mercoledì 30 marzo 2011

“Dashuri e zhvleftësuar”

Ai tha:
- Ajo iku në ditët e para të vitit. E ke parasysh uljen e çmimeve që bëhet në dimër, uljen e parë? Doli nga shtëpia duke thënë se po dal të bëj shooping dhe nuk u kthye më.

“Gruaja e lumtur!?”.

Kishte pasur muzikë në ajrin e thithur dhe ajo nuk gjeti kurrë fjalë për t'i zhytur në atë mirëz melodie?
Ishte një çast dobësie apo poshtërsie?
Dhe kur ai e pyeti: - Përse qan? - duke i vënë dorën lëndimthi mbi sup, ajo ia largoi me një anim paksa të trupit. Ishte një gjest i pakapshëm për vështrimin, thuajse një lëvizje e kockave nën lëkurë por i mjaftueshëm për të rrëzuar një pikëz uji të rënë rastësisht mbi lakuriqësi. Ngjethësirë. Për një çast desh t'ia kapte dorën dhe t'ia shtrëngonte sikurse bënin sa herë që e shprehnin dashurinë për njëri tjetrin pa joshur tepricë fjalësh në thurrimën e ndjenjave, por hoqi dorë ngaqë e kuptoi se çasti tashmë bënte pjesë në kronologjinë e një të ardhmeje tjetër ku ai nuk qe i pranishëm.

* * *

- Kjo është lumturi, - pëshpërin pa e fshehur zilinë për shoqen. E kishte dëgjuar tregimin e tjetrës duke u munduar herë pas here ta fuste veten në atë ngjarje. E zhvendoste figurën e tjetrës dhe vendoste veten. Veprimi i parë kryhej lehtë gjë që e gëzonte, pastaj kërkoi të bënte edhe një ndryshim tjetër por hasi në pengesë; ta lëvizte burrin e tjetrës dhe të vendoste të sajin; qe e pamundur. Dukej si një rrëfim i shkruajtur në një faqe PDF. “E pamundur ta mënjanonte burrin e shoqes e të vendoste burrin e saj.”. Përsëriti mendimin si për të bindur dikë tjetër brenda vetes duke dashur ta përgjysmojë dëshpërimin. Në fakt kur e kuptoi se nuk ishte një moment dyzimi, pranoi se bëhej fjalë për të qetësuar veten nga mendime të paudha. Pas kësaj orvajtjeje të kotë dilte nga skenari dhe rikthehej te rrëfimi i shoqes. Kështuqë kur e përkufizoi rrëfimin si një shfaqje lumturie, nuk bëri gjë tjetër veç i mbylli kllapat. Ishte njëlloj hipokrizie që mbeti e pa kumtuar.
Shoqja tha se kur u kthye nga masteri, burri e priti në aeroport. Pastaj si zakonisht në makinë ndonjë shtrëngim dore, ndonjë shkëmbim i rrallë fjale dhe natyrisht më pak vështrime. Ajo e gjykoi thjesht një përkujdesje për të mos u zhytur në parakohën e ndonjë trallisjeje të rrezikëshme. Edhe pse frazën e shqiptoi në profil si për ta bërë më të rrëqitëshme domethënien ajo vazhdoi në përshkrim: Do të ndalte makinën, - tha - dhe duke u futur në ndonjë rrugë qorre apo ndonjë rrugë fshati, do të lëshohej si një egërsirë mbi prenë e vet ndërsa unë ç'mund të bëja tjetër veç të dorëzohesha e kënaqur në kthetrat e tij pas kaq kohe larg njëri tjetrit por edhe... ngaqë...
- Drenusha ... - i çuçuriti njëherë... - e le veten të vdesë sepse vetëm atë çast provon shijen e lotëve ...
Mendoi se do ta çonte te shtëpia me qera. Por jo...e çoi te një shtëpi tjetër dhe para derës, ajo vështroi e hutuar, po dridhej pa kuptuar...vërshonin ndjenja të ndryshme madje edhe parandjenja, sëfundi u mbyt, mbeti pa frymë kur ai u fut i pari dhe me një reverancë elegante e ftoi atë brenda.
- Kujdes shkel me këmbën e djathtë! - vërejti. Oh, patjetër, e dinte kaq gjë. Ajo hodhi hapin e parë ndërkohë që ai i tha: - Është shtëpia tonë, foleja tonë...E bleva.
- Oh ç’befasi! Lotët filluan të rrjedhin të nxehtë nuk dija çfarë të bëja nga lumturia... Më fal...e teprova.
- Asgjë, është e natyrëshme, - mërmërit duke i kapur dorën shoqes.
- Kjo është lumturi... - shqipton tjetra me një zë puhizë.
- Kjo është lumturi, - përsërit ndërsa kujton ngjarjen.

* * *

Me Z, burrin e shoqes takohet pas dy javësh. Rastësisht. Pas pyetjeve të rastit ai e fton në shtëpi.
- Jemi dy hapa larg, - thotë. - Eja, - ngulmon me një gjest që nuk lejon kundërshtim dhe fjalë të shqiptuara në përshpejtim për të shmangur çdo keqkuptim. Pranon heshtur. Patjetër brenda do të gjejë shoqen dhe përfytyroi paraprimë kohën që do të kalonin sëbashku. “Ndonjë orë, - i tha vetes, - në llafazanërira të rëndomta por që do të puqeshin kaq mirë me mërzinë e shiut.”.
- Ku është? - pyet purpur në fytyrë sapo gjendet brenda.
Buzëqeshja në fytyrën e tij humbet si një përhitje mëngjesi.
- Kjo është shtëpia që kisha me qera, - thotë. - E mbaj për njerëz shumë të çmuar... si ty... - pëshpërit duke iu afruar aq sa thuajse ndien frymën e tij në fytyrë... - Drenusha...
- E di, - thotë ajo pa e larguar, me një ton nënshtrimi, - e le veten të vdesë sepse vetëm atë çast provon shijen e lotëve...
Duart e tij ishin ngatërruar midis kofshëve dhe po ngjiteshin lart deri te mbathjet. Ishin të gjitha veprime që i la qëllimisht sepse duhej të mbrrinte në atë pikë kur duhej të vendoste.

