mercoledì 30 marzo 2011

“Gruaja e lumtur!?”.

Kishte pasur muzikë në ajrin e thithur dhe ajo nuk gjeti kurrë fjalë për t'i zhytur në atë mirëz melodie?
Ishte një çast dobësie apo poshtërsie?
Dhe kur ai e pyeti: - Përse qan? - duke i vënë dorën lëndimthi mbi sup, ajo ia largoi me një anim paksa të trupit. Ishte një gjest i pakapshëm për vështrimin, thuajse një lëvizje e kockave nën lëkurë por i mjaftueshëm për të rrëzuar një pikëz uji të rënë rastësisht mbi lakuriqësi. Ngjethësirë. Për një çast desh t'ia kapte dorën dhe t'ia shtrëngonte sikurse bënin sa herë që e shprehnin dashurinë për njëri tjetrin pa joshur tepricë fjalësh në thurrimën e ndjenjave, por hoqi dorë ngaqë e kuptoi se çasti tashmë bënte pjesë në kronologjinë e një të ardhmeje tjetër ku ai nuk qe i pranishëm.

* * *

- Kjo është lumturi, - pëshpërin pa e fshehur zilinë për shoqen. E kishte dëgjuar tregimin e tjetrës duke u munduar herë pas here ta fuste veten në atë ngjarje. E zhvendoste figurën e tjetrës dhe vendoste veten. Veprimi i parë kryhej lehtë gjë që e gëzonte, pastaj kërkoi të bënte edhe një ndryshim tjetër por hasi në pengesë; ta lëvizte burrin e tjetrës dhe të vendoste të sajin; qe e pamundur. Dukej si një rrëfim i shkruajtur në një faqe PDF. “E pamundur ta mënjanonte burrin e shoqes e të vendoste burrin e saj.”. Përsëriti mendimin si për të bindur dikë tjetër brenda vetes duke dashur ta përgjysmojë dëshpërimin. Në fakt kur e kuptoi se nuk ishte një moment dyzimi, pranoi se bëhej fjalë për të qetësuar veten nga mendime të paudha. Pas kësaj orvajtjeje të kotë dilte nga skenari dhe rikthehej te rrëfimi i shoqes. Kështuqë kur e përkufizoi rrëfimin si një shfaqje lumturie, nuk bëri gjë tjetër veç i mbylli kllapat. Ishte njëlloj hipokrizie që mbeti e pa kumtuar.
Shoqja tha se kur u kthye nga masteri, burri e priti në aeroport. Pastaj si zakonisht në makinë ndonjë shtrëngim dore, ndonjë shkëmbim i rrallë fjale dhe natyrisht më pak vështrime. Ajo e gjykoi thjesht një përkujdesje për të mos u zhytur në parakohën e ndonjë trallisjeje të rrezikëshme. Edhe pse frazën e shqiptoi në profil si për ta bërë më të rrëqitëshme domethënien ajo vazhdoi në përshkrim: Do të ndalte makinën, - tha - dhe duke u futur në ndonjë rrugë qorre apo ndonjë rrugë fshati, do të lëshohej si një egërsirë mbi prenë e vet ndërsa unë ç'mund të bëja tjetër veç të dorëzohesha e kënaqur në kthetrat e tij pas kaq kohe larg njëri tjetrit por edhe... ngaqë...
- Drenusha ... - i çuçuriti njëherë... - e le veten të vdesë sepse vetëm atë çast provon shijen e lotëve ...
Mendoi se do ta çonte te shtëpia me qera. Por jo...e çoi te një shtëpi tjetër dhe para derës, ajo vështroi e hutuar, po dridhej pa kuptuar...vërshonin ndjenja të ndryshme madje edhe parandjenja, sëfundi u mbyt, mbeti pa frymë kur ai u fut i pari dhe me një reverancë elegante e ftoi atë brenda.
- Kujdes shkel me këmbën e djathtë! - vërejti. Oh, patjetër, e dinte kaq gjë. Ajo hodhi hapin e parë ndërkohë që ai i tha: - Është shtëpia tonë, foleja tonë...E bleva.
- Oh ç’befasi! Lotët filluan të rrjedhin të nxehtë nuk dija çfarë të bëja nga lumturia... Më fal...e teprova.
- Asgjë, është e natyrëshme, - mërmërit duke i kapur dorën shoqes.
- Kjo është lumturi... - shqipton tjetra me një zë puhizë.
- Kjo është lumturi, - përsërit ndërsa kujton ngjarjen.

* * *

Me Z, burrin e shoqes takohet pas dy javësh. Rastësisht. Pas pyetjeve të rastit ai e fton në shtëpi.
- Jemi dy hapa larg, - thotë. - Eja, - ngulmon me një gjest që nuk lejon kundërshtim dhe fjalë të shqiptuara në përshpejtim për të shmangur çdo keqkuptim. Pranon heshtur. Patjetër brenda do të gjejë shoqen dhe përfytyroi paraprimë kohën që do të kalonin sëbashku. “Ndonjë orë, - i tha vetes, - në llafazanërira të rëndomta por që do të puqeshin kaq mirë me mërzinë e shiut.”.
- Ku është? - pyet purpur në fytyrë sapo gjendet brenda.
Buzëqeshja në fytyrën e tij humbet si një përhitje mëngjesi.
- Kjo është shtëpia që kisha me qera, - thotë. - E mbaj për njerëz shumë të çmuar... si ty... - pëshpërit duke iu afruar aq sa thuajse ndien frymën e tij në fytyrë... - Drenusha...
- E di, - thotë ajo pa e larguar, me një ton nënshtrimi, - e le veten të vdesë sepse vetëm atë çast provon shijen e lotëve...
Duart e tij ishin ngatërruar midis kofshëve dhe po ngjiteshin lart deri te mbathjet. Ishin të gjitha veprime që i la qëllimisht sepse duhej të mbrrinte në atë pikë kur duhej të vendoste.

* * *

- Nëse kjo është lumturi, - thotë, - më mirë që nuk e di...
Burri i saj e dëgjon por mbyllet brenda heshtjes dhe ajo për herë të parë pyet veten se sa kohë kanë që pllaquriten në kalfëtirë.
             “Oh, nuk shkoi me burrin e shoqes për t'i treguar se nuk kishte as një grimë lumturie në jetën e saj, përkundrazi, ishte fatkeqe... Jo, cmira nuk hynte fare..."

* * *
Dashuri e mjeruar.”.

Remo Koçiu - Të drejtat janë të autorit.



Nessun commento:

Posta un commento