mercoledì 3 luglio 2013

Remo Koçiu - Rëndomësi kufinjsh.


Përcakton pikën ku mbrrin aftësia e të kuptuarit.
Quajmë kufi një pikë që për ne është e pakalueshme, e konceptuar si qëllim; ideal e material, në larminë e vet, (i afërt, i largët, i parmë i pastajmë), shtetëror, një avlli oborri, humnerë apo lumë, madje edhe një kanal, ai që ndan arën tënde nga timja, çdo prag shtëpie, si edhe zemërimi ka një kufi. Edhe liria ka një kufi. Rëndom aty ku fillon liria e tjetrit. Gjithë vështirësia është të kuptosh ku fillon liria e tjetrit sepse ke kuptuar njëherësh se ku ka mbaruar liria tënde. Paskësaj gjithçka që duket ose është e pakapërcyeshme shpesh për natyrë, ose për marrveshje kërkon një tjetër marrveshje për të njohur atë kufi i cili të lejohet ta “shkelësh”, ndryshe quhet edhe lejë. Por ky rregullim i tillë e platit nevojën e njeriut për trasgresion (shkeljen) dhe kjo e bën të dobishme përsa paradoksale mos-marrveshjen.
Marr - vesh. Pohim i nënzëshëm jo dhe aq i dëshiruar sepse provon një dyshim të brendshëm, lidhur me aftësinë për të kuptuar. Shpata e Damokleut. “Më kupton?”. Pyetja zbulon gjasat e të mos marrit vesh, ndaj edhe bëhet. Pra, dyshimi fillestar duket gjetiu, te tjetri, në fakt vërteton thjesht se është si puna e mëkatit të parë. Trashëgimi gjenetike nga Adami. Di, që je pjellë mëkati por jo arsyen. E ke të vështirë të kuptosh se je pjellë rastësie, ndaj, e ke të vështirë ta pranosh dhe e kërkon këtë gjë jashtë teje, përbri teje, meqënëse nuk mund të kalosh përtej krijuesve dhe të kërkosh argumentin bashkues të çastit apo të një jete. Në fakt është më kollaj të shikosh qimen në syrin e tjetrit se traun në supin tënd, por megjithatë duket se shërben si ngushëllim. Vlera e masturbimit qendron në faktin se e shëtit mendimin nga një femër te tjetra pa ndalur te asnjëra prej tyre. Mundim i shpenzuar kot. 500 mijë spermatozoidët kanë menduar me ironi një sekondë para vdekjes se kushdo tjetër prej tyre, do të kishte qenë një qenie më e denjë për të jetuar se sa ti. Kushedi? Ndoshta çdo ushtar i falangës maqedone para se të vdesë ka menduar se shkak është komandanti, Aleksandri, e kjo do të thotë se ai vlente më shumë. Por që në ato sekonda ai padashur ka përdorur për veten një kohë të shkuar e cuila ve në dyshim mendimin e tij. Ndryshe do të kishte vdekur i panevojshmi. Sidoqoftë, synimi është që ngjarjet të rrjedhin e ndjekin shembullin e spermatozoidëve, të cilët njohin vetëm një kah udhëtimi pa kthim. Ndaj, në monologun e pyetjes, konflikti ka filluar në heshtjen e dikurëshme të asaj që nuk u tha në kohë. “Merr – vesh”,  “kupton?”, përse pyetet nëse nuk ekziston dyshimi i të moskuptuarit? Mirëpo, të mos marrit vesh nuk shënon një konflikt idesh, përkundrazi shënon cakun prej ku fillon mangësia tënde e që ti nuk mund të dish ku mbaron nëse nuk e eksploron, por të eksplorosh paditurinë tënde është tepër e dhimbëshme. Me vetdije, zgjedh të mos e bësh, (mund të zbulosh se nuk je në gjendje të shpjegosh) në të kundërt, është njësoj sikur dikush me një këmbë të futet në garën e njëqind metrove. Nëse je i pavetdijshëm, “kokë druja mbetet kokëdru” thotë Shopenhaueri te  “Aforizma për një jetë të denjë.” Fabbri editori, fq 47. atëhere i bie barra dikujt tjetër që ta bëjë për ty, por ky dikush nuk mund të përshkojë errësirën e thellë që mbulon qenien tënde sepse çdo përpjekje është një shkelje kufiri. Ndaj, nuk e shprehim deri në fund ose hapur mendimin për tjetrin. E ndrydhim thellë qenies dhe nga ky çast kemi mbjellë farën e hipokrizisë në shpirt. Kështuqë kokëdruja dënohet të mbetet kokëdru, ose sikundër themi shqip: Gdhëja mbetet gdhë. Peng i paditurisë së tij. Njëherësh shënohet kufiri sepse çdo lloj “pronësie” – në këtë rast padituria – shënon edhe një kufi. Shoqëria vuan dhe s’mund të ecë përpara njëherësh sa kohë që ky koncept pronësie nuk është shndëruar në paragjykim. Në atë masë që ky koncept merr ngjyrën ose përmbajtjen e paragjykimit, në atë masë kemi edhe kundërvenien e si rezultat çlirimin e individit, daljen nga ngërçi, apo gdhëja për të lejuar gdhendjen sepse njeriu është i prirur të kundërvihet. Ke krijuar një hapësirë larg vetes, mjaftueshëm sikurse pika e shiut kur bie nga streha që shënon një kufi real. Përtej lagesh. Te kjo hapësirë lejon, toleron, përbuz, ndëshkon ose pëson. Të gjitha nënkuptojnë mëvetësi. Sikundër thoshte Aristoteli rrokja “Ba” nuk është njësoj me tingujt “B” dhe “A”, ka një cilësi të vetën që humbet kur tingujt apo fjalët veçohen. Ndaj këmbëngulja dhe kundërvenia, nganjëherë s’është më frytdhënëse se sa nënshtrimi.Që të kuptosh vuajtjet e viktimës duhet edhe të pësosh mbi kurrizin tënd. Gjë që do të thotë se duhet të lejosh tjetrin ta bëjë. Sa je i gatshëm? Mbetet mister, ose më saktë përvoja tregon se njeriut i pëlqen të jetë sundimtar më shumë se i sunduar. Problemi më i vështirë është se askush nuk i pranon kufijtë që në vetvete diktojnë këto dy gjendje, por askush nuk lejon të shkelen.

Nessun commento:

Posta un commento