Hapësirën e asgjësë që ne e tërheqim zvarrë pas vetes të mishëruar në shuarje qirinjsh vendosur mbi një tortë për të thënë që mbresa e jetës është e ëmbël!!! Nuk është e vërtetë, është vetëm asgjëja që na ndjek mbrapa si hije dhe se çdo ditë që kalon nuk ndodh gjë tjetër veç shkurtohet njësoj si lëkura e shagrenit në dëshira. Në tërësi nuk është tjetërgjë veç hipokrizia e veshur me një vemesë ëmbëlsie sikundër lakuriqësia e një femre mbuluar me pellush. Është një mashtrim mirëfilli apo dëshira tonë që ndjek tërthorësinë për të kuptuar thelbin e emocioneve, meqënëse vetëdija shfaqet në tërë pafuqinë e vet? Duke maskuar në një ëmbëlsi shijesh hidhësinë e jetës. Dhe harrojmë që nihilizmi i Niçes e solli kopështin e Hekatës nga bota e Hadesit, e pamundur të realizohej nëse nuk do të kishte zbuluar natyrën për natyrë, ose e vetvetishme, kundravajtëse të njeriut, dehjen dioniziake, ndërkohë që harmonia apolloniane do ta shndëronte në një qenie të velur nga ëmbëlsia duke e shuajtur dalngadalë si torfa e kënetës që digjet në vetvete deri në kalbësi. Zoti e përzuri nga parajsa, apo njeriu krijoi një Zot jashtë vetes për të magazinuar aty gjithçka sa kishte zbuluar te vetja. Njeriu mbeti kështu i braktisur dhe vetëm përballë dhimbjes. Por përvoja do t’i tregonte se hapësira e errët e asgjësë mund të shndërohej në kënaqësi, ose e pakta në një motiv nxitës që do të mbrrinte te kënaqësia në një të ardhme ku e kaluara e dhimbëshme do të rishfaqej si një shumfishim i vetes jo si njëra prej përmasave të jetës, por jeta si një përmasë e dhimbjes, sikundër fëmija që lind dhe nga ai çast, thotë Demokriti, përgatitet për vdekjen, hap pas hapi, ditë pas dite, vit pas viti. Në këtë kuptim dhimbja e shtyn jetën përpara brenda këtij paradoksi, ndërkohë që ato çaste të lumtura nuk janë gjë tjetër veç njolla të vdekjes, sikundër edhe thellësia e kënaqësisë që prek orgazma e që nuk është veç trokitje në dyert e vdekjes - përderisa lumturia është pika kulminante e krahasuar me përsosmërinë. Duke kaluar në portat e dhimbjes, tërheq vemendjen Dante te Ferri kur shkruan: “Lini çdo shpresë ju që hyni” e që shekuj më vonë do të rishfaqej si një asonancë antropologjike te shprehja e shkruajtur mbi një qemer qivur: “Arbeit macht frei”. Ndërkohë, do të shkruhej mbi një pentagram në linja të drejta, duke respektuar hapësirën ndërmjet si një klithmë dëshpërimi i shndërimit të qenies së asimiluar prej kënaqësisë trullosëse që e bën të harrojë dhimbjen në një “Botë vampire” do të këndojë Billi Corgan i grupit Smashing Pumpkins.
Nessun commento:
Posta un commento