giovedì 10 marzo 2011

Klonim i përsosur i majmunërisë.

Të qenët ndryshe seksualisht. Bëhet problem kombëtar. Basoreliev. Ngjarjesh mesjetare. Duken si personazhë muzeumesh, gjithfarë llojesh, shfrytëzojnë ditën kur hyrja është falas për të dalë. Bëjnë të kundërtën. Dalin nga kuadro, nga portrete, terrakota, duke lënë korniza bosh pa dhënë ndonjë ide braktisjeje. Turmë burrash që protestojnë. Logjikisht duhej të ishin gra – femra, të kërcënuara prej konkurencës. Përse turmë burrash? Çfarë frike kanë meshkujt nga të tjerë “meshkuj” seksualisht ndryshe të përshtatur? Duket se shndërimi ka më shumë fuqi e peshë se shnderimi. Harrojnë (bëjnë sikur) që rrugëve të një shteti tjetër kanë lëshuar vajzat e motrat. (adresa: SS, SR, SP, Rrugë Shtetërore, Rajonale, Provinciale, numrat s’kanë vlerë meqënëse adresa është e lëvizëshme si një cirk.) Ndoshta është punë, meqënëse quhet zanati më i vjetër në botë. Ndoshta. Në rastin e prostitutave shqiptare TV hesht dhe mirë bën sepse duhet të ruajë atë ç’ka mbetet në thelb të qenies që shfrytëzohet, por duhet të veprojë e njëjta logjikë në rastin e djalit që deklaron hapur se është ndryshe seksualisht. E çon në kullën e flijimit ndërkohë që aty duhet të përfundojnë turma e nxitur prej kishës katolike që ngrihen dhe protestojnë. Përse nuk ndodh? Komedi ekuivokësh? Euripidi do ta kishte zili dhe ndoshta do të na kishte dhënë ndonjë variant më të mirë të Ifigjenisë në Aulidë. Ndoshta është kështu. Po edhe jo, dyshim deri në provën e kundërt. Kush mund ta hedhë posht? Askush. Por... ka mjaft gjasa që të jetë i kurdisur, dua të them një deklarim jo të vërtetë por i bujshëm. E vërteta u fshihet të tjerëve, atyre që duhet të shërbejnë si mashë për nxjerrjen e gështenjave nga zjarri. Dhe këta janë masa – masha – mrekulli fenomenesh gjuhësore; herë të quajtur sinkopë (kur “mashë” shndërohet në “masë”, eliminim tingulli brenda) dhe herë epentezë, sipas leverdisë, (shtim tingulli) “h” në mes dhe “masa” bëhet sërish “mashë”. Pas kësaj “kërshëria” (sikur të jetë një majmun  apo kafshë e rrallë e ardhur nga ...)  ngrihet si një kurbë edhe pse simotra e saj lakohet gjithmonë e më shumë, kurriz servili që i thurr lavde pasurimit dhe poshtërimit. Duke i tërhequr drejt greminës ata. Fatshënuarit. Ata që janë “brenda” tashmë mitokondrikët, elementët e qelizës “jashtë” bërthamës, antiteza që prodhon energjinë e duhur, alias pasurinë. Është çfarë i intereson TV. E kap vëmendjen vetëm për ta “bombarduar në masë”, reklama – biznesi, paratë, vipet kokëbosh, lumë i nëndheshëm që rrjedh drejt atyre që nuk dalin kurrë në ekran. Drejt xhepave të politikanëve sharlatanë. Një natyrë parabolike, e pa-nënkuptuar diktatoriale. Çkuptim ka të kritikosh qeverinë ose çdo fenomen negativ të jetës, kur nga ana tjetër mbjell iluzionin e një mirqenieje të krijuar thjesht mbi pallavra? A mjaftojnë hekurat e një kafazi për të bërë dallimin midis atij që është mbyllur brenda nga pjesa tjetër, populli, që edhe pse rri jashtë nxitet drejt imitimit duke u shndëruar kështu në mënyrë të pandishme por të shkallëzuar në majmun? Një shembull i përsosur se si klonohet veprimi, qëllimi dhe bota e brendeshme shpirterore duke e lënë të pangarë formën e njeriut.


Nessun commento:

Posta un commento