* * *

- Nëse kjo është lumturi, - thotë, - më mirë që nuk e di...
Burri i saj e dëgjon por mbyllet brenda heshtjes dhe ajo për herë të parë pyet veten se sa kohë kanë që pllaquriten në kalfëtirë.
             “Oh, nuk shkoi me burrin e shoqes për t'i treguar se nuk kishte as një grimë lumturie në jetën e saj, përkundrazi, ishte fatkeqe... Jo, cmira nuk hynte fare..."

* * *
Dashuri e mjeruar.”.

Remo Koçiu - Të drejtat janë të autorit.



venerdì 11 marzo 2011

Skicë shpërfytyrimi...

Po mundohesha të përfytyroja një ditë që kalon pa shkruajtur gjë, pa një mendim. Një dialog që të shkon ndërmend sikur të jetë bërë diku me njerëz pa fytyrë, vegimorë. Hije. Ngrysore. Ndonjë zëri të largët, thuajse i huaj, duhet t’i bashkangjitësh ngjyrat e zbehta të perëndimit dhe ngrohtësi shpirti për të mos e harruar. Faqe libri mbi një fletë e shënuar, një adresë ku gjendet përligjja e mendimit tënd. Të përfytyroj skeletin e një dite që e le pas sikundër shtëpitë e vetmuara majë kodrash, aty - këtu pemësh, shtylla elektrike dhe tela tensioni të lartë. Përzgjatje e një lëmshi që s’mblidhet kurrë. Krahasimi i fijeve elektrike me lianet që lidhin pemët me njëra tjetrën sëfundi të çon drejt mendimit: “Në to kacavirret vdekja.”.  Përsiatje e dëshiruar sepse provon mbi lëkurë ndiesi mornicash. Buzëqeshja e trishtuar i përqaset pellgut që pret zhytjen e një këmbe për tu turbulluar; ankth - ndëshkim i gruas së martuar që besnike vetëm të dashurit i ka qëndruar. Ndodhi ushëtimesh. Imazhet mospërfillëse rendin lingth, rrëshqasin mbi xhamin e makinës, pa u ndalur kurkund dhe ti kupton se janë të dikurshme... “di – kur...” i thua vetes dhe i bën vend në fytyrën tënde dinakërisë së një buzëqeshjeje... “Unë e di kur – përsërit.”.

Nga mëngjesi në mbrëmje.

