë e kuptoi se çdo gjë lidhej me ecurinë e politikës. I pëlqen ai plak dhe alegoria e tij edhe pse ende sot e kësaj dite nuk e di se kë përfaqësojnë mizat, ata - turmën, apo politikën. Nuk guxon ta pyesë, por e gjykon në thelbin e mendimit të plakut zgjidhjen rrënjësore.
“Ёshtë çfarë na duhet, zgjidhja e njëherë e mirës,” i thotë vetes i pushtuar nga dëshira për t’i fshirë disa përmasa të jetës.

Në tërësi krijohet një gravurë e rëndë prej allçie, pesha e të cilës zbutet nga ngjyrat e theksuara që fshehin vlerën e dyshimtë. Shiten me shumicë nëpër dyqanet e dhuratave artistike. Kundërshtia i enemizon mendjen, pohon shpeshtësinë dhe përfshin thuajse të gjitha shkallët e jetës së tyre. Vërdalloset një përqindje e lartë zvetënimi që ka molepsur qenien njerëzore dhe ai ndihet fajtor. Ndoshta historia e tij kishte mbaruar kohë më parë, ndodh edhe kështu. Shumë para se mërmërima e tij, thuajse adhuruese, për fqinjin: Ku e gjen fuqinë?!të cilën kujtoi se e kishte mbytur, në fakt ajo qe ngjitur pas laringut, gëlbazë e një kolle të vjetër, pjellë edhe ajo e  një pleviti akoma më të vjetër.

I dehuri, i vetmi që nuk ngec në atë rrjetë fijesh të padukëshme të një arkitekture të ndërlikuar mendimesh njohëse, ku figura të përkohëshme, tashmë fanepsje, treten, sikurse kandrat e prangosura në një butësi mashtruese, ndoshta si mëtuesit e Penelopës, peng i ahengut. Nga vrimat e hundës shfryn duhma alkooli. Prej marrjegojës tingujt zvarriten, fillimisht të pakuptueshëm pastaj si një makinë e prishur për fat në zbritje, i mjafton e shtyra për të vazhduar udhëtimin, R përqendrohet, ndoshta duhet ta ngjitë veshin pas xhamit, kështu bëlbëzimat kalojnë drejtpërdrejt e te kërmilli që bën përzgjedhjen, ndërkohë dëgjon shkoqur vargjet e një kënge të njohur sarhoshësh:
Nëma thikën të pres mollën
Jorgjica, Jorgjica,
se përndryshe do pres dorën
Jorgjica Jorgjica...
Në djall! Sikur të presësh kokën ndoshta do të jetë më mirë! Pastaj Diçka mërmërit. Ndoshta pyet: Pse më vërdalloset koka? Shembull zgjuarsie dhe marrëzie, njëherësh. I marrë, sepse kërkon mbështetje paralele, i mençur, sepse pyet dhe fjala vërdallos, tashmë e ka përfshirë në mënyrë dialektike sikurse lulet mishngrënëse kandrën që joshet nga ngjyrat.


R.Koçiu
Të drejtat janë të autorit.

