“Ke
etje për ujë?”, pyet Obllomovi pasi dëgjon ligjeratën e D për vapën e
pazakontë të kësaj vere në Tiranë të
rënduar nga pluhuri dhe tymrat e makinave. “Po.”, përgjigjet thatë. “Dhe e kërkon prej meje?”.
“Natyrisht, je i zoti i shtëpisë.”. Tjetri lëshon një buzëqeshje të
vakët, pastaj shfryn lehtë ajrin dhe D mundohet të kuptojë nëse i
lëvizin qimet e hundës. “Prej kohësh punoj vetëm unë në këtë
vend.", fillon të flasë dhe D mundohet të
kuptojë se ç’lidhje ka me etjen e tij.
"Natyrisht, tingëllon pak e çuditëshme si thënie ...”, pastaj
rrotullon vështrimin ngadalë në një orbitë sa më të gjatë dhe e ngul mbi
të, por, për pak sekonda. Tjetri, dikur i kishte thënë se njerzit janë
të marrë, e prishin jetën duke lexuar apo duke parë një panoramë, një
pikturë, në mijëra marifete të kota...sepse, miku im, kur unë lexoj një
libër do të thotë që të humbas kohë me faqet e tij dhe koha është jetë.
Të gjitha këto kërkojnë kohë, pra, jetë. A ia vlen ta prishësh jetën për
kënaqësi të tilla?”. Pyet e si rëndom nuk kërkon përgjigje dhe D merr fyrmë i
lehtësuar. Nëse Obllomovi do ta çojë në fund mendimin, është vetëm
çështje kohe, por një kohë e sajuar me dashurinë e atij që ledhaton
gjinjtë e të dashurës…nuk i
dihet asnjëherë kur mbaron. "Si ia bën.”, pyet, “dmth si ia bën për t’i kaluar
dorën të dashurës në gjinj, nëse e shalon nga mbrapa?”. “Nuk është e
nevojëshme, i varen sikur të jenë dy kapakë xhepash…të kujtohet moda
dikur, kur xhepat e prapëm mbuloheshin me kapakë?”, përgjigjet tjetri
fytyrëngrysur dhe thuajse i zemëruar sepse ia shkurtuan kohëpërtesën.
(Për D, ai ndryshim në fytyrë i Obllomovit, është çudi. Ёshtë e vetmja
pamundësi. Mund të lëvizë nga vendi disa milimetra, por prapë lëvizje
është. Por të ndryshohej pamja me të cilën fytyra e tij ngrihet prej
gjumit, jo. E pamundur. Si një sonambul shkon te pasqyra dhe sodit gjatë
veten duke u munduar të kuptojë se ku kishte qenë, sa kishte bredhur, e
çfarë kishte bërë gjatë ëndrave. Kur mbaronte së treguar, thoshte: Ja
përse ndihem i lodhur zgjuar.”. Jo! Matet të ulurijë D. Në një dritë të
beftë kupton se ka një shpjegim tjetër. Obllomovi ngulet te pasqyra dhe
sodit veten për një kohë të gjatë sepse kështu sekondat dhe minutat ia
dhuron po vetes. Dreq! I çmendur.)
“Është mjaft e thjeshtë të
provoj që në këtë vend punoj vetëm unë.”, rikthehet në bisedë.
“Llogaritim. Jemi tre milion e gjysëm. Mbi një milion janë emigrantë.
Rreth gjashtëqind e pesëdhjetë mijë janë nxënës e studentë, gati ose
diçka më shumë, janë pensionistë, hiq ushtrinë, zbrit nga ky numër të
burgosurit e të ngujuarit, evgjitët dhe kurbetët, mos i llogarit sepse
s’kanë punuar asnjëherë në jetën e tyre, hiq edhe të papunët që janë
rreth pesëdhjetpërqind e popullsisë, hiq zyrtarët dhe sekretaret e tyre
putana, zbrit nga ky numër edhe 140 deputetët, hiq qeveritarët që lodhen
duke numëruar paratë e vjedhura dhe kryeministrin që lëviz në një kullë
shtatëqindmilionëshe… Lëshon një pasthirmë të mbytur si zhytje e një
sendi të rëndë në një pellg të thellë. Pas kësaj, D e di që duhet të
presë një kohë të gjatë, ndaj për të egledisur merret me boshllëkun që
shtrihet para tij, nisur nga mobiljet, muret e gjithçka sa kap syri.
