venerdì 30 ottobre 2015

Remo Koçiu - Dritare në humnerë - Streaming




“S’mbaj mend ç’ndodhi,”.
Edhe pse shqipon butë, fjalët përplasen mbi xham, e kjo do thotë panik sepse pas flashkjes dhe zbehjes, zhduken. Pesë milimetro tejpashmëri krijojnë përshtypjen e një hapësire pafund ku patjetër e gjen një strehëz të qetë, në kapitelin e të cilës te një tabelë dërrase e mbërthyer, copë e vetme, lexon:
“E kështu jetuan të lumtur e të gëzuar.”
Kush? Në kushte ikjeje, merr vlerën e një duhurie mbijetese kur percpetimin e gabuar, ngulmin, për të pasur çfarë dëshiron, truri e shndëron në bindje. Mirëpo, R s’është i përndjekur, ose të paktën s’ka një ndiesi të tillë, e zakontë për shumicën e njerzve, njëlloj kllapie, thuajse molepsje, qëkurse, nga kryeministri i sapo zgjedhur u krijua Ministria e Etikës dhe një dhomë e veçantë digitale, të cilën, ai, me zë të ulët e krahasoi me murin e ankojës së ebrenjve. Vështrimi therrës i gruas nuk i pëlqeu, por e harroi shpejt gjithsesi. Njerzit nuk e shprehin ankthin, por tradhëtia e tipareve, le mbresën e njëlloj pajtimi me dyzimin. Për R, është një marifet i stërholluar politik sepse duke i mbajtur të angazhuar pas një lufte të pabarabartë me si-veten harrojnë vetveten. E kështu nuk janë gjë tjetër veç zombi, një shkallë më lart se bagëtia. Këtë mendim, përsa ngushëllues, e fundos thellë qenies edhe pse nuk ndihet i hetuar, pavarësisht se veproi si i tillë, kushtëzoi rrethanat e shumta që afron hapësira, por, e bëri vetiu jo nga frika se dikush mund t’i ketë dhënë munxët. Nuk i përcolli jashtë fjalët, i nisur nga një përkujdesi e mbetur nga fëmijëria. Kur mbathte këpucët, në çfardo kohe, shi, dëborë, erë, nëna merakun e saj dhe të qenët kundër e shprehte tërthorazi:
“Po del sa për tu lagur e mardhur, ë?”.

Mund ta pohojë këtë lloj intimiteti e të tërhiqet në shtrat, të plekset me trupin e një vajze të re njëzetvjeçare sikurse hardhia e vjetër që braktis murin e rrëgjuar për tu kapur pas një shkopi të ri, duke përfituar dhe shijuar kënaqësi. Nuk ndodh, sepse në tërësi asnjë prej fjalëve nuk sajon mendim, shërbejnë sa për të “mbyllur shtigjet,” mërmërit, si gjethet e vjeshtës së vonë, bien përdhe, rrëmbehen nga rrëkerat që shfytëzojnë çdo pjerrësi dhe shtrohen mbi pusetat anës rrugës, një pas një, si arnat mbi një rrobë të vjetëruar duke u shtuar derisa një ditë mbulohet e tëra.
R kundron shkarazi vegimin e tij në xham, shtrembërimin qesharak të tipareve kur gëlltit sërish lëngun e thartë që stomaku e dërgon lart në grykë si një gejzer në miniaturë njerëzore. Idea për ta ribërë të njëjtin shtrembërim, kësaj rradhe për dëfrim, dështon. Sikur të kishte një përshpejtues, ndoshta, por veprimi i tij është i vonuar, (streaming) erdhi pas përfytyrimit të fetës së thekur që i kujtoi letrën pirëse me të cilën thithnin bojën e tepërt që lëshonte maja e penës, “Unxa ... oh sa kohë paskam pa e përdorur këtë fjalë,” klith dhe e përsërit me të njëjtën dëshirë që kafshon një frut të njohur hershëm.
“Unxa e linte njollën mbi trupin e fjalëve kur nuk e shkundje.”  

Jashtë, shiu skicon rrëkera të çrregullta si flokë grash të shpupurisura, sajon pellgje uji e pastaj rrjedhën e  hollë,  bisht komete apo fije lëmshi që e tërheq në drejtim tjetër. Kështu bëri R në klasën e pestë me gërshetin e Arianës derisa ajo e mërzitur ndryshoi bankë. Pellgjet e ujrave edhe pse në përmasa të jashtëzakonëshme, krahasuar me njollën e unxës, i përhapin paksa ngrohtësi në trup, janë më të qeta brenda rrembave. Njëlloj induksioni paradoksal ose talenti letrar mbështet të njëjtën ide nga drejtime të ndryshme. Mendimi ka thithur turbullirën e ujrave. Megjithatë, s’ka urth. Edhe pse duhet ta shmangë për ta çuar në fund përsiatjen, ndryshe do të duhet të pyesë: “Ku e lashë?” Ose, “Çfarë isha duke thënë?” Nga përvoja, e di që një pyetje e tillë të ndëshkon, jo si pasojë e boshllëkut në kujtesë, jo. Kur zbulon se bashkbiseduesi nuk e ka mendjen aty, është tepër e shëmtuar. Jo te ty, shenjë egozimi, aty, mbi tavolinë, përreth teje, rreth bisedës duke soditur fjalët që shtegëtojnë pa pasur nevojë për qiell. Paskësaj ndëshkimi u kthye te “unë,” thekson befas, në çastin kur silhueta e tij rishfaqet në xham, natyrisht vagëllt, ndoshta një pamje rëntgenografie, ku dallohet qartë njolla e errët sa një grusht. 
"Tharm hidhësie i një kujtimi të patretur, apo fole grenxash?" pyet. Tashmë i tronditur sepse bisturia ishte futur thellë, çfardo qoftë. Sekuencat e para të asaj nate po çliroheshin si lakuriqët nga muret ku rrinin varur kokposht, pas ardhjes së errësirës.
...


 Remo Koçiu


Te drejtat jane te autorit

venerdì 23 ottobre 2015

Shumefytyresia

Ne nje ballo me maska, mosmirnjohja eshte njera prej fytyrave.

lunedì 28 settembre 2015

Il silenzio

Il silenzio é quel muro bianco dove si può scrivere ogni pensiero e nessuna parola.

R.Koçiu

R. Koçiu - Heshtja.



"Heshtja është një faqe muri e bardhë ku mund të shkruhet çdo mendim por jo çdo fjalë."



R. Koçiu

Remo Koçiu "Dritare në humnerë" Streaming 1



Frush. Mërmërimë. Tingujt shkëputen nga laringu dhe synojnë rënien në tundje majtas djathtas. “Fryn erë,” i thotë vetes në tonet e një korigjimi të mundshëm sepse gjethet shtyhen të gjitha në të njëjtin drejtim dhe çdo majë peme kryen një rreth të vogël në rrethinat e një rrafshi, lloj orbite, do të shtonte, por, e krahasuar me lëkundjen e kokës së të dehurit, zbulon pse vjell.
Gjithçka tjetër kllapohet nga rravgimi, sikundër maçoku i fqinjës. Djali i saj dëfrehet duke ia