sabato 19 settembre 2015

Dritare në humnerë (Tregim) Streaming

Dritare në humnerë
(Tregim)
Streaming
“Mesiguri, janë numra llotarie,” mendon, por, habitet me lehtësinë e të shqiptuarit, me të njëjtën lehtësi, thekson, thuajse e trashëguar personazhesh, kështu shqiptoi edhe një frazë të dikurshme: “Ne jetojmë sipër, miku im, jetojmë sipër” ...
Shkëputet një çast prej saj, ndoshta është thjesht shkak i trilluar i një shtrëngese ende të mjegulluar, që domosdon shpjegim, por, në ngjashmërinë e njëlloj vonese, “stre ... a ... ming,” ndan në rrokje për ta bërë më të dukëshme; rrjedha spermatozoide nuk u përputh me reagimin: klithma e përmbajtur e kënaqësisë kulmore, fijezimi i muskujve të nofullave dhe tërheqja sikurse lidhëset e këpucëve, por ... “njeriu i ndjek ngjashmëritë edhe për prirje, hëm, më shpesh e braktis idenë fillestare sepse e mendon si diçka që mund t’i kthehet në çdo kohë. Ka diçka të ngjashme me një femër të nënshtruar,” thotë, “për fat të keq,” shton dhe hesht një copë herë sepse ato katër fjalë njërrokshe, janë tepër të tronditura, ndodh kur nuk dinë cilës përmbajtje t’i drejtohen, ndërsa ai, si i kujtuar nga diçka, hov dhe shkon te dritarja duke i lëshuar këmbët lakuriq mbi një siudhë që duket si një tra i lëshuar në humnerë. “Por? The por.” ... natyrisht, lidhësat i shtrëngon, por, jo aq sa të mbyllin krejt qafën, e pengon sa për ta shndëruar vërshimin e ajrit që mbush hojet e mushkrive, në dihatje, ujë i pirë me ngut, khë khë... kollë mbytëse ... paskësaj, rrjedha e gjakut ngjitet në tru, përfytyro një qiell me tullumbace, ndal një hop; përshtypja e dy duarve që zenë fytin, i ndan rolet, por, lenë gjithsesi një hapësirë bosh, shmanget ngushtimi i enëve të gjakut, si një kthesë rruge e zgjeruar pikërisht në brryl, për t’i krijuar mundësi ec e jakut ... Besdisëse? Pooo?! Ajo duhet të pohojë, pa fjalë, thjesht duke tundur kokën, jo me atë lëvizje, shembëlltyrë e shkundjes së vitheve të një sekretareje zyre. Te e fundit, gjithë sa i ndodh kur kryen marrdhënie seksuale rishfaqet copa copa, si mbetjet e një anijeje që godet një ngrehinë të nënujshme koralesh ose ndoshta, si përplasja e derës së harruar hapur, lojë e erës, ndaj s’mund ta përjetojë në vetdije enzimash të shterpëzuara që nuk molepsin.
Jashtë.
Ajo tashmë barit në rrugën e të heshturave.
Pemët prekin buzën e sipërme të pjerrësisë, si qime mustaqesh të parrojtura, në dimër, bryma përfiton dhe lëshon grimcat e saj në çdo fije, si një insekt larvat, por në vjeshtë qullosen dhe drita e vranët, pasi përthyhet në lagështi, struket në këpujëza uji që kur zmadhohen duken si kupola të tejdukëshme të ngritura nga shpërngulësit në një planet të ri.
“Ah!” klith, ja përse tha ne jetojmë sipër sepse është një mundësi braktisjeje, ndërsa peshqit gëzojnë shëndet të plotë pikërisht ngaqë jetojnë në një akuarium planetar... Kur shikimi rikthehet, i kthjelluar, gjen sërish pemë, të ngjeshura dhe drita e mugut, që fillimisht synoi të pështjellojë mbretërinë e errësirës, tashmë është pllanguar. Trungjet ngrihen si silhueta të ngurtësuara në çastin e çakërdisjes, ndërsa kurorët lëkunden nga era nën ritmin e një muzike që ndryshon lloj befas dhe kërcimtarët duhet të shkelin këmbët e njëri tjetrit derisa të sërishen në rrjedhë. Duken të trembura, mendon i pushtuar nga ëndja, thuajse nanurisje dhe mbyll sytë një çast për ta fshikur në një pandehmë, ose është thjesht fryt i fantazisë së tij, dhe drurët kanë lëvore të ashpër si luspa apo si një lëkurë e prekur nga psoriazi, ndërsa halat, tashmë, janë pafundësi organesh mashkullorë që shurriten në shi në garën e quajtur: Kush e hedh më larg! “Duken të trembura,” përsërit. Ndoshta është përpjekje për t’iu larguar një përndjekjeje të nëndheshme, por, kur era në marrëzinë e saj i ka shkundur shatorrët e pemëve, gjethet pushojnë fërgëllimën dhe pikat e shiut zbutin zhgënjimin e pësuar, si lotët një shami, atëhere e kuptojnë se kanë rrëshqitur te pjerrësia përfund të cilës fillon rruga, të detyruara.
