Kur doli nga avioni, në aeroportin e Rinasit, në ardhje, (nuk arrin të përshtatet me tjetër emër dhe thotë se fshati është bërë i pavdekshëm e ndoshta i njohur në të gjitha ato vende për ku avionët ngrihen në fluturim) përfshiu me një vështrim bosh hapësirën përreth por një çast më pas e kundërshtoi veten sepse i tha se nuk është kaq bosh përderisa jo gjithçka hyn brenda. Ditën e quajti të zakontë dhe në këtë mënyrë mundi të pohojë në doganë diçka të përafërt, por që shkaktoi vetëm një buzëqeshje të mpirë të policit. Tha: “Ja përse nuk mbaj mend ndonjë gjë të veçantë nga koha e Tiranës.”. Pastaj e kuptoi se padashur kishte filluar të pengonte ngutjen e të tjerëve. Matet të thotë se Dajti është aty, dy hapa larg, nuk ka lëvizur nga vendi, ndaj s’ka përse...Por ajo e pyeti papritur dhe ai u gjend i papërgatitur.
“Mirë ndihesh?”.
Sytë e saj çuditërisht të mëdhenj kishin marrë një tjetër nuancë. Ndërsa flet, kthehet nga ai për ta parë, mendon se janë e vetmja gjë që bien në sy nga tiparet e saj, pastaj ndryshon mendim. Çdo gjë është stisur përreth syve të saj, hunda, buzët e mishta madje edhe ngjyra e fytyrës dhe e gjithë trupit. Njëjtësia e ngjyrës i le të mendojë se hollohet diku nën lëkurë dhe pastaj shpërndahet në të gjithë trupin duke shfrytëzuar rrjetën e dendur të kapilarëve, “ndaj është kaq e butë në të prekur, - thotë me vete i habitur ngaqë nuk i kishte shkuar ndërmend diçka e ngjashme.”. Lëkura duket sikur e mbulon atë trup të brishtë femre vetëm për të thithur çfarë çlirojnë poret kur ndrydhen nga emocionet... duhej t’i kishte thënë t’i pastronte nga ngjyrosësi...i kuqi...buzët, mërmërin. Ajo buzëqesh i thotë se mund ta bëjë nga çasti në çast mjafton që ai ta puthë.
“Mund të më puthësh R?”.
Ai e shikon dhe për pak sa nuk i tha se është çmendur ndoshta? Por do qe njësoj sikur të pohonte marrinë e vet. Duhej t’i thoshte se nuk i përkiste dhe se kishin ardhur pikërisht për të bërë ndarje por heq dorë sepse kjo gjë do ta shtonte më tepër dhimbjen. Ishte një femër tepër e ndjeshme. Ajo nuk dinte gjë për arsyen e udhëtimit. Ndaj ia përcolli heshtjes dhe vendosi tre pika reminishence. Kështu do të fitonte njëfarë kohe. Pikërisht koha ishte problemi më i madh. Kujton se vetëm pak sekonda qëndroi në krye të shkallëve, aq sa për të thithur ajrin e njohur e për të përshkuar me vështrim përbledhës gjithçka. E ndoshta ky ka qenë edhe shkaku që ajo e kuptoi si një ngurrim dhe e pyeti nëse ndihej mirë, por në zërin e saj kishin filluar drithmat e para të shqetësimit. Rëndom nuk rrinin kaq gjatë pa folur bashkë. Ai ngrihej më katër të mëngjesit dhe i shtynin orët duke folur sëbashku. Shpesh ajo rrinte diku mbrapa tij dhe e vështronte ndërsa ai rrufiste kafenë. Kur ai i lodhur thoshte mjaft, ajo ia ngulte sytë dhe ndiqte pa folur veprimet e tij. Kafshonte buzën e poshtme, e, ndërsa kokën e mënjanonte paksa, vështrimi mbetej peng i pyetjes, ndërsa pikëllimi shndërohej në padurim.
