martedì 10 marzo 2015

"Jetë e fyer" - fragment



"Edhe një mëngjes tjetër," mërmërit përhënur sepse edhe dje e shoqëroi fillimin e ditës me të njëjtën mërzitje, por s'mban mend nëse përdori të njëjtat fjalë. Klishe reklamash që përparojnë gjithmonë e më shumë në hapësirën e bashkbisedimeve. Për këtë, D, thotë se ndihet i kushtëzuar dhe se herë herë kllapohet nga njëlloj plogështie që e mpin trurin. Është kurioz të dijë nëse e ruan ende ngjyrën e përhime. Gojët e fshehin erën e rëndë të frymës mëngjesore, në lloje kolinosesh. Trill që nuk e ndihmon të sjellë ndërmend fjalët e djeshme dhe kjo e bën të ndihet i rrezikuar nga molepsja. Ndoshta u pështynë gjatë shpëlarjes së gojës dhe u përzienë me ujrat e zeza, ku humbasin sikurse ai në turmë. Ngushëllon veten. Nganjëherë, fjalët, për arsye iks refuzojnë të kthehen në kujtesë. Sorollaten kotësive dhe përfundojnë në harresë. Mund t'i krahasojë me lypsarët, në shenjë hakmarrjeje ndaj njërit që ulet rrëzë një muri në rrugën e Kavajës, afër njëzetenjëshit, e që e ka futur në listë pagese, por heq dorë për shkak të përgjithësimit estetik, tepër i modës e njëherësh i injoruar, jo pse është i huazuar nga bota e fantazisë, por si pjellës paragjykimesh. Kështu, për D, të papunët e shumtë ndryshojnë prej lypsarëve, ngaqë s'kanë një pikë fikse, për gjithçka tjetër janë njësoj ... Poshtëruese, ngërçon sepse boshllëku brenda vetes, si gjithmonë, në raste të tilla, bëhet grryes e besdisës si urthi.
"Fjalët janë si femrat, e lenë imazhin nëpër pasqyra, vetrina dhe në sy meshkujsh," mërmërit sikur të jetë fraza me të cilën duhet të përkufizojë natën e kaluar sapo.
"Më tremb kjo urrejtje?" e thyen heshtjen zëri ngjirur i babait që lëngon shtrirë mbrapa tij.
"Ah! U zgjove?".
Shqiptuar me një habi luhatore.
"Ti e di që unë fle pak," zvarrit zërin në zymtinë e dhomës ai. Sidomos natën, shton me vete D.
"Kjo shpjegon shpërqëndrimin e tyre kur kthehen në shtëpi. U duhet kohë të mjedisohen e të rikompozohen ndaj priren të sajojnë gënjeshtra. Gjithmonë ndërkohë. Nuk di sa janë patëkeq, por është kështu," shtjellon mendimin i bindur D. Shpreson të ketë tulatur çdo përpëlitje dëshpëruese që e shtyn në kthetrat e një gracke të ngritur me kujdes nga babai edhe pse i sëmurë rëndë. Por, nga ana tjetër, rëndomësia është pajtim me vdekjen. D, përpara zgjedhjes: Gënjeshtrën e gruas apo pajtimin me vdekjen, pëlqeu heshtjen. "Sepse," i tha vetes, "dilema e braktisur në përherësi, me kohë shndërohet në Sfinks.". E soditur si vepër arti në një të ardhme që e rendit në mitologji për tu adhuruar pa e vrarë mendjen se si apo çfarë e lindi, gjithsesi. Përgjithësisht, turistët do të sillen njësoj si para një dushi. Katarsis. Kjo është çfarë u thuhet të tjerëve sepse, larg e larg, si një gjëmim i shurdhët në horizont, çdo burrë kupton se diçka e merr në kafshita apo gllënjka të vogla, njëlloj tharmi që gruaja ia përcjell tinës gjatë seksit dhe pikërisht në kulm, kur troket në dyert e hapura të Hadhesit, s'hyn sepse i druhesh qenit me dy kokë dhe për ironi, zbulon që qeni je vetë ti. Pa kuptim t'i trembesh vetes por kjo është çfarë ndodh dhe njeriut i mpaket dëshira për të rrëmuar brenda arsyetimit në kërkim të psesë. Këtu ze fill shpengimi ngushëllues se mund të shkosh me dikë tjetër duke e quajtur zbavitje e jo tradhëti, gjë që gruaja e di sepse është pikërisht fruti i farës që ka mbjellë brenda qenies tënde.
D, atë çast, nuk e merakos kaq përshkimi i kthinave të errëta të këtij labirinti thuajse filozofik që babai e nxit për të kuptuar diçka më shumë lidhur me marrdhëniet e tij me Anën, se sa rrallimi i ajrit në mushkri. Një pshertimë e mundëshme nxjerr jashtë skorie të ankthit të qëmtuar nga vështrimi i tij pasi u prish simbioza ekzistencialiste me përfytyrimin e zvetënuar që i ruan detajet si piktura penelatat (sa për ide, qartëson) ... ngaqë boja mpikset, (ide e munguar, domethënë pa art.) Në kanavacë figurat e liliputëzuara, të rrëmbyera nga enemia, nderen në mungesë miklimi. Përqasja me shalët e femrave, gjunjët e ngritur në një kënd të hapur si harqe urash, (frymëzimi) ngjashmëria me shtyllat dhe telat e varur, (përçues) lakimi paksa që i ndihmon të përballojnë tendosjen kur era shfryn dufin, (epshi) janë gjetja e tij për të rrëshqitur në fëmijëri kur ai dhe tre shokët e ngushtë, kishin secili shtyllën e vet sapo jashtë qytezës. I përqafonin, nuhatnin erën e veçantë të pishës dhe ziftit, por asnjëherë nuk tentonin të ngjiteshin. Ndërsa mbeteshin kurdoherë fëmijë të vegjël, të kapur madje për dore. Gjë qe e dërmonte krenarinë e  tyre, por e anashkalonin sepse vetvetiu perceptonin mjaft mundësi, jo kohë për të korigjuar. "Përsëritim të njëjtat gabime," i thotë vetes. 


Autor Remo Koçiu

Nessun commento:

Posta un commento