Ngrihet nga gjumi. Në një dorë sekondash dhe qenia e tij përvijohet; ulur buzë krevatit, zbathje këmbësh e nënkuptuar ngaqë i ftohti i pllakave pickon thembrat, kurrizi gati i përkulur kryen një lëvizje të lehtë lavjerrëse para mbrapa, ndërsa gishtrinjt e çaplyer të pëllëmbëve fërkojnë gjunjët të ndikuar. Ngulmuese. Si për të çmpirë e çliruar kryqet prej ngërçit. Mbi të gjitha ka përshtypjen se i mungojnë fjalët. Boshllëk shpërqendrues, veçanërisht për një shkrimtar. Ndihet i hutuar e paksa i çoroditur, rrethana që fjalëve të bukura, elegante, nuk u pëlqejnë. E qartë. Çështja është se boshësia nuk i afron as vetveten. Një vazo, pa lule e pa një grimë dheu nuk është vazo. Mungojnë në apel edhe fjalët e tjera, të rëndomtat, fyeset, janë më të kollajshme në përdorim, epshshfryrëse, madje i përshkruajnë rrethanat anonime në një shthurrje të mrekullueshme. Te e fundit, ka lumenj me ujë të kulluar dhe plot pirana që t’i xhveshin kockat aq shpejt sa të bëjnë të dyshosh në ekzistencën e kohës, sikurse edhe ujëturbull ku noton pa merak. Shqyen sytë duke kërkuar shenja të njohura që duhet ta ndihmojnë të përcaktojë se kush është? Ku është? Por edhe pyetjet ngurrojnë. Flatrojnë heshtur si një vegim. Pra, përjashtohet ndonjë ëndër trallisëse dhe e ankthshme që përndjek deri në kohëzgjim duke mbetur më pas një njollë e errët diku në horizont.
- Ëndrat janë si lakuriqë nate, - tha njëherë.
“Tha njëherë?”. Atëhere, ai, mund të përdorë fjalë që i përkasin të kaluarës! Në njëfarë mënyre është përjetim. Jo edhe kaq ngazëlluese, por gjithmonë më mirë se asgjë, tepër e vyer në mungesë të fjalëve. Ajo fle. “Paq”. Nuk e di nëse ajri hyn apo del nga buzët e saj paksa të shkëputura prej njëra tjetrës. Në një rrezëllimë kupton se pikërisht kjo gjë pohon pafundësionë e qenies sepse nga një trup (këqyr një pjesë lakuriqësie që i ka shpëtuar mbulesës. Bardhësi kofshe.) qoftë edhe i brishtë, pra nga brendësia vjen edhe stuhia. Detyrohet vetëm të perceptojë, të prekë, nuhatë, të ndiejë ... ah shijojë! Çfarë kishte ndodhur që ndihej i braktisur ?... Oh, jo. Braktisje është fjalë e tepërt ... “Do ta kishte thënë dikur për tu kundërvenë”, e zbut mbresën sepse e përcjell fajin gjetiu. Të gjitha përkufizohen, përveç përfoljeve. Ngjizi buzëqeshjen në tharm ironie, për lezet dhe ia mbrriti qëllimit sepse vërejti në fytyrën e saj një mbresë hidhësie...Tashmë, pa ditur nëse duhet të gëzohet apo ta quajë një humbje të rëndë, nga ato që e bëjnë jetën të vështirë dhe vazhdimësinë një pendesë pafund, me hapa të ngadalshëm, sikur të çapitej në mjegull dhe i ndjekur nga pasiguria, drejtohet në kuzhinë. E kllapon një shpresë e vakët se kujtesa diçka duhet ta ketë zvarritur, jo për mëshirë ndaj tij se sa për veten e vet. “Kujtesa që s’ka asgjë për të kujtuar, së ekzistuari prej kohësh ka pushuar.”. S’mban mend se kur e përse e shprehu këtë mendim dikur. Ah po, në korridorin ku po çapitet, duke thirrur madje, sikur të qe duke recituar Shekspirin, jo diçka prej tij. Në fund të fundit do të kishte qenë njësoj parë me sytë e paragjykimit. Pastaj buzëqesh sepse rëndom lexuesi nuk përndan veprën nga krijuesi dhe kjo është një pakujdesi që e vuan krijuesi.
Këmbët e shtynë vetiu drejt kuzhinës. Fillon të përgatisë kafenë në shprehi gjestesh të njohura. Xhezvja mbi flakën spërdredhëse ngjyrë blu-lejla duket si një balerinë patinazhi përherë në piruetë. Nuk rrëshqet. (Ah ajo bardhësi kofshe...do të dëshironte që dora të mbështetej mbi të dhe pastaj të rrëshqiste mbi lëkurë...) Bën një gjest me dorë si për të fshirë imazhin dhe largohet nën përshtypjen e pavënëresisë. Bën sikur ... I ngjan një kafshe grabitqare që i sillet rrotull presë duke vizatuar rrathë të padukshëm frike. Do të rikthehet i tërhequr nga aroma e kafesë, me bishtin ndër shalë sepse është një ves joshës. Mbretëresha e mëngjesit. Kafeja. Gjithçka e kryen si një sonambul. Pra, jeta e tij ka pësuar. Varet nga instiktet. Në kushte të tjera do ta shpjegonte si gjendje mëdyshjeje, pastaj, do të fundëronte derisa këmbët të preknin tabanin. Aty është shkaku, përshembull; nënvleftësimi. Mirëpo diçka e tillë i takon sëkaluarës dhe ai nuk është më andej, kështuqë, s’bëhet fjalë për një humbje e aq më pak për një mungesë kaq ndërlikuese. Flitet për një tejbartje. Vendndodhje ku prania mungon. Realitet paralel. Ku fjalët kanë vdekur nga ndonjë molepsje e beftë ose nuk kanë lindur fare. Nuk e trazon kushediçë çrregullimi i logjikës dhe ajo renditje veprimesh të diktuara nga një hapësirë minutash e sekondash që s’lejon shkelje kufijsh sepse banja është një dhe ata janë dy, se sa fakti që pas pak (s’dihet me saktësi kur) do të dalë dhe në mungesë të çdo lidhjeje me mjedisin e ri, s’mund të dijë se me çfarë do ta përballë e ardhmja e menjëherëshme, pas pragut të derës. Ndaj i duhet ajo. Por ajo fle. Fle. Është ende në kapërcyell. Të paktën shpreson sepse nuk i beson braktisjes.
“Fle” - do të qe pohim pa shtojca. Një përshkrim ose dy penelata për të skicuar më tej mendimin, duke i dhënë ngjyra të forta vëzhgimit ose finesë akuareli. I bërë pa dëshirë. Pëlqente ta linte fjalën vetëm sepse lexuesi pastaj do ta përvetësonte më lehtë duke e trajtuar si gjumin e tij, sipas mënyrës së tij, por ajo duke lexuar frazën kishte bashkuar vetullat duke krijuar pamjen klasike të harkut dhe ai priti një shigjetë çpuese vështrimi, në fakt asgjë nuk u tendos, vetëm se me dëshpërim pëshpëriti:
- Domethënë nuk të pëlqen të flesh më në një krevat me mua!
Iku e zemëruar.
Asnjë mundësi sqarimi.



Në kushte të rëndomta, mund të thoshte “Fle si një shqerrë ose është me lejë të përkoshme letargjie”. Pikërisht ajo “në kushte të rëndomta” i zgjon përbuzje për botën që sapo e la dhe se në një sapo tjetër, të pangurtësuar fillon të adhurojë atë që e pret. “Të panjohurën - mund të thuhej, - gëzon respekt sepse ngjall frikë.”. Ndoshta duhej të kishte marrë diçka me vete. “Pare xhepi” i quante me shpërfillje gjëra të tilla që ishin si fondi i humbur i një banke, mirëpo ai sapo kishte përfunduar një udhëtim. Në botën e dikurshme la krizë dhe vithisje në përmasa kolosale. Veç kësaj i urren valixhet. I kujtojnë përherësi përsosmërie. Exactmo’! Nuk ekzistojnë valixhe që mund të përfshijnë brenda gjithçka. Papërsosmëria besnike e vetvetes është përsosmëri në një farë mënyre. Kaq e vërtetë sa kthehet kundër vetes, kështuqë nuk i shpëton përbuzjes. Rasti e solli të zbulojë se ndodhet edhe pa parime. “Jo keq!”. (ndërsa ajo është pa mbathje. Sërish bardhësi kofshe. Torturë.) “Jo keq!”. Do të kishte thënë dikur. Problemi është se duke mos pasur fjalë në përdorim, nuk di nëse duhen edhe përkufizimet. Rreziku është se mund të jetë një botë amorfe, qenie qull, ku gjithçka pranohet pa asnjë stres, tronditje. Në një shumfishim ndjenjash. Frika e torturës së mirëfilltë përthyhet si hije brenda qenies. Ngushëllohet vetëm ngaqë, pa logjikë, arsyetime, gjykime, e gjëra të llojit, (konceptet i zhduku nga skena me një goditje të vetme dhe tashmë sodit pahitjen befas të qenies së tij në një dukuri të pa njohur më parë), pra, ngushëllohet sepse pa pajën e andejshme, u mungon shkaku i të ekzistuarit këtej. Mendime apolidike. Tepër të flashkëta. Atëhere, (do të pyeste) përse frika? Dikur talleshin. Në anën e kundërt i quanin fenomene paranormale, vegime. Brishtësi e paprekëshme.