Nuk kishte shumë bagazhe, përkundrazi, në xhepa mbante vetëm (kaloi dorën sipër për t’u siguruar që ishte gjithmonë aty) çelësin USB, kuletën dhe pasaportën. Një roman i tërë, dyqind e më shumë faqe, o ndoshta më pak, të përmbledhura në një çelës USB. “Trillet e teknologjisë, - tha me vete dhe buzëqeshi i kënaqur.”. Mendoi kohën kur i mbante në dosje dhe dosjet nën sqetull. Të shtypura mbi një letër të verdhërimë e megjithatë ky lloj kujtimi zgjoi edhe nostalgji e ndërsa u mundua të çlirohej, ishte tepër vonë. Ndihej ngushtë nën putrat e tij, por jo aq sa ajo pyetje e mallkuar që lexonte në sytë e tij: Ç’dënim të pret përderisa trazon sipas dëshirës?”.
“Si thua ti?” - mërmëriti.
“Si them unë?”.
Është sërish Sibora dhe ai e quan të kotë t’i shpjegojë se qe duke folur me vete. Pastaj ajo do të lëshojë një tjetër përse dhe kështu do të nderet një dialog i pafund e pa kuptim. Ndaj edhe ndarja.
“Ç’vend është ky?” - pyet ajo.
“Ky? Vendi tënd.”.
“Vendi im?!.”
“Po.”.
“Nuk më kishe thënë.”.
“Është në ankth” - thotë me vete duke menduar përgjigjen e një pyetjeje tjetër të pamundur.
Gjatë gjithë kohës, qëkurse u njohën ai nuk i foli asnjëherë për vendin e tij. Ajo duhej ta kuptonte. Ai i tha se tashmë e tutje do ta quajë Sibora. “Sibora?” përsëriti ajo si një jehonë dhe ai duke qeshur e akuzoi se ia shkatërroi tërë përfytyrimet në vrullin e një orteku, ndaj të bënte kujdes, nuk duhej ta shqiptonte emrin e vet. Ajo e pa me dyshim por pranoi gjithçka sa ai shkruante....Si...R i vuri dorën në buzë. Ishte hera e parë që e prekte dhe ajo u hutua. E kuptoi që s’duhej ta shqiptonte më emrin e saj ndërsa ai po. Iu duk e habitëshme por nuk e mësoi kurrë përse. Pranoi kokulur çdo gjë, ngjarje, mendim, hidhërim, gëzim, çdo gjë që ai i afronte.
“Ky është vendi tënd. Dëgjon, të gjithë flasin të njëjtën gjuhë me ty.”.
“Po - përgjigjet - Ke të drejtë...Përse më solle këtu R?”.
“Do ta kuptosh edhe vetë.” I tha, ndërkaq kishin mbrritur te shtëpia botuese. Kur po ngjitnin shkallët e ajo e kap për krahu. Dridhet e tëra dhe nuk guxon të flasë. Ai shikon fytyrën e saj mehit. Nuk e kishte përshkruar diçka të tillë, madje nuk e kishte parashikuar. Mendoi se diçka të ngjashme duhet të ketë ndierë edhe Doruntina.
“R më ke sjellë këtu për të bërë ndarjen?”. Ai hesht. “Të lutem R, përgjigju ... të lutem...”.
“Po...Si...bo...ra.” e rrokjezon emrin ai.
Asaj i rrjedhin lotë të nxehtë.
“Ke frikë prej meje. Nga orteku im...ke frikë. Kaq më urren?
“Jo. Të dua dhe shumë madje.”.
“Atëhere...?”
“Sibora, duhet të kuptosh...du...”.
R nuk e mbaron fjalën. Ajo i ngjishet pas vetes dhe e shtrëngon fort duke dashur të rihyjë sërish brenda qenies së tij. Por ai e shtyn.
“Sibora...”.
“E the emrin tim të plotë. Oh, e the emrin tim të plotë R!”.
“Po.”.
“Atëhere është e vërtetë që më do.”.
“Po dhe shumë madje.”.
“Të lutem mos firmos ndarjen...nëse më do, mos firmos ndarjen R... Çdo të bëhet me mua? Përse më braktise?”.
“Oh, jo, nuk të braktisa. Ti do të jesh në kaq e kaq libra dhe shumë të rinj do të bien në dashuri me ty...besomë...”
“Besomë?! ... U zhgënjeva njëherë...”.
Ai i ktheu krahët, ndërsa ajo mbeti si një vegim diku mbrapa tij.
“Nuk duhet ta kthesh kokën mbrapa.” I tha vetes.
Avioni po ngrihej. Në ikje. R mendoi telefonatën e pak ditëve më parë. Ishte Lili Shanto’, një e njohura e tij që nga koha kur ishin studentë.
Nessun commento:
Posta un commento