domenica 3 agosto 2014

Unë jam çfarë them.

“Unë jam çfarë them”, thotë Heideger.

Nuk e di sa jemi në gjendje të kuptojmë vetveten, ose sa vetvetja na zbulohet, por mendoj se midis Unë dhe vetvetes lidhjet nuk janë ato të sinqeritetit të plotë. Pavarësisht se Hajdeger thote se unë jam çfarë them, te e fundit kjo nuk e përjashton mundësinë e përzgjedhjes të asaj që duhet të thotë, të asaj që thotë e kushtëzuar nga çfarë kërkon të arrijë. Dmth, qëllimi, dikton rrugën, ose mjetin sikundër thotë Makiaveli, masën dhe mënyrën. Pra, jemi në gjendjen e çiltërsisë së përjashtuar ose të shpërfillur. Zbulojmë se kemi edhe një qenie tjetër brenda nesh, është pikërisht ajo që shfrytëzon e para atë “jashtë nesh”, formën. Realisht, na intereson të qenët për vete, e cila zbulohet te të tjerët nga çfarë themi e nga çfarë bëjmë si pasojë e të parës dhe reagimit që ngjall apo reaksionit që shkakton, nëse vepron si një katalizator (përshpejtues). Njëherësh, ndërtojmë me duart tona edhe një rrezik të madh sepse bëhemi të paragjykueshëm. Në rast se çfarë themi nuk është përzgjedhur me kujdes dhe ky kujdes shpesh s’është gjë tjetër veç tredhje e mendimeve, shterpëzim, flijim, për t’i bërë ato të pranueshme për të tjerët dhe sa më pak të dëmshme për veten. Pas kësaj nuk ndihesh i paragjykuar, je. Por ka ndodhur në pavënëresi. Ёshtë mungesë guximi, kuraje, ose thjesht pragmatizëm; i përshtatesh çastit si çelësi bravës. Te e fundit, edhe kjo pohon “të qenët për të tjerë”. Nëse femra në raste të tilla shkon në vijë të drejtë duke përdorur hiret si “mjet”, për mashkullin kjo mundësi nuk njeh mënyrë të qeni tjetër veç asaj me parashtesën fjalëformuese “Pa”. Ndaj, përgjithësisht e gjen mjetin brenda vetes. Kuptuar si një relativizëm hamendësor cilësish luhatëse midis virtytit dhe vesit. Shkurt, për të mbritur qëllimin, përul kurrizin. Në këtë rast thënia e Hajdegerit nuk nevojëson shoqërimin ose shpjegimin me fjalë, sepse flet gjesti.
Wilde – thoshte – më jepni një maskë dhe do t’ju them të vërtetën.
Atëhere, si mund t’i besojmë Hajdegerit?

Nessun commento:

Posta un commento