Fllad.
Avulli i hollë, që çliron sipërfaqja e nxehtë e kafesë, humbet në rrëshqanën e tij drejt qiellit, ka diçka të përbashkët me plogështinë e së zakonëshmes. “Për një filxhan kafeje, qielli nuk duhet të jetë më larg se tavani i bardhë i kuzhinës dhe drita në mes si puna e diellit.”. Edhe këtë do ta kishte thënë dikur, duke parë andej këtej, koka lart për të treguar planetët, ndërsa ndonjë endëz merimange, e rastësishme, punë e një nate, do ta përqaste me nebulozat, e në të njëjtën ndërkohë, me një pikëllim të pashpjeguar, një pëllëmbë nën kupën qiellore, do të vërente vrimën e oxhakut sikur të qe vrima e zezë në qendër të galaktikës dhe do të theksonte grykësinë që gëlltit në përherësi çdo gjë që kthehet në tym. Davaritje. (Sikur ta zbulonte dhe sikur ajo të qe vërtet lakuriq...dora do të shkonte drejt... horizonti i ndodhive)Thuajse po ajo gjë ndodh me besnikërinë e të qenit i martuar që i besohet shtrëngimit unazor sëkoti, sepse asnjë fjollë s’mund ta lidhësh. Ndjenjat rrjedhin vetiu. Përndryshe, nxit këputjen e rrethit dhe çfarë mbetet është çështje relikesh. Nga një unazë mësojmë se filani ka qënë i martuar, por nuk dimë nëse edhe e kanë dashuruar.  
Sidoqoftë sëbashku me kafenë, në rrufitje të ngeshme, i shpenguar (në fund të fundit nuk është edhe aq keq pa mendime, e sidomos pa vërejtje) dhe pa folur, “Eh!”, fillon të shijojë grimcat e para të një kënaqësie veças që shkakton të qenët pa gjuhë. Shfaqet një botë ndryshe, ku nuk njihet humbja e kohës e zbërthyer në imtësira njimtare, në sorrollatje pafund ndër fjalësh, foljesh, emrash, mbiemrash e... (këta asnjëherë nuk i kishte përtypur sepse për veti të çonin drejt e në vend. Domethënë i jepnin fund endjes dhe e papritura që afrojnë shpesh është tronditëse. Veçanërisht kur të shpien te një gur varri) e mbi të gjitha në gërmëre të tilla si mbaresa, para e prapashtesa, nyje të përparme e të pasme, tërësi shenjash gramatikore që e bënin botën e mëparëshme të vështirë e të mbingarkuar me besdi.



