venerdì 5 luglio 2013

Remo Koçiu: Shtrati i Prokustit dhe përfytyrimi artistik vetiak. (Idhull dhe Zvetënim)



Nëse kërkohet roli i femrës në letërsi dhe arte, si subjekt dhe objekt, si personazh dhe krijuese, gjendet pikërisht në hapësirën e shtrirë midis dy limiteve; të adhurimit, si personazh dhe zvetënimit, si autore. E zhytur në ujrat e ndenjura të kënetës së Stigjes, trupi i femrës ndodhet në habitatin e saj natyral, luhatet mbi valë përngjethëse dhe përkundet e mpirë më shumë se e dehur nga avujt e ftohtë që çlirojnë ujrat e ferrit.

Arti e ka trajtuar femrën në të gjitha aspektet e jashtme por kurrë në tërësinë e vet të brendëshme sepse e ka përjashtuar nga mundësia për të pasur një përmbajtje. Aty ku kjo përmbajtje ka ekzistuar në masën e një talenti të pakundërshtueshëm, është injoruar duke e zhytur në harresë mësëshumti dhe më e pakta duke ia cunguar meritat. Në këtë mënyrë ka qenë më e lehtë për ta trajtuar femrën si dilemë midis dëshirës dhe pamundësisë, kurrë si një qenie me te gjitha virtytet e të metat e saj. E trajtuar gjithmonë pa e fshehur një dozë cinizmi dhe përbuzjeje si një qenie e një shkalle më të ulët. Gjendja që çoi në rebelimin e saj të shumvonuar.
Çdo poet, shkrimtar, piktor, skulptor, çdo artist në tërësi, mundohet që të hedhë në veprën e tij çfarë ai ka të idealizuar për femrën. Këtë përfytyrim vetiak e përdor si një enë për një qenie ose një botë tjetër kaq të afërt dhe kaq të largët, kaq të dëshiruar e po kaq të zvetënuar, kaq të domosdoshme dhe po aq të kotë, e pikërisht mbi bazën e këtyre antonimive kjo “enë” sikundër është përfytyrimi i tij përsa i ndërtuar me lëndë artistike, sërish mbetet enë që duhet të mbajë brenda një lëng tjetër e ku mund të futë turinjtë të pijë edhe një kalë, qoftë edhe ai i perandorit Kaligula i emëruar senator e që pinte ujë në një legen floriri, por te e fundi mbetej gjithmonë kalë. Mirëpo një përfytyrim i tillë i cili hapet përballë një qenieje tjetër përsa zemërgjerë, sërish dhe detyrimisht ia përshtat qenien tjetër formës së vet duke bërë kështu shtrëngimin e parë. Në këtë mënyrë përfytyrimi nuk është gjë tjetër veç shtrati i Prokustit (a) për çdo ndikim apo ekzistencë jashtë vetes, e pranuar por me kusht që të marrë formën e enës, e thënë ndryshe të përshtatet me pasojat.



a - Sipas mitologjisë Prokusti apo Damasti, i njohur edhe si Polipomeni, rrinte ne një shteg mali ku priste kalimtarët e rastësishëm që i kapte dhe i shtrinte mbi një shtrat. Kushdo që ishte më i gjatë se shtrati, i priste këmbët dhe më të shkurtrit ia tërhiqte gjymtyrët për ta zgjatur. Në të gjitha rastet vdekja qe e pashmangëshme. U vra nga Tezeu në të njëjtën mënyrë.

Nessun commento:

Posta un commento