Pasi i mbush me fantazinë e tij, vëren që Obllomovi kishte rifilluar të
fliste, pa u ndjerë si një makinë që ia heqin frenat e dorës në zbritje…
“Duhet të dëgjosh, unë nuk kam aq kohë sa ta shpenzoj me ty, ia kam
lënë mungesës së vullnetit, limontisë, gjithë sa ka çmesë për mua…”,
vëren i pakënaqur dhe kjo është çudia e dytë. “Më fal”, kërkon ndjesë
D. “Ku e lamë?” “Pra, siç e shikon duke i përjashtuar të gjithë
shqiptarët, mbetemi vetëm unë dhe ti, por meqënëse ti je ulur në
kolltukun përballë e po dëgjon llomotitjet e mia, atëhere punoj vetëm
unë.”. “Atëhere do më japësh një gotë ujë.”, thotë D që i ngjiten fjalët
në gojë. “Më vjen keq, jam në kohën e pushimit. Lodhem në ëndra dhe çlodhem zgjuar.
”.
domenica 1 settembre 2013
martedì 27 agosto 2013
Utopia dhe socializmi.
Socializmi ra pre e paragjykimit
të vet jo fillestar, por të fituar, sepse si një sistem i bazuar mbi utopinë
ngaqë fliste për një shoqëri pa shtypje e shfrytëzim të njeriut prej njeriut,
për barazi, me pak fjalë, afron perspektivën e një shoqërie të lumtur. Në
parim, s’mund të thuhet kurrë se diçka e tillë është e gabuar. Nga ana tjetër,
askush nuk mund të dijë se kur mbaron ndërtimi i kësaj shoqërie mbi këto ideale.
Kështuqë, asnjë individ i një shoqërie të tillë nuk është përgjegjës. As edhe
partia politike që e përvetësoi. Një përvojë e panjohur duhet pranuar me
dështimet e saj dhe pasojat e këqia që dalin rrugës. Këto janë të gjitha të
hamendësuara si potenciale(kapacitet). Vetëm pas dështimit mund të bëhet një
analizë e thellë për të parë si dhe pse ky qëllim u paragjykua. Ndodh pak a
shumë si me një program kompiuteri që futja e një virusi në një çast çfardo e
devijon nga qëllimi fillestar. Më të shumtat e gjasave ndodhi gjatë ecurisë,
por nuk dimë nëse qe një afërmenç, dmth cilësi, apo thjesht pasojë gabimi. Efekt
flutur, nëse do t’i referohemi teorisë së kaosit. Praktika s’kishte afruar
asnjë model përfundimtar. As utopitë e Sen Simonit, as edhe eksperimentet
utopike në SHBA nuk dhanë përfundimin e dëshiruar, por njëherësh kjo nuk çoi në
dëshpërim. Kështuqë përpjekjet e të realizuarit “me çdo kusht” mbartën pësimin
vetiu sikundër, psh, ideja e vdekjes që te një drupunues ka vlerën dhe mishërohet
te arkivoli kur e ndërton, me të njëjtin pasion e përkushtim si edhe ndaj çdo
sendi tjetër duke e përcjellë natyrshëm dhe në parakohë konceptin e vdekjes
ende pa vdekur. Por kjo nuk është lëndore për të akuzuar marangozin si shkaktar
i vdekjes. Ёshtë pikërisht çfarë u harrua, sepse ky detaj i hollë ruante baraspeshën:
Asnjë punishtar arkivolesh nuk bën arkivolin duke menduar se një ditë, në
njërin prej tyre, do të shtrihet edhe ai. Njeriut nuk i është dhënë mundësia që
të përjetojë vdekjen e tij aq më shumë të përfytyrojë përmasat e saj nisur nga
vetvetja. Veç të tjerash. Përfshirja e masës në një lëvizje të tillë që synon
krijimin e një shoqërie më të mirë, është e drejtë, e thjeshtë, joshëse dhe po
aq nxitëse. Ja përse bie më shpejt viktimë e vetvetes se sa e mashtrimit që nuk
ekziston në qëllim. Masa e ndjek një diktaturë ngaqë kjo e fundit paraqitet si
regjim demokratik, si pushtet i popullit. Totalitarizmi është dëshirë për të
unifikuar shtetin me shoqërinë. Kështu hamendësohej një e tashme pa të këqia, madje
për ta shpëtuar prej të këqiave u prenë lidhjet me të kaluarën. Në këtë mënyrë
utopia bëri një e nga një hapat drejt humnerës sepse u izolua dhe shterpëzua.