- Bota do të qe më e thjeshtë, përshembull, sikur femra t’i kishte nga e njëjta anë e trupit sisët e vithet.
- Përse? - pyeti.
Ishte vërejtje e një transi që kishte dëshirë të fliste.
Tjetri e quajti këndvështrim dhe vijoi:
- Sepse të qenët nga e njëjta anë e trupit e sisëve dhe e vitheve, çka do t’i ndante njerëzit do të qe vetëm organi i riprodhimit, dua të them se vithet janë universale dhe çdokush do ta gjente veten te të dy gjinitë, - dhe pas një pushimi të shkurtër, shtoi, - do të humbiste koncepti organ seksi. Që, duke mbetur fushë e lirë, do të prehej në hapësirën e dëshirës, - tha tjetri thuajse me pikëllimin e një shtërzimi të kotë. Zakonisht ndodh kur flitet për një pamundësi.
Pastaj kishte ndërhyrë:
- Kështu meshkujt do të jenë më të shpërqëndruar në mungesën e kohës për të vlerësuar.
Nuk qe vërejtje. I dha të drejtë padashur, ose thjesht ngaqë i pëlqeu si batutë edhe pse kundërshtimi i tjetrit prekte membranë zemërimi sikundër një burim uji që duke qenë pjellë e rrëzës shpesh qullos veten.
- Jo, - tha, - do të qe një botë pa paragjykime! Prapanica i vetmi burim kënaqësie, njerzit nuk do të kishin kohë të shikonin tiparet, ose do tu kushtonin po atë rëndësi që sot i dedikojmë anës së poshtme të tavolinës.
Kishte menduar se qe një titull shkrimi. Fillimisht.
- Një botë sipas teje, - përsëriti thuajse nëpër dhëmbë.
- Një botë sipas meje është një botë e barabartë.
Tjetri ishte përgjigjur me një ton çuditërisht mashkullor që nuk linte asnjë rrugdalje. Para pak çastesh toni i tij, një thuajse katekule, ndryshoi befas, si rënia e ujit në një thepisje. Kishte pasur një arsye të fortë të trembej, kur dikush tregoi gazmoren e një pederasti që hyri në një bar në shoqërinë e një qeni të madh. Fliste me përdëllime, duke i kapsallitur sytë e rrethuar nga disa përvijime rrathësh mavi, artificialë, të bëra me laps dhe kërkoi të pijë një gotë qumësht me kakao, gjithmonë duke i spërdredhur edhe fjalët që të shqiptuara me një ton të tillë ku kërcënimi shtyhet në hapësirën e reminishencës, ndiqnin ngathtësinë e avullit sikur të qenë duke bërë një garë tejet paqësore. Pastaj, kur dikush u mundua ta verë në lojë, pederasti iu drejtua qenit:
- Qeni haje.
Oh, ç’urdhër, i dhënë me një butësi pelteje.
- Dhe qeni thoni ju, si reagoi...ha ha haaaaaaa...
“Sa aaaaaaaa... duhen që e qeshura të ndihet e shtrirë në shtratin e vet plotësisht e jo në atë të Prokustit?” - pyeti veten duke pritur me ankth vazhdimin.
- Ishte një e lehur e ngadaltë, kaq përtesore sa Niçja do të kishte mbetur pa vullnetin e nevojshëm për të trajtuar...
Ham ham ham... vetëm duke nxjerrë ajrin e mbetur në mushkri. E lehur që varej sëbashku me jargët nga goja e hapur. (Pastaj, i kapluar për një çast prej dyshimit se ndoshta po bënte ndonjë gabim trashanik që mund ta vinte përballë shpotisë tha se edhe qeni ka mushkri. Gjithsesi këtu humbi një sasi e ndishme humori)
E lehur e grryer nga një ndryshk kohe pa fund. Flisnin njësoj si i zoti edhe qeni njëkuintalsh. Ishin nga e njëjta racë. Haha haaaaaaaa
Nuk vuri asnjë shenjë pikësimi dhe ndoqi me bisht të syrit sjelljen e pederastit, të realit jo të barcaletës. I kishte ngrirë buzëqeshja në fytyrë. Toni i ndryshuar befas ndoshta ishte diktuar nga barcaleta dhe ajo mënyrë përbuzjeje thjesht tregonte se tjetri kishte zbuluar vlerën e arrogancës mashkullore. Për disa çaste nuk pipëtiu gjë.
Dhe atij iu xhvoshk dëshira për të kundërshtuar, të paktën në linja të përgjithëshme sa për të vijuar përfoljen. Kishte filluar të ndiente një mirakande që mund ta shpjegonte vetëm duke e përqasur me ato lloj ëmbëlsirash që janë të tilla në kafshitën e parë, pastaj ndryshon përshtypja dhe përhumb në papërcaktueshmërinë e sasisë së sheqerit. Nëse është e mjaftueshme apo jo? E rëndësishme sepse vetëm pas kësaj mase të fshehur me marifet mund të shpëtosh veten nga një gjykim i kotë kohëhumbës edhe pse ka mjaft gjasa të ndodhë pasi e ke ngrënë të gjithë. Pikërisht, dyshimi është shtysë. Do të thotë se një ëmbësire të tillë nuk i mungon gjë. Është si ato femra që ruajnë gjithmonë diçka pa zbuluar edhe pse nuk arrin kurrë të kuptojë deri në fund se ç’lidhje ka përfytyrimi me “diçkanë e pazbuluar”, (bishti i syrit këqyr përvjedhur nga ajo anë ku hamendësohet bardhësia e kofshës) por kjo e mban të ngrehur dëshirën.
“Si çdo gjë” kishte menduar dhe për të gjetur një pikë pajtimi me mjedisin e përcolli vështrimin jashtë në ajrin e ftohtë, në pangjyrësinë e një grije që nuk bënte asnjë përpjekje për të ndryshuar, ndoshta ngaqë edhe pikat e shiut lagnin njësoj çdo gjë mbi tokë.
Megjithatë, nuk e kishte imagjinuar kurrë se një mëngjes mund të zgjohej në një botë pa mëkëmbës, e për rrjedhojë edhe pa tirani e kjo çeltirë në jetë ishte hapur befas brenda një nate. Boshllëk pneumatik. Mund të vërtitej lirshëm si një larvë pa fshikzën e vet e të mos konsiderohej i rritur por as edhe i mitur. Rrethohej nga hapësira bosh dhe nga mungesa e peshës së rëndesës. Gjë që do ta shpëtonte nga besdia e përherëshme për të ruajtur ekuilibrin. Gjendje e mrekullueshme për pijanecë. Mund të rrinte shtrirë dhe të rrotullohej, të rrinte kokposht dhe të shikonte njësoj botën, por zbavitja ishte te mendimi se mund të krruspullosej e të rrotullohej ngadalë si një brumbull. Pastaj u kujtua se në fëmijëri, kur shkonin në plazh dhe futeshin në det, sajonin gjithfarë mënyra notimi, por më e pëlqyera ishte not “muti”. Mblidhje këmbët në lartësinë e gjoksit dhe i lidhje me krahët që i shkëmbeje, pastaj e lëshoje veten të lirë, pasi kishe mbushur thellë mushkritë me ajër. Trupi i lirë rrotullohej dalngadalë dhe gjendej për disa sekonda në mëshirën e valëve. Fitonte ai që rrinte me shumë pa frymë sepse të tërhequr nga koka gjendeshin thuajse gjithë kohës nën ujë. I fundit i garës quhej e pëgërë e thatë sepse e nxirrte kokën shpejt për tu mbushur me frymë...tepër i thatë...asnjë pikë lagështie...k-hë k-hë k-hë... gojëqeshje, e qeshur e nofullave të mbërthyera.



