sabato 19 settembre 2015

Dritare në humnerë (Tregim) Streaming

Dritare në humnerë
(Tregim)
Streaming
“Mesiguri, janë numra llotarie,” mendon, por, habitet me lehtësinë e të shqiptuarit, me të njëjtën lehtësi, thekson, thuajse e trashëguar personazhesh, kështu shqiptoi edhe një frazë të dikurshme: “Ne jetojmë sipër, miku im, jetojmë sipër” ...
Shkëputet një çast prej saj, ndoshta është thjesht shkak i trilluar i një shtrëngese ende të mjegulluar, që domosdon shpjegim, por, në ngjashmërinë e njëlloj vonese, “stre ... a ... ming,” ndan në rrokje për ta bërë më të dukëshme; rrjedha spermatozoide nuk u përputh me reagimin: klithma e përmbajtur e kënaqësisë kulmore, fijezimi i muskujve të nofullave dhe tërheqja sikurse lidhëset e këpucëve, por ... “njeriu i ndjek ngjashmëritë edhe për prirje, hëm, më shpesh e braktis idenë fillestare sepse e mendon si diçka që mund t’i kthehet në çdo kohë. Ka diçka të ngjashme me një femër të nënshtruar,” thotë, “për fat të keq,” shton dhe hesht një copë herë sepse ato katër fjalë njërrokshe, janë tepër të tronditura, ndodh kur nuk dinë cilës përmbajtje t’i drejtohen, ndërsa ai, si i kujtuar nga diçka, hov dhe shkon te dritarja duke i lëshuar këmbët lakuriq mbi një siudhë që duket si një tra i lëshuar në humnerë. “Por? The por.” ... natyrisht, lidhësat i shtrëngon, por, jo aq sa të mbyllin krejt qafën, e pengon sa për ta shndëruar vërshimin e ajrit që mbush hojet e mushkrive, në dihatje, ujë i pirë me ngut, khë khë... kollë mbytëse ... paskësaj, rrjedha e gjakut ngjitet në tru, përfytyro një qiell me tullumbace, ndal një hop; përshtypja e dy duarve që zenë fytin, i ndan rolet, por, lenë gjithsesi një hapësirë bosh, shmanget ngushtimi i enëve të gjakut, si një kthesë rruge e zgjeruar pikërisht në brryl, për t’i krijuar mundësi ec e jakut ... Besdisëse? Pooo?! Ajo duhet të pohojë, pa fjalë, thjesht duke tundur kokën, jo me atë lëvizje, shembëlltyrë e shkundjes së vitheve të një sekretareje zyre. Te e fundit, gjithë sa i ndodh kur kryen marrdhënie seksuale rishfaqet copa copa, si mbetjet e një anijeje që godet një ngrehinë të nënujshme koralesh ose ndoshta, si përplasja e derës së harruar hapur, lojë e erës, ndaj s’mund ta përjetojë në vetdije enzimash të shterpëzuara që nuk molepsin.
Jashtë.
Ajo tashmë barit në rrugën e të heshturave.
Pemët prekin buzën e sipërme të pjerrësisë, si qime mustaqesh të parrojtura, në dimër, bryma përfiton dhe lëshon grimcat e saj në çdo fije, si një insekt larvat, por në vjeshtë qullosen dhe drita e vranët, pasi përthyhet në lagështi, struket në këpujëza uji që kur zmadhohen duken si kupola të tejdukëshme të ngritura nga shpërngulësit në një planet të ri.
“Ah!” klith, ja përse tha ne jetojmë sipër sepse është një mundësi braktisjeje, ndërsa peshqit gëzojnë shëndet të plotë pikërisht ngaqë jetojnë në një akuarium planetar... Kur shikimi rikthehet, i kthjelluar, gjen sërish pemë, të ngjeshura dhe drita e mugut, që fillimisht synoi të pështjellojë mbretërinë e errësirës, tashmë është pllanguar. Trungjet ngrihen si silhueta të ngurtësuara në çastin e çakërdisjes, ndërsa kurorët lëkunden nga era nën ritmin e një muzike që ndryshon lloj befas dhe kërcimtarët duhet të shkelin këmbët e njëri tjetrit derisa të sërishen në rrjedhë. Duken të trembura, mendon i pushtuar nga ëndja, thuajse nanurisje dhe mbyll sytë një çast për ta fshikur në një pandehmë, ose është thjesht fryt i fantazisë së tij, dhe drurët kanë lëvore të ashpër si luspa apo si një lëkurë e prekur nga psoriazi, ndërsa halat, tashmë, janë pafundësi organesh mashkullorë që shurriten në shi në garën e quajtur: Kush e hedh më larg! “Duken të trembura,” përsërit. Ndoshta është përpjekje për t’iu larguar një përndjekjeje të nëndheshme, por, kur era në marrëzinë e saj i ka shkundur shatorrët e pemëve, gjethet pushojnë fërgëllimën dhe pikat e shiut zbutin zhgënjimin e pësuar, si lotët një shami, atëhere e kuptojnë se kanë rrëshqitur te pjerrësia përfund të cilës fillon rruga, të detyruara.