Shterpëzimi i një sistemi politik dallohet nga pamundësia e tij për të
realizuar të tashmen në një rëndomësi të përditshme që duhet të shërbejë si
hallkë për të nesërmen. Të ëndëruarit e një shoqërie të lumtur, që i përkiste
të ardhmes traumatizoi realitetin, ngaqë ky i fundit e gjen vetveten të
mishëruar në arritje fizike, vlera të tilla ose të kësaj natyre. Kur shteti
totalitar e kuptoi se nuk mund të plotësonte kërkesat, nuk i mbetej gjë tjetër
veç të forconte vetveten sepse ndihej i kërcënuar nga dështimi i utopisë së
parashtruar në mënyrën e vet e jo pse ishte pjellë e saj. Kjo e shtyn drejt
krijimit të armiqve edhe kur ata nuk ekzistojnë. Madje, diktatura e majtë në
dallim nga e djathta i kërkon armiqtë brenda vetes. (lufta e klasave) Për këtë
ajo ndjek me vëmendje ndryshimin dhe reagimin e njeriut përballë çfarë i afron
duke u shndëruar në një provokim, ndërkohë diktatura e djathtë e gjen të keqen
jashtë vendit dhe shndëron në mish për top masat duke mbajtur në tension
(ndehur) atë pikë që njeriu s’mund ta mohojë por as edhe ta ndryshojë, si është
ai që është. Psh, kombësinë e kërcënuar. Prejardhjen. Të dyja, si diktatura e
majtë ashtu edhe e djathta janë më afër përsosmërisë se çdo shoqëri demokratike
sepse, sikundër e thashë më sipër synon t’i integrojë. Nëse për këtë fenomen
ontologjik përdorim entropinë, atëhere është e qartë se duke mos pasur lëvizje,
edhe entropia është e vogël. Për të kuptuar se ç’është entropia duhet të marr
një shembull të rëndomtë. Psh, përzierja e kafesë me qumësht. Përsa kohë janë
të ndarë, entropia është afër zeros, por, kur i bashkojmë dhe me një lugë i
trazojmë, atëhere kemi një përzierje nga e cila nuk kthehemi dot mbrapa. Nuk
mund të kemi më qumështin nga njëra anë dhe kafenë nga tjetra. Kjo do të thotë
se sa më shumë të rritet rrëmujimi (përzierja) aq më shumë rritet edhe
entropia. Atëhere një shoqëri e cila synon të mbrrijë te përsosmëria është si
gjendja e kafesë dhe qumështit veç e veç, ndërkohë një shoqëri e interesuar
të ndryshojë, atëhere i përzjen këto lëndë të para dhe i trazon aq shumë sa parasyshon
pamundësinë e kthimit mbrapa, por
ndërkohë kemi dalë te një gjendje e re e cila në një ndërkohë tjetër do të
mbrrijë një pikë ekulibri (baraspeshë), të palëvizëshme. Gjendja e sotme e kapitalizmit. Shoqëria
që e kupton këtë gjë, është e lumtur sepse do të kërkojë edhe rrugët për të
dalë nga ndalesa dhe do të kërkojë të rritë entropinë duke shkaktuar një
gjendje rrëmujimi ose konfuzionale tjetër me elementë të rinj. Pyetja që
ngrihet është: A mund të arnohet deri në atë pikë sa trupi të quhet i veshur?
Kurrsesi. Me andra mund të mbulohesh. Asnjëherë nuk ka kthim mbrapa. Është
njësoj si të bësh rrushin nga vera. Diktatura krijon ose mundohet të krijojë
një masë të ndërgjegjëshme për të ndjekur idealin dhe shpenzimet i paguan
individi, ndërkohë demokracia formale hyjnizon individin dhe masën e shndëron
në turmë pa kokë. Në këtë pikë duke e kapur fillin nga fundi, demokracia krijon
tiraninë që shtyp individin.
lunedì 22 luglio 2013
lunedì 8 luglio 2013
Liria ne barrikada - Delakrua.
venerdì 5 luglio 2013
Remo Koçiu: Shtrati i Prokustit dhe përfytyrimi artistik vetiak. (Idhull dhe Zvetënim)
Nëse
kërkohet roli i femrës në letërsi dhe arte, si subjekt dhe objekt, si personazh
dhe krijuese, gjendet pikërisht në hapësirën e shtrirë midis dy limiteve; të adhurimit,
si personazh dhe zvetënimit, si autore. E zhytur në ujrat e ndenjura të kënetës
së Stigjes, trupi i femrës ndodhet në habitatin e saj natyral, luhatet mbi valë
përngjethëse dhe përkundet e mpirë më shumë se e dehur nga avujt e ftohtë që
çlirojnë ujrat e ferrit.
