domenica 10 aprile 2011

dje...(vet) - vranë Obllomovin?! ... joooo!

D, kur dëgjoi lajmin nuk e besoi. Megjithatë ende pa gdhirë rendi te gazetashitësi posht shtëpisë. Nuk kishte fotografi të tjera veç të zakontave; vipave, ose duke përdorur një shtrembërim tallës të Obllomovit: ‘Të viçave’. Titulli zinte pak rreshta në fund të faqes së parë, aty ku zakonisht shkruhej për kronikën e zezë. Gërmat ishin mikroskopike. Asgjë nga përmbajtja e rëndomtë. Dy riga posht tij i lanë përshtypjen e besdisë përderisa shkronjat qendronin padëshirë në atë renditje të shtrënguar; në fjalë, fjali e fraza, sëfundi në rreshta, ngjanin mjaft me rekrutët kokëqethur të pamësuar me rradhën. Sidoqoftë pakënaqësia e tij rritej në përpjestim të zhdrejtë me ankthin. E lexoi dhe rilexoi, nga e majta në të djathtë, pastaj në të kundërt, sëfundi kinezçe, arabisht, derisa çfarë mbeti nga ato dy riga ishte njëlloj murge, lëngu i errët që del nga shtypja e ullinjve. Asgjë! Tërësia e turbullt ia shtoi mosbesimin dhe nga ana tjetër zbuloi që s’ka ndërsjelltësi në marrdhëniet midis çfarë dëgjon e lexon dhe sa beson. Është njëlloj lingërie shpëtimtare. Në fakt, mendoi se për të qenë i çiltër, mendja duhej plogështuar shumë si një frut i mbrydhur. Pastaj të kërkonte një strehë diku midis për të shijuar pak nga të gjitha ishte lojë çiliminjsh. Qe e pamundur edhe pse njeriu joshet më shumë prej vesit: Domethënë të jetë lojtar, gjykatës e shikues. Në ngjashmërinë e të shëllërurit mbi një rrasë shkëmbi, strukej e vërteta sepse në pandierësinë e rënies së përgjumjes mbi kapakë sysh shpresoi të gjente gjendjen e kllapisë dhe diku në hapësirën e saj edhe vetë Obllomovin. Idea dështoi nga çasti kur u mishërua në seks dhe grahu drejt masturbimit. Një puthje duke futur gjuhën brenda gojës përçon pasi ka prekur të dy buzët. Franceze. E puthura. Kur ia tha Obllomovit ditë më parë, ai rrudhi buzët në shenjë mosaprovimi. Nuk qe duhuri e puthura, sipas tij... “mjafton të zgjedhësh femrën e duhur”, - pëshpëriti sikur të qe duke numëruar grahmat pa u merakosur për përmbajtjen; domethënë një shpjegim të nënkuptuar të kënaqësisë lakuriq larg buzëve dhe frymës së kushtëzuar nga karia. “Ku ta gjesh një të dashur të tillë?!”. Kundërshtoi D. Ngriti një vërejtje më këmbë duke përdorur qesëndinë si themel ndërkohë që nervozizmin e la për në fund. “Mos dashuro sepse kështu do të kërkosh të puthësh, gjej një femër, - këshilloi, - jo të dashur... - veçoi, - si unë, - shtoi pas një pushimi të shkurtër, - femra që më ndjek është tip centauri”, - pohoi  papritur. Zëri i plogët theksoi parëndësinë e një qenësie antropologjike tjetërsoj. Njëherësh zvogëloi edhe pasojat shkatërruese që mund të përfytyroheshin; gjysmë njeri dhe gjysmë kalë, por meqënëse ishte femër atëhere dy gjysmat qenë vajzë e pelë. D e pa hutueshëm. Sëfundi Obllomovi lëshoi një buzëqeshje falas kaq të ngjashme me frutat e motësuara. Mendoi se një gjest të tillë njeriu e bën për t’i dhënë vlerë diçkaje për të cilën nuk rropatet kurrë. Por ishte i bindur se ashtu sikurse një qenie paranormale edhe mikut të tij diçka i kishte kushtuar. Sikur të qe një skenë filmi, tjetrit do t’i kishte rrjedhur gjak nga hundët derisa t’i binte alivan. Nuk qe falas... mendoi dhe e shpërfilli vetveten në hallakatje sepse shndërimi i vështrimit në këqyrje në mos i jepte fund dyshimit të paktën e ndihmonte. Sidoqoftë dukej sikur thoshte: “Oh, mos më lodh sëkoti. Bëj durim, tashmë vjen dhe do ta shikosh.”