Mëngon edhe ringjallja e përfytyrimeve. Është e premte mëngjes. Megjithatë ndien vështirësi pa mendime. Sa të mësohet. I duket vetja kandil deti, pa kocka, gjithaq përvëlues dhe endacak. Por te e fundit edhe qielli bën pa kometat. Thuajse me vështirësi... Bota po mjegullohej sikur të largohej me shpejtësi marramendëse. Dikur në një semafor me dritë të kuqe lexoi thënien: “Një mashkull pa bark është si një qiell pa yje.”. Kishte qeshur. Jo për mendimin, por ngaqë e lexoi në bluzën e lipsarit që afrohej me dorën përpara. E tha natën e kaluar. Iu kujtua rastësisht dhe ajo pasi e dëgjoi nuk qeshi. Madje reagoi keq. Edhe ai kishte venë bark, jo shëmtuar, por kishte venë dhe ajo nuk e imagjinonte një burrë me mullën kaq... "Nuk i pëlqente të bënte seks me një burrë të tillë...”.
- Por statistikat e dashur... - u përpoq të mbrohej duke sjellë përfundimin e një pyetësori të bërë në Amerikë që i gjykonte burrat me bark seksi dhe të dëshiruar më tepër se zakonisht... - se të tjerët, - shtoi me gjysmëzëri ngaqë nuk ka statistikë që të rrijë më këmbë përpara një femre. - Madje edhe pjella e saj kur del nga barku duhet të zvarritet për një kohë të mjaftueshme aq sa të bindet se kë duhet të nderojë parasegjithash.
- Mjaft! Po efshohem , - tha ajo dhe imitoi një grykë të vjelli.
Sherri mori zjarr papritur, po digjej me flakerime sikur të ushqehej me strega kashte. Ajo e përbuzte barkun. Si nuk e kishte kuptuar? Ah, ja edhe arsyeja pse dilte nga palestra në shoqërinë e një djali aq elegant sa edhe një qime do t’ia prishte baraspeshën. “Kushedi?”, qe tallur ditën e parë, pas njohjes.
 - Je cinik, - tha ajo.
- Jo, - mohoi ai me gjysmë zëri.
- Edhe xheloz, - ngulmoi ajo.
- Oh! ... Është nga ata-ato, apo jo?
Ajo e kishte parë hutueshëm.
- Nga ata... cilët ata-ato? - pyeti e nemitur sepse e parandjeu shpotinë. Ishte çasti i duhur për ta çuar deri në fund sarkazmën. Ai në një thuajse drejtqëndrim ushtarak, pasi zgjati gishtin e madh lart dhe të voglin posht, në hapësirën e krijuar nga përthyerja e tre të tjerëve e vuri te veshi dhe duke përqeshur një telefonatë, tha:
- Moda e re e kryeqytetasve kur takohen. Hibridët.
- E cila na qenka sipas teje?
- O mi ku je? Të thirra pesë herë në telefon! ... Perché non risponde?...Ha ha haaaaaa ... Edhe pse përballë njëra tjetrës, sërish bëjnë gjestin e telefonit...uh! Oh, prit nuk kam mbaruar. Sipari bie me butësinë e një puple:
“Puç!”
Të gjitha në një zbutje toni që të linte përshtypjen e një delikatese të kalfët. Shqiptim tip amerikan, tinguj që janë pjellë shfytyrie. Oh, si ishte skuqur në fytyrë. Ajo. Më në fund, ai i bëri të ditur se e kishte parë. Çfarë lehtësimi.
- Sidoqoftë, - tha duke iu kthyer argumentit të barkut tërthorazi, - ka yje të Hollywood-it (tingujt i rrokjezoi, por te bashktingëllorja “ll”-ndali veçan. I mshoi enkas aq shumë sa qe duke e mbytur në pështymë tërë fjalën, thjesht për inat. Ia vlente flijimi i një grushti sekondash për të lenë mbresën e një belbaku. Aq i bëhej, madje për herë të parë sodit edhe anën e pasme të proverbit “S’ngopet ariu me miza”. Jo pse një grusht sekondash janë pak, por të qenët pak i bën të kërkuara, “si mizat”, - tha me vete, “si mizat”, - përsëriti.) Ja, - tha, - ka yje që pëlqejnë burra me dhëmbë të grryer. Ajo, vetëm një hop nuk reagoi, e pa të ngulë sytë diku, te një e çarë thuajse e padukëshme që mund ta zgjeronte pa vështirësi. Ndryshoi sjellje befas, madje e talli, i tha:
- Meqë ra fjala përse nuk shkon në Hollivud? (shqiptarçe) ndoshta takon Ma ri lyn Mon roe (spelling për hakmarrje. Kishte shfrytëzuar admirimin e tij për aktoren. Një ditë, rastësisht, citoi një shprehje të shkëputur nga ditari i saj: “Në Hollivud të japin njëmijë dollarë për një të puthur dhe pesë cent për shpirtin”, e bukur ë? Inteligjente. E adhurueshme...e...Fillimisht ajo e ndoqi në çmesë, por kur ai po ngrinte një lapidar meritash, ajo heshti e ngrysur. Nuk vijoi më sepse për një femër gurët o përdoren për t’i bërë lapidar ose për ta vrarë.) Ndërsa vetëm disa orë më parë, pa qëmtuar fjalë të veçanta e duke korrigjuar ndoshta fjalën gërryer me krimbuar i tha se nuk mbetej në të thatë mjafton të mprihte dhëmbët si ujku i përrallës. Kuq në fytyrë. Ngjyrë dërfryese dhe do ta kishte shijuar në qetësi. Por ironia e mërziti e thuajse i lodhur, si për të kërkuar një armpushim, u mundua të shpjegojë.
Desh të thoshte se pak bark nuk qe ndonjë e keqe dhe se diçka e tillë, nga pikpamja filozofike ndihmon të zbulosh të vërtetën.  

