sabato 24 novembre 2012

Paranojë pa metaforë...



I shikoj në FB. Nuk duhen tiparet. Të mbërthyer nga prangat e përditësisë, zhduken dallimet. Gjithsesi. Në përpëlitje për tu shkëputur nga mijëra fijet e padukëshme të kohës si në një endëz merimange e lidhin veten më shumë derisa mbeten brenda një fshikëze ku shuhen edhe pëshpërimat. Për tu dëgjuar sadopak, për të rënë në sy sadopak sillen si tre gjigandët e një rrëfenjëze Skandinavë që banonin larg njëri tjetrit, midis maleve. Pas mijëra vjetësh në heshtje, ndoshta gjumore, njëri prej tyre thotë: “Dëgjoj muitje lopësh!”. Pas treqind vjetësh, gjigandi i dytë përgjigjet: “E dëgjova edhe unë muitjen.”. Dhe pas treqind vjetësh të tjera, gjigandi i tretë i inatosur thotë: “Nëse vazhdoni të bisedoni, unë do të shkoj!”.


Nganjëherë ngjajnë me bimësinë që rritet buzë përrenjve, ose në ujra pellgjesh e që një ngricë e papritur, si vështrim i beftë Meduze, i shndëron në suaza akulli ku fijet e barit, kërcenj bimësh, ndonjë gonxhe luleje, gjethe të vetmuara, duken si kapilarë qenieje të ndëshkuar nga ajo frymë përkohshmërie vdekësore si përkujtim i diçkaje të ngjashme në kapërcyellin e dilemës: A do t’i përkasë të ardhmes? Një e ardhme e trishtuar thjesht nga frika se mund të jetë e ajkosur kështu, një shtresë resh gri, veshëse qielli dhe hamendësi. E vetmja mundësi. E ardhme e fosilizuar që pret një ekip antropologësh për ta çmuar.

Nessun commento:

Posta un commento