Ndoshta s’është shpjeguar.
Në mbrëmje, kur heq çorapet, pikërisht llastika në grykë, ka krijuar një të thelluar dhe fryrje të mishit në dy anët e saj. Pak më lart se noçka. U besdise? (Thua se fjalët qelben erë djersë, ah, përderisa ... S’kuptoj. Tingëllon e përsëritur, the? mundet. Fjala lind asnjëanëse, dhunti që e mban në jetë sepse e ndihmon të marrë kuptime të ndryshme ... sidomos në shoqërinë e përfytyrimit, ... Sërish kjo keqardhje e mallkuar! Përshembull, e thelluara dhe dy fryrjet anëve, përpiqet të vizatojë me duart që i takon kurriz më kurriz, thoi i gishtit të madh prek simetrinë e tij dhe hapen në një hark duke numëruar gradët si kaubojsat hapat, kur tentojnë të mbyllen në anën e kundërt, përballë, plogështohet sepse është njësoj si të tërheqësh një mëngë të shkurtër; noçka mbetet zbuluar ... është kthyer nga ajo? tregon me gisht fundbarkun e saj ... te e fundit, të kujtojnë kanionet e Kolorados ...) Pastaj fillon një kruarje deri në dhimbje e qetësuar me ujë të ftohtë që e lëshon me presion, ulur buzë vaskës.
“Ke vaske me hidromasazh?” pyet ajo nga diku mbrapa shpinës së tij, përtej të cilës përmasat treten në gjysmërrësirë, por ai s’ka mbaruar ende. Hukat mbi xham dhe skicon mullaqe disi i pakënaqur sepse ngjajnë si dy gjysma molle, e jo vetëm, por, si gjysma mollësh të ndryshme. Kthehet.
“Jo,” përgjigjet thatë dhe prerë si një shkulm ajri që përshkon hapësirën pa u shpërbërë derisa përplasja e derës pas shpatullave kumton një lamtumirë pa shpirt.
“Streaming,” thotë si për të përligjur diçka që ende s’ka ndodhur, ndryshe nga sa shpresoi, nuk e nxit kurreshtjen e saj, kujtoi se. Ndoshta u fye, ose ndoshta e kuptoi se qe thjesht përsëritje fjale, por, këtë rradhë sikurse tha ai, ende bosh, s’ka huazuar asnjë brendi dhe pret në rradhën e shpërbërë, zhgënjim i të papunit, megjithatë, R thotë se i kujton fëmijërinë kur vinte rrotull nëpër dhomë duke mërmëritur me ton të njëjtë e monoton:
“Rrodhe rrodhe, kokorrodhe gjema plaçkën që ma vodhe.” ...
“E gjeje?”
Në timbrin e saj dallon padurim dhe ankth, të pakapshëm nga shqisa e dëgjimit, sikurse ultratingujt, por të perceptuar vetiu, tërësi e ndjenjës së prirur për tu shndëruar në parandjenjë. Kumbues. Ndihet keq. I vjen për të vjellë. Përse kthimi mbrapa ... përse?
“Sikur ta gjeja, ti s’do të ishe shtrirë aty, lakuriq dhe shalët që lëvizin si gjymtyrët e brumbullit Zamza para shpirtdhënies,” shqipton mëdyshas, ndoshta ajo nuk e di kush është brumbulli Zamza, e sikur ta pyesë kush është Kafka? ajo do t’i bjerë me gishtin tregues kokës. Ndal një hop dhe kthehet sërish nga dritarja, fshin me pëllëmbë xhamin, pastaj lagështinë që merr dora, pas kofshës, përtej pyllit, në faqen e hamendësuar kodrës, deri sa të ha syri, paksa nën retë ngjyrë plumbi, omonimi? aty ku dikur, ata, studentë të arkitekturës, mbollën fidanë pemësh, sot ngrihen pa numër ndërtesa, të çrregullta si dhëmbët kataroshë të një sharrë gjigande. “Ja përse,” mendon, “ja përse trembja e pemëve,” largohet paksa, vetëm një hap mbrapa, pa ia ndarë sytë xhamit ku pamja që shfaqet përciptas i përket hapësirës së dhomës. Çfarë ndodh brenda ku çdo gjë pasqyrohet zbehtë, në kontraste bardhe zi të zbërdhylur, si skelet i një fantazme të vjetër që i kujton një pllakë gramafoni të harruar por që bëlbëzon, flashkësi tingujsh, brishtësi zanoresh, fëshfërimë e sapo shpluhurosjes?
Ti nuk do të jesh i mundur derisa pylli i Birmanit të vijë drejt teje ... Nuk është Makbethi, s’është as Shekspiri, është një fanepsje. R, nuk di ç’mund të ndodhë nëse bën edhe një hap të dytë mbrapa, por as dëshiron të dijë.
Remo Koçiu
Të drejtat janë të autorit.