Nuk e tha por e parandjeu se diçka fshihej në mendim. Ai, doli në ballkon edhe pse bënte ftohtësi kristali e dhëmbët filluan të kërcasin. Avulli që dilte nga goja mund të vishte ajrin. Një natë e acartë, plot yje dhe memece. Nxitëse kërshërie. Nuk duhet shumë që njeriu të bëhet më ëndërimtar ... mjafton barku plot. Pikërisht! Gati sa nuk klithi, madje iu duk sikur ... Për shkak të një keqkuptimi kishte plasur edhe një sherr i kotë. Fajin e kishin fjalët pa vend. Mund të plagosnin çdolloj qetësie. Lypsari nënkuptonte një bark të mbushur me ushqime, njeriun që nuk vuan urinë, jo plëncin e fryrë nga dhjami. Oh! Mund të shkruhej edhe ndryshe: “uria ime rri në barkun e të pasurit”. Duhej t’ia thoshte patjetër. Dhe ia tha. Ajo qe duke u përgatitur për gjumë. Po vinte një krem nate. Nuk i ktheu përgjigje. Megjithatë u platit zëzëllima e grenxave. Ndoshta ngaqë pendesa po ia gryente shpirtin më keq se sa dora e lypsarit kuletën. “Përse nuk i dha lëmoshë? Duhej të kishte uri.”.
Tashmë e sodit trishtuar dhe s’mund të flasë. Të thotë se një natë më parë, kur gjithçka ishte ndryshe, kishin zbrazur mllefin e grumbulluar në përditshmëri, pak e nga pak dhe me shumë fjalë, gati të përbindëshme, shkak i keqosjes së shpirtit. Tashmë ishte zgjuar në një botë tjetër, larg saj, botë hojëzash të molepsura... Oh, vetëm në mungesë fjalësh e ndjen se mund të shprehet lirshëm, por ajo vazhdon qetësisht gjumimin. Sikur të ishte andej, do të kishte plasur një diskutim i gjallë për fjalën që përdori: Gjumim, kur duhej, sipas disave, të kishte thënë gjumin. Ai do të mbrohej duke argumentuar se këtu duket zotësia e femrës për ta shndëruar çdo gjë në mënyrë, dmth i xhvesh thelbin, pavarësinë dhe e përdor sipas qejfit, si vegël. Nuk jini dakort?! Më habitni. Sa prej jush janë bërë vegla në duart e femrës, qoftë edhe njëherë të vetme? Pastaj iu kujtua zvarritja e bebes. S’ka arsye tjetër. Asnjë gjitar nuk hiqet zvarrë sapo lind. Ecën drejt e më këmbë. Kishte parë mëzat.  
Heshtje.
Hezitimi i tyre do të qe kurorëzimi i tij. Vështrimi do të rrëshqiste triumfues, sepse si gjithmonë do të kishte të drejtë. Por tashmë diçka e tillë i përkiste të kaluarës dhe nuk ka asnjë mundësi që t’i zhvendosë dialogët në kohë, përveç marifetit të ndryshimit të kohës. Ndaj. Duhet të përqëndrohet mbi atë. Ajo mund ta ndihmojë. Por ajo fle.
Pas një përthyerje zik-zak, pamje e coptuar në segmente, ndarje gjymtyrësh në pjesë dhe pagëzim, krah, parakrah dhe dorë, pëllëmba nën faqe e rrëzon përshtypjen e kumbisjes dhe afron atë të një flakjeje. Tmerrohet. Nëse ajo kërkon ta hedhë kokën diku, do të thotë se është në një gjendje tjetër, ndoshta më të përparuar se ai. Pastaj qetësohet. Ideja mbetet e pezull. Ngurruese, sikur ta nuhatë se bota ku ndodhet ai i shfaros. Përfiton për t’i hedhur një sy sqetullës. I ka hequr qimet të tëra... Duket. Befas pushtohet prej gëzimit. Ha haaaaa! Nuk mund të bëhet politikane. Pra dinake. Gratë e Aristofanit, ato në parlament, i kishin sqetullat e parrojtura. Binin erë djersë dhe i mbanin larg burrat.
Hahaahaaaa!



Qeshën me të madhe, atë ditë. Dhe pa u bërë pyetja “Kur”, vetiu tha se pasi kthyen disa gota, biseda u fut në një copë rrugë ende të pashtruar, por jo të pashkelur, mund të ecje shpenguar duke sfiduar gjembat, domethënë edhe zbathur...Plot shkurre ...
- Pikërisht si sqetullat e gruas time, - dëgjoi.
Ha ha haaaa...
- Kur janë të parrojtura duken si gëmushë.
Pastaj nënzë u dëgjua edhe një lloj kënge që s’mund të këndohej ndryshe, sepse tjetri ja mori:
Atë vit që u bë drithi,
 gruas time iu dogj pi...
Iu dogjën qimet të tëra,
gjende mirë që i shpëtoi vëra...
...ha ha haaaaa... vazhdimësi të qeshure.
- E bukur ë?!
Hakmarrje.



Tashmë i vjen për të vjellë. E duhej të kishte ndodhur në gjumin e natës. Ndryshimi. Ishte shndëruar gjithçka kaq shpejt në banale. Por...nuk mban mend të ketë parë ndonjë ëndër të tillë, tronditëse sa të shkaktonte kokposhtësi edhe pse në mbrëmje, ajo para se të mbyllte sytë mërmëriti:
- Më fal..., nëpër dhëmbë natyrisht, e ndjekur nga qetësia e pasmesnatës dhe nga një “natën e mirë”, ogurkeqësi ngurruese.
Ai s’kishte kthyer përgjigje. Nuk qe paqe, qe vetëm një lëshim. Sepse atë çast për herë të parë mendoi se kishte fjalë që duhej të vdisnin, të mos qarkullonin më. Dhe se për shkak të tyre...Ndihej kaq shumë i zemëruar. Një nga këto fjalë e dënoi aty për aty, me vdekje, pa mëshirë...Vdekje vdekje vdekje! ishte pikërisht ajo “Më fal!”.
- Më fal...zemër.
Oh, sa e urrente. Ngjethet.
Ajo tha vetëm “Më fal”, tha vetëm “më fal” apo jo? - ngulmon i nervozuar. Atëhere nga mbiu kjo “Zemër”. Oh! - klith i pikëlluar. Nuk ishte mall, sikundër kujtoi, sa herë që përmendëte andej si për të theksuar ndryshimin, apo gjendjen e re ku jeta e kishte vërvitur, ndoshta padashur, që ai të zhuritej. E shtoi ai. Me vetdije, fjalën “Zemër”. Domethënë përdori një fjalë. Nuk ishte në botën e heshtur, sikundër kujtoi, të gojmbylljes. E kishte marrë me vete. Mund të ketë marrë padashur edhe të tjera, sikurse merr, psh, pluhurin e padukshëm të një guri ku ulesh për tu çlodhur. Ishte lëshuar më shumë i mërzitur se sa i dërmuar mbi krevat, me shpresë se nata do ta zbuste mbresën e sherrit. E di shumë mirë se “zemër” nuk është një fjalë pa pasojë. Zemra s’mund të ndahet nga dashuria. Asgjë nuk mund t’i ndajë as edhe ajo vdekje e kërkuar fjalësh apo urrejtja që i shkaktoi fjala “fal” sepse dëshironte aq shumë të mos kishte të drejtë. Ndërsa ai po vuante nga mungesa e dashurisë së saj. Mbartej te një fjalë e vetme; zemër. Mban vesh regëtimën. Është e çrregullt, shëmim, sa vjen e përforcohet derisa shndërohet në trokitje, e fortë madje, shpërthyese. Picërron sytë. Buzëqesh lehtë. Një varturë e pafund fjalësh, të ngërthyera, të kapura me njëra tjetrën, ndjekin dashurinë dhe zemra brenda saj si në një kuvli. E mbështjell zemrën si atmosfera tokën. Nuk ruan jetën, ruan bukurinë e saj. Fjalët nuk kishin vdekur. Të fshehura brenda zemrës, në çdo rrahje të saj përcilleshin jashtë qenies, pjesë e një zinxhiri që kërkonte pafundësinë qiellore.
Thuajse i zhgënjyer (ngaqë ishte vetëm një keqkuptim) del jashtë pasi le një copë letër mbi fundosjen që kishte sajuar koka e tij në jastëk. Një copë letër te forma që kishte lënë koka e tij, mjaftonin. Edhe pse letra është e bardhë.
Buzëqesh.
“Kështu do të shkruajë çfarë të dojë.”.
Është fjalia e parë në një botë tjetër.