Arti e ka
trajtuar femrën në të gjitha aspektet e jashtme por kurrë në tërësinë e vet të
brendëshme sepse e ka përjashtuar nga mundësia për të pasur një përmbajtje. Aty
ku kjo përmbajtje ka ekzistuar në masën e një talenti të pakundërshtueshëm, është
injoruar duke e zhytur në harresë mësëshumti dhe më e pakta duke ia cunguar
meritat. Në këtë mënyrë ka qenë më e lehtë për ta trajtuar femrën si dilemë
midis dëshirës dhe pamundësisë, kurrë si një qenie me te gjitha virtytet e të
metat e saj. E trajtuar gjithmonë pa e fshehur një dozë cinizmi dhe përbuzjeje
si një qenie e një shkalle më të ulët. Gjendja që çoi në rebelimin e saj të
shumvonuar.
Çdo poet,
shkrimtar, piktor, skulptor, çdo artist në tërësi, mundohet që të hedhë në
veprën e tij çfarë ai ka të idealizuar për femrën. Këtë përfytyrim vetiak e
përdor si një enë për një qenie ose një botë tjetër kaq të afërt dhe kaq të
largët, kaq të dëshiruar e po kaq të zvetënuar, kaq të domosdoshme dhe po aq të
kotë, e pikërisht mbi bazën e këtyre antonimive kjo “enë” sikundër është
përfytyrimi i tij përsa i ndërtuar me lëndë artistike, sërish mbetet enë që
duhet të mbajë brenda një lëng tjetër e ku mund të futë turinjtë të pijë edhe
një kalë, qoftë edhe ai i perandorit Kaligula i emëruar senator e që pinte ujë
në një legen floriri, por te e fundi mbetej gjithmonë kalë. Mirëpo një
përfytyrim i tillë i cili hapet përballë një qenieje tjetër përsa zemërgjerë,
sërish dhe detyrimisht ia përshtat qenien tjetër formës së vet duke bërë kështu
shtrëngimin e parë. Në këtë mënyrë përfytyrimi nuk është gjë tjetër veç shtrati
i Prokustit (a) për çdo ndikim apo ekzistencë jashtë vetes, e pranuar por me
kusht që të marrë formën e enës, e thënë ndryshe të përshtatet me pasojat.
a - Sipas
mitologjisë Prokusti apo Damasti, i njohur edhe si Polipomeni, rrinte ne një
shteg mali ku priste kalimtarët e rastësishëm që i kapte dhe i shtrinte mbi një
shtrat. Kushdo që ishte më i gjatë se shtrati, i priste këmbët dhe më të
shkurtrit ia tërhiqte gjymtyrët për ta zgjatur. Në të gjitha rastet vdekja qe e
pashmangëshme. U vra nga Tezeu në të njëjtën mënyrë.
mercoledì 3 luglio 2013
Remo Koçiu - Rëndomësi kufinjsh.
Përcakton pikën ku mbrrin aftësia
e të kuptuarit.
Quajmë kufi një pikë që për ne
është e pakalueshme, e konceptuar si qëllim; ideal e material, në larminë e
vet, (i afërt, i largët, i parmë i pastajmë), shtetëror, një avlli oborri,
humnerë apo lumë, madje edhe një kanal, ai që ndan arën tënde nga timja, çdo
prag shtëpie, si edhe zemërimi ka një kufi. Edhe liria ka një kufi. Rëndom aty
ku fillon liria e tjetrit. Gjithë vështirësia është të kuptosh ku fillon liria
e tjetrit sepse ke kuptuar njëherësh se ku ka mbaruar liria tënde. Paskësaj gjithçka
që duket ose është e pakapërcyeshme shpesh për natyrë, ose për marrveshje kërkon
një tjetër marrveshje për të njohur atë kufi i cili të lejohet ta “shkelësh”,
ndryshe quhet edhe lejë. Por ky rregullim i tillë e platit nevojën e njeriut për
trasgresion (shkeljen) dhe kjo e bën të dobishme përsa paradoksale mos-marrveshjen.
Marr - vesh. Pohim i nënzëshëm jo
dhe aq i dëshiruar sepse provon një dyshim të brendshëm, lidhur me aftësinë për
të kuptuar. Shpata e Damokleut. “Më kupton?”. Pyetja zbulon gjasat e të mos
marrit vesh, ndaj edhe bëhet. Pra, dyshimi fillestar duket gjetiu, te tjetri,
në fakt vërteton thjesht se është si puna e mëkatit të parë. Trashëgimi
gjenetike nga Adami. Di, që je pjellë mëkati por jo arsyen. E ke të vështirë të
kuptosh se je pjellë rastësie, ndaj, e ke të vështirë ta pranosh dhe e kërkon
këtë gjë jashtë teje, përbri teje, meqënëse nuk mund të kalosh përtej krijuesve
dhe të kërkosh argumentin bashkues të çastit apo të një jete. Në fakt është më
kollaj të shikosh qimen në syrin e tjetrit se traun në supin tënd, por
megjithatë duket se shërben si ngushëllim. Vlera e masturbimit qendron në faktin
se e shëtit mendimin nga një femër te tjetra pa ndalur te asnjëra prej tyre.
Mundim i shpenzuar kot. 500 mijë spermatozoidët kanë menduar me ironi një
sekondë para vdekjes se kushdo tjetër prej tyre, do të kishte qenë një qenie më
e denjë për të jetuar se sa ti. Kushedi? Ndoshta çdo ushtar i falangës maqedone
para se të vdesë ka menduar se shkak është komandanti, Aleksandri, e kjo do të
thotë se ai vlente më shumë. Por që në ato sekonda ai padashur ka përdorur për
veten një kohë të shkuar e cuila ve në dyshim mendimin e tij. Ndryshe do të
kishte vdekur i panevojshmi. Sidoqoftë, synimi është që ngjarjet të rrjedhin e
ndjekin shembullin e spermatozoidëve, të cilët njohin vetëm një kah udhëtimi pa
kthim. Ndaj, në monologun e pyetjes, konflikti ka filluar në heshtjen e
dikurëshme të asaj që nuk u tha në kohë. “Merr – vesh”, “kupton?”, përse pyetet nëse nuk ekziston
dyshimi i të moskuptuarit? Mirëpo, të mos marrit vesh nuk shënon një konflikt
idesh, përkundrazi shënon cakun prej ku fillon mangësia tënde e që ti nuk mund
të dish ku mbaron nëse nuk e eksploron, por të eksplorosh paditurinë tënde
është tepër e dhimbëshme. Me vetdije, zgjedh të mos e bësh, (mund të zbulosh se
nuk je në gjendje të shpjegosh) në të kundërt, është njësoj sikur dikush me një
këmbë të futet në garën e njëqind metrove. Nëse je i pavetdijshëm, “kokë druja
mbetet kokëdru” thotë Shopenhaueri te “Aforizma
për një jetë të denjë.” Fabbri editori, fq 47. atëhere i bie barra dikujt tjetër
që ta bëjë për ty, por ky dikush nuk mund të përshkojë errësirën e thellë që
mbulon qenien tënde sepse çdo përpjekje është një shkelje kufiri. Ndaj, nuk e
shprehim deri në fund ose hapur mendimin për tjetrin. E ndrydhim thellë qenies
dhe nga ky çast kemi mbjellë farën e hipokrizisë në shpirt. Kështuqë kokëdruja
dënohet të mbetet kokëdru, ose sikundër themi shqip: Gdhëja mbetet gdhë. Peng i
paditurisë së tij. Njëherësh shënohet kufiri sepse çdo lloj “pronësie” – në këtë
rast padituria – shënon edhe një kufi. Shoqëria vuan dhe s’mund të ecë përpara
njëherësh sa kohë që ky koncept pronësie nuk është shndëruar në paragjykim. Në
atë masë që ky koncept merr ngjyrën ose përmbajtjen e paragjykimit, në atë masë
kemi edhe kundërvenien e si rezultat çlirimin e individit, daljen nga ngërçi,
apo gdhëja për të lejuar gdhendjen sepse njeriu është i prirur të kundërvihet. Ke
krijuar një hapësirë larg vetes, mjaftueshëm sikurse pika e shiut kur bie nga
streha që shënon një kufi real. Përtej lagesh. Te kjo hapësirë lejon, toleron, përbuz,
ndëshkon ose pëson. Të gjitha nënkuptojnë mëvetësi. Sikundër thoshte Aristoteli
rrokja “Ba” nuk është njësoj me tingujt “B” dhe “A”, ka një cilësi të vetën që
humbet kur tingujt apo fjalët veçohen. Ndaj këmbëngulja dhe kundërvenia, nganjëherë
s’është më frytdhënëse se sa nënshtrimi.Që të kuptosh vuajtjet e viktimës duhet
edhe të pësosh mbi kurrizin tënd. Gjë që do të thotë se duhet të lejosh tjetrin
ta bëjë. Sa je i gatshëm? Mbetet mister, ose më saktë përvoja tregon se njeriut
i pëlqen të jetë sundimtar më shumë se i sunduar. Problemi më i vështirë është
se askush nuk i pranon kufijtë që në vetvete diktojnë këto dy gjendje, por
askush nuk lejon të shkelen.
Iscriviti a:
Post (Atom)