Ndoshta s’është shpjeguar.
Në mbrëmje, kur heq çorapet, pikërisht llastika në grykë, ka krijuar një të thelluar dhe fryrje të mishit në dy anët e saj. Pak më lart se noçka. U besdise? (Thua se fjalët qelben erë djersë, ah, përderisa ... S’kuptoj. Tingëllon e përsëritur, the? mundet. Fjala lind asnjëanëse, dhunti që e mban në jetë sepse e ndihmon të marrë kuptime të ndryshme ... sidomos në shoqërinë e përfytyrimit, ... Sërish kjo keqardhje e mallkuar! Përshembull, e thelluara dhe dy fryrjet anëve, përpiqet të vizatojë me duart që i takon kurriz më kurriz, thoi i gishtit të madh prek simetrinë e tij dhe hapen në një hark duke numëruar gradët si kaubojsat hapat, kur tentojnë të mbyllen në anën e kundërt, përballë, plogështohet sepse është njësoj si të tërheqësh një mëngë të shkurtër; noçka mbetet zbuluar ... është kthyer nga ajo? tregon me gisht fundbarkun e saj ... te e fundit, të kujtojnë kanionet e Kolorados ...) Pastaj fillon një kruarje deri në dhimbje e qetësuar me ujë të ftohtë që e lëshon me presion, ulur buzë vaskës.
“Ke vaske me hidromasazh?” pyet ajo nga diku mbrapa shpinës së tij, përtej të cilës përmasat treten në gjysmërrësirë, por ai s’ka mbaruar ende. Hukat mbi xham dhe skicon mullaqe disi i pakënaqur sepse ngjajnë si dy gjysma molle, e jo vetëm, por, si gjysma mollësh të ndryshme. Kthehet.
“Jo,” përgjigjet thatë dhe prerë si një shkulm ajri që përshkon hapësirën pa u shpërbërë derisa përplasja e derës pas shpatullave kumton një lamtumirë pa shpirt.
“Streaming,” thotë si për të përligjur diçka që ende s’ka ndodhur, ndryshe nga sa shpresoi, nuk e nxit kurreshtjen e saj, kujtoi se. Ndoshta u fye, ose ndoshta e kuptoi se qe thjesht përsëritje fjale, por, këtë rradhë sikurse tha ai, ende bosh, s’ka huazuar asnjë brendi dhe pret në rradhën e shpërbërë, zhgënjim i të papunit, megjithatë, R thotë se i kujton fëmijërinë kur vinte rrotull nëpër dhomë duke mërmëritur me ton të njëjtë e monoton:
“Rrodhe rrodhe, kokorrodhe gjema plaçkën që ma vodhe.” ...
“E gjeje?”
Në timbrin e saj dallon padurim dhe ankth, të pakapshëm nga shqisa e dëgjimit, sikurse ultratingujt, por të perceptuar vetiu, tërësi e ndjenjës së prirur për tu shndëruar në parandjenjë. Kumbues. Ndihet keq. I vjen për të vjellë. Përse kthimi mbrapa ... përse?
“Sikur ta gjeja, ti s’do të ishe shtrirë aty, lakuriq dhe shalët që lëvizin si gjymtyrët e brumbullit Zamza para shpirtdhënies,” shqipton mëdyshas, ndoshta ajo nuk e di kush është brumbulli Zamza, e sikur ta pyesë kush është Kafka? ajo do t’i bjerë me gishtin tregues kokës. Ndal një hop dhe kthehet sërish nga dritarja, fshin me pëllëmbë xhamin, pastaj lagështinë që merr dora, pas kofshës, përtej pyllit, në faqen e hamendësuar kodrës, deri sa të ha syri, paksa nën retë ngjyrë plumbi, omonimi? aty ku dikur, ata, studentë të arkitekturës, mbollën fidanë pemësh, sot ngrihen pa numër ndërtesa, të çrregullta si dhëmbët kataroshë të një sharrë gjigande. “Ja përse,” mendon, “ja përse trembja e pemëve,” largohet paksa, vetëm një hap mbrapa, pa ia ndarë sytë xhamit ku pamja që shfaqet përciptas i përket hapësirës së dhomës. Çfarë ndodh brenda ku çdo gjë pasqyrohet zbehtë, në kontraste bardhe zi të zbërdhylur, si skelet i një fantazme të vjetër që i kujton një pllakë gramafoni të harruar por që bëlbëzon, flashkësi tingujsh, brishtësi zanoresh, fëshfërimë e sapo shpluhurosjes?
Ti nuk do të jesh i mundur derisa pylli i Birmanit të vijë drejt teje ... Nuk është Makbethi, s’është as Shekspiri, është një fanepsje. R, nuk di ç’mund të ndodhë nëse bën edhe një hap të dytë mbrapa, por as dëshiron të dijë.
Remo Koçiu
Të drejtat janë të autorit.

Nessun commento:

Posta un commento