Në fund të shkallëve ndalon. I ktheu përshëndetjen fqinjit me një lëkundje të lehtë të kokës. Tjetri e vështroi i habitur, madje iu duk sikur dëgjoi diçka për dikë që kishte gëlltitur gjuhën natën në gjumë.
Buzëqesh.
Ndalon.
Nuk dilet jashtë me kokën bosh. Duhet t’i ribëjë shkallët nga e para. Janë dyzet. I pëlqen t’i mendojë si pragje. Sepse edhe uji kthjellohet kur mbi dyzet gurë kalon. Ai e kishte turbulluar. Iu kujtuan kofshët e bardha...
E bardha është pastërti , - mendon.

Remo Koçiu

Klonim i përsosur i majmunërisë.

Të qenët ndryshe seksualisht. Bëhet problem kombëtar. Basoreliev. Ngjarjesh mesjetare. Duken si personazhë muzeumesh, gjithfarë llojesh, shfrytëzojnë ditën kur hyrja është falas për të dalë. Bëjnë të kundërtën. Dalin nga kuadro, nga portrete, terrakota, duke lënë korniza bosh pa dhënë ndonjë ide braktisjeje. Turmë burrash që protestojnë. Logjikisht duhej të ishin gra – femra, të kërcënuara prej konkurencës. Përse turmë burrash? Çfarë frike kanë meshkujt nga të tjerë “meshkuj” seksualisht ndryshe të përshtatur? Duket se shndërimi ka më shumë fuqi e peshë se shnderimi. Harrojnë (bëjnë sikur) që rrugëve të një shteti tjetër kanë lëshuar vajzat e motrat. (adresa: SS, SR, SP, Rrugë Shtetërore, Rajonale, Provinciale, numrat s’kanë vlerë meqënëse adresa është e lëvizëshme si një cirk.) Ndoshta është punë, meqënëse quhet zanati më i vjetër në botë. Ndoshta. Në rastin e prostitutave shqiptare TV hesht dhe mirë bën sepse duhet të ruajë atë ç’ka mbetet në thelb të qenies që shfrytëzohet, por duhet të veprojë e njëjta logjikë në rastin e djalit që deklaron hapur se është ndryshe seksualisht. E çon në kullën e flijimit ndërkohë që aty duhet të përfundojnë turma e nxitur prej kishës katolike që ngrihen dhe protestojnë. Përse nuk ndodh? Komedi ekuivokësh? Euripidi do ta kishte zili dhe ndoshta do të na kishte dhënë ndonjë variant më të mirë të Ifigjenisë në Aulidë. Ndoshta është kështu. Po edhe jo, dyshim deri në provën e kundërt. Kush mund ta hedhë posht? Askush. Por... ka mjaft gjasa që të jetë i kurdisur, dua të them një deklarim jo të vërtetë por i bujshëm. E vërteta u fshihet të tjerëve, atyre që duhet të shërbejnë si mashë për nxjerrjen e gështenjave nga zjarri. Dhe këta janë masa – masha – mrekulli fenomenesh gjuhësore; herë të quajtur sinkopë (kur “mashë” shndërohet në “masë”, eliminim tingulli brenda) dhe herë epentezë, sipas leverdisë, (shtim tingulli) “h” në mes dhe “masa” bëhet sërish “mashë”. Pas kësaj “kërshëria” (sikur të jetë një majmun  apo kafshë e rrallë e ardhur nga ...)  ngrihet si një kurbë edhe pse simotra e saj lakohet gjithmonë e më shumë, kurriz servili që i thurr lavde pasurimit dhe poshtërimit. Duke i tërhequr drejt greminës ata. Fatshënuarit. Ata që janë “brenda” tashmë mitokondrikët, elementët e qelizës “jashtë” bërthamës, antiteza që prodhon energjinë e duhur, alias pasurinë. Është çfarë i intereson TV. E kap vëmendjen vetëm për ta “bombarduar në masë”, reklama – biznesi, paratë, vipet kokëbosh, lumë i nëndheshëm që rrjedh drejt atyre që nuk dalin kurrë në ekran. Drejt xhepave të politikanëve sharlatanë. Një natyrë parabolike, e pa-nënkuptuar diktatoriale. Çkuptim ka të kritikosh qeverinë ose çdo fenomen negativ të jetës, kur nga ana tjetër mbjell iluzionin e një mirqenieje të krijuar thjesht mbi pallavra? A mjaftojnë hekurat e një kafazi për të bërë dallimin midis atij që është mbyllur brenda nga pjesa tjetër, populli, që edhe pse rri jashtë nxitet drejt imitimit duke u shndëruar kështu në mënyrë të pandishme por të shkallëzuar në majmun? Një shembull i përsosur se si klonohet veprimi, qëllimi dhe bota e brendeshme shpirterore duke e lënë të pangarë formën e njeriut.