. Ishte pak a shumë e kundërta e përshtypjes. Pastaj duke treguar një unazë sipër tavolinës, tha: “Çoje te muri posht dritares, vendose pikërisht në rrëzë, - porositi - dhe ulu” - bëri shenjë. Vështrimi i tij sëfundi u boshatis nga përmasat e kolltukut kur D e pushtoi duke u fundosur në butësi. Pas pak ra një heshtje tepër e thellë, mostjetër ata kishin fundëruar në apati. Pak çaste mjaftuan për ta gërmadhuar gjendjen. Një e fërshëllimë e lehtë përkoi me pezmin nervor të pritjes. D do ta kishte pranuar sikur të qe vapëherë dhe ai në një luadh diku përtej një korije drurrallë, insekte dhe dihatje, por jo aty në një dhomë. Vetëm duke hapuar në ritmet e frymëmarrjes së Obllomovit kuptoi që dilte nga njëra vrimë e hundës. Me sa duket në kanalet e saj kishte mbetur ndonjë kakëz gjysmë e thatë që e pengonte ajrin të hynte e dilte pa ndalë. Në një fjalor kishte lexuar se fjala ‘skandal’ ishte me origjinë greke përkthehej ‘pa pengesë’, vetëtimthi i shkoi mendja se pa pengesë në gjuhën e tij thuhej edhe :‘Ska ndalë’. Do ta kishte ndarë me shokun gëzimin e këtij zbulimi por e fshehu diku nën buzën e poshtme sikundër bën dikush që shikon një monedhë por i ve këmbën sipër dhe pret që vështrimet e të tjerëve të shpërqendrohen për ta marrë. Nuk ndihej i qetë dhe kaq herë u mat t’i thotë: Fute atë dreq gishti tregues në vrimë për ta pastruar atë gjënë bajate! Lëvizi kaq herë vendit sikur posht të ndenjurave të kishin mbirë gjemba. I ra në sy edhe Obllomovit që pyeti nëse ndihej rehat dhe D u përgjigj me gjysmë zëri po... nëse... “Nëse?...”. “Erdhi,” - tha D i lehtësuar që nuk do të jepte një shpjegim. Në korridor u dëgjua një trokitje takash e fortë dhe e prerë, aq sa dukej sikur qe ling njëthundraku. Nuk kishte një jehonë boshllëku ndërmjet sikundër ndodh përshembull midis gjëmimit dhe vetëtimës, gjë që ndihmon të përcaktosh largësinë me saktësi. “Është ajo” - pëshpëriti Obllomovi dhe e shtriqi trupin në divanin tre vendesh ku rrinte gjithmonë gjysmështrirë si për të mos lënë asnjë gisht hapësirë bosh. Brenda u dha një femër që luhatej midis tridhjetë e tridhjetë e pesë viteve, më shumë trupgjatë se e bëshme, ndërsa miset ishin vërtet sa për sy e faqe, diçka e samtë, dhe D shfrytëzoi rastin për tu hakmarrë sepse e përqasi pak a shumë me një sallatë të lyrosur me vaj soje që kohët e fundit kishte filluar ta përdorte për të ulur kolesterolin. Megjithatë trupi i linte në hije të gjitha mbresat e tjera. Minifundin dukej sikur e kishte veshur enkas për të hedhur posht thënien se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra. Lejonte të dukej aq sa mjaftonte për të përdorur pa merak fjalën ‘shalë’ në vend të këmbë. Në këtë rast për D u bë e pamundur të gjente ndonjë shprehje tjetër për ta rrënuar me kënaqësi, megjithëse mbiemrat ‘shalëgjatë e shalëngjitur’ feksën një çast në tru sepse duke vështruar përvijimin e linjave deri sipër, tha me vete se s’mund të klasifikonte pa e njohur ende. Ajo, përshëndeti me kokë jo aq për të ngjyrosur me gri  mosvënien re të D, kotësi joshqetësuese, se sa skicimin e një parabole në parathënien e të cilës njihte te vetja mungesën e bukurisë por pa e pranuar. “Ja e tërë gjendja”, mendoi D i kënaqur në shpjegim. “E dashur, - tha befas Obllomovi, - të lutem merre pak atë unazën atje rrëzë murit...”. Tjetra, me dy hapa u ndodh te vendi dhe në përkuljen e saj të ngeshme, zbuloi një palë vithe të jashtzakonëshme. Tunduese. Tmerrësisht joshëse. Ajo femër nuk kishte nevojë për tipare. Duke parë edhe njëherë kalimthi vithet e saj e vetmja dëshirë ishte ta shalonte. D u kthye nga Obllomovi dhe në mirkuptimin e një buzëqeshjeje të qetë i tmerruar vuri re se miku i tij kishte pritur kaq kohë që një kumtëri ndjenjash, e fjalësh shoqëruese e përshkruese ta përmblidhte në një çast të vetëm e në një veprim të origjinal, përkuljen, për t’i dhënë goditjen përfundimtare. Rrënoi një pafundësi gjendjesh. E pa me admirim.



Nessun commento:

Posta un commento