venerdì 19 giugno 2015

Jetë e fyer



I ulur në kolltuk, shfaqet diçka tjetër, që pret të sendëzohet, e ndajafërt me degët e hajthme të shelgut. Varen mbi ujë, gjymtyrë pafuqi, kocka skërfyell. Skërfitin sipërfaqen. Lëpijnë ...oh... (Ana e urren seksin oral. Nuk e shprehu me fjalë, por stepja e saj, ishte domethënëse. Kur ai ndoqi lakuriqësinë e trupit posht, ajo ia mbërtheu kokën në morsën e pëllëmbëve dhe ia tërhoqi lart. Ishte shumë më tepër se një domethënie. Vështrimi sy më sy, anuloi dëshirën e tij për seks. Duhej të qe zbehur por ajo nuk i la kohë hulumtimit, sepse tha:
“Nuk më pëlqejnë jargët aty ...”.
“Aty? Jargët? Oh, për Zotin, Ana!”... u tërhoq mbrapsh, si vagonat rezervë të trenit që duhen futur në linja qorre, i mjaftoi ta ulë me dorë njërën nga kofshët e saj, shina e devijuar dhe u plandos mbi shtrat. Pastaj u kllapua nga dëshira për ironi dhe filloi të recitojë:
Kur lëpin o të lëpijnë
I tund vithet në një mënyrë
Patjetër, jo shembëlltyrë
E femrës së përkorë, për Zotin, dhe e ke mirë!
“E kujt është, sepse ju kini një dell poetik?” pyeti ajo me ironi.
“Vargje nga Paul Verlaine,” mërmëriti ftohtë.
E tëra për një fjalë të mallkuar dhe pse dyshimi e gjurmon. Ёshtë fjala e mallkuar apo shpjegimi i tij disi i çuditshëm, ndoshta i guximshëm? (togfjalëshi ‘i guximshëm,’ shpesh zëvendëson atë ‘i marrë,’ i tha babai dikur. Me ç’rast? Tashmë s’mund të marrë një përgjigje. Babai është i zënë me udhëtimin e tij. Përgatit bagazhin e kujtimeve me ngut dhe ankth, si një jetëmarrës kur e nxjerrin befas prej saj. Duhet të dalë në pak kohë. Dihet kaq. Kështuqë,  i fut sa më thellë në shpirt sepse janë gjëja më e vyer e jetës dhe përtej të ndaluara pikërisht.) Ndoshta instiktiv, e kënaq sepse lidhet me profesionin e psikologut, por i vesh edhe një ngjyrë vërtetësie.  
Atë ditë, për lodhje ose për të treguar stil amerikan, u ul në kolltuk dhe këmbët i mbështeti mbi tavolinë, ajo shfryu e pakënaqur. Pastaj mori një leckë dhe e shkoi lehtë lehtë mbi sipërfaqen e lëmuar, aq sa ai i tha se i kujton shumë gjëra por mbi të gjitha një fjalë. Dhe se, ka një shpjegim të çuditshëm, ose është mbresë e brendëshme por, mesiguri e lënë nga një vazhdimësi zakon, si njerëz të yshtur prej një bestytnie, mundet për bërje qejfi, ose akoma më thjesht, për bashkim me turmën, prekin dorën e një statuje duke uruar mbarësi. Nga kjo prekje e përditëshme ajo dorë shkëlqen. Kështu ndodh edhe me mbresën. Kështu ndodh... përsëriti duke e shuajtur zërin pak e nga pak si një tren që zhduket në tunel, vagon pas vagoni. Nuk i kujtohet të ketë vendosur një shenjë pikësimi, por pak rëndësi ka në një vagëllimë. Ndërsa ajo ngriti kokën dhe e tërhequr, ose bëri sikur, nga rrëfimi i tij, e pyeti se cila është ajo fjalë, lëpirja?
“Po.”
“E mora me mend,” pasoi ajo thuajse me vete, gjë që ia vështirësoi atij të ndajë fjalët nga tonet e ironisë. “Megjithatë po digjem prej kërshërisë,” shtoi.
“Meqë e nisa,” thotë D. “Meqë e nisa,” Përsëritja duket si një fërkim duarsh në dimër, për t’i ngrohur dhe gjallëruar gishtrinjtë, sepse edhe dëshira vaket ndërsa shkëmben nxehtësinë me idetë, rëndom të ftohta. Përmend diçka si ligji i dytë i termodinamikës por me zë tepër të ulët, qëllimisht. Zbuloi një budallallëk më shumë, nga ata që mashtrojnë përsa kohë ekzistojnë si mendim. Angullimë në errësirë. Trembëse. Mandej, shikon një maçok të zi që del nga errësira dhe pa u ndjerë i pret rrugën. Ai step një hop, pastaj tall veten. “Lëpin, dua të them se është një fjalë e përbërë, kompozitë e quan gjuhësia, ajo përtyp një “e di, dhe se nuk është injorante,” por D tashmë nuk ndalon. “Lë    pij  “ shqipton dhe fut midis një sasi kohe me të madhe nga e nevojëshmja. “Dua të them, lë diçka nga e pira, pirja dhe ne e quajmë jargë jo pështymë.” Hesht befas sepse zhbëhet papritur gjithë madhësia dhe se përshtypja e tij qe tepër e tejkaluar. “Ndoshta dëshiron të dëgjosh ndonjë varg tjetër nga e njëjta poezi,” e këput heshtjen në një pikë diku, pak më lart se nyja që i ishte bërë në grykë. Ajo mohon me kokë, por D bën sikur nuk e pikasi.


Gjuha tënde në gojë si shigjetë.
Kur puthemi aq gjatë
E me zjarrmi të pamatë.
Më arrin, mut, në gojë drejtpërdrejt”...

Ishte hakmarrja e tij. Hahahaaaaa... homerike. E qeshura.