giovedì 3 novembre 2011

Dashuri e përjetëshme apo e diktuar?...!

Dashuria e përjetëshme.
Është një argument që trajtohet shpesh. Dashuria dhe përjetësia. Njerëzit pa humbur kohë e kërkojnë të përjetëshme sikur të jenë duke porositur një hotdog me ose pa senap. Që nga çasti kur pyetet nëse ka një dashuri të përjetëshme, po ta vëresh atë çast nga ana e kundërt pyetja mbart përgjigjen. Është një anasjelltësi. Sikur të kishte dashuri të përjetëshme nuk do të ekzistonte pyetja. Është njësoj sikur një mëngjes të pyesim të parin që takojmë në rrugë: Eeej, ka ajër? Tjetri do të të shikojë menduar pastaj një përkulje thuajse e qafës dhe sytë e picërruar janë gjeste që të lenë të kuptosh se nuk je gjë tjetër veç një tablo për tu soditur. Si retë, e varura, tutje në horizont me të cilat zakonisht i lan duart shpejt e shpejt, i asgjeson në dy a tre mendime pasuese duke parë ngjyrën e tyre ose me një ombrellnën sqetull i ke zgjidhur pasojat. Por në rastin e një pyetjeje të tillë asgjë e ngjashme s’ndodh. Dhe ti duhet të buzëqeshësh thuajse pikëlluar si për të thënë: pyetje budallai ë? Kur themi se një dashuri (e përjetëshme ... nuk arrij të shkoj përtej kësaj fjale dhe do të më pëlqente më shumë ta ndryshoja, dmth të përdorja marifetin e një metateze dhe kështu “përjetëshme” ta shndëroja në “përtejshme”, duke i kursyer vetes edhe shpjegime të më...tejme. Nganjëherë më duket sikur fjala më ka molepsur me brendiorinë e saj që ngurron ta shpalosë. Nuk e di.) pra, kur themi një dashuri e përjetëshme duhet të jetë kështu e ashtu, përveçse shprehim shpresën vetiake ku sendërtohet (realizohet) përjetësia e saj në një përfytyrim të ngushtë, i shpëton gjithsesi përcaktimit, sërish, në vetevete kjo quhet të diktosh, dashurisë t’i diktosh kushtet e tua. Kështu dashuria është të qenët vetëm për mua. Një dashuri e përjetëshme mund të jetë e tillë vetëm si një koncept. Mëtimi dëshmon një betejë të humbur ende në dëshirë. Dashuria nuk mund, nuk duhet, të diktohet. Vlera e dashurisë nuk qendron në sasi (koha si e tillë) por në thelbin e çfarë shprehet si pakrahasueshmëri me lloje të tjera ndjenjash. Çdo dashuri të duket më e bukura, më e thella, më e magjishmja, në kohën kur e jeton. Përfytyroni një mish që piqet në hell duke u rrotulluar mbi një zjarr, kështu është edhe zemra e njeriut, shpirti i tij, qenia e përfshirë prej ngrohtësisë së ndjenjave që shkakton edhe atë ndryshim të marrdhënieve të tua me njëmendësinë, por mbrrin një çast tjetër, pasndjekës, kur mishi quhet i pjekur. Po më tej ç’ndodh? Nuk është e vështirë ta përfytyrosh. I thonë: Mishi të piqet dhe helli të mos digjet. Ky është momenti kur tërhiqesh nga zjarri ndryshe shkrumbohesh. Një dashuri që mbetet si një zjarr pak e nga pak shndërohet në hi sepse djeg veten. Quhet rëndomësi dhe rëndomësia po, është përjetësi, mund të jetë nëse ajo lëviz për plogështi(inerci). Pyes: Cili do ta dëshirojë një përjetësi të tillë ku shuhesh dalngadalë dhe ndjenjat e tua e humbasin limfën si mishi yndyrën në pika që shuhen mbi prush me një shaurimë të lehtë si një grahmë?  
Dikush u kërkoi perëndive të jetonte përjetë. U lutej aq shumë sa një ditë të mërzitura, thanë: Le të jetojë përjetë. Dhe që nga ai çast tjetri plakej plakej plakej... kishte harruar qyqari të kërkonte...Çfarë?

Nessun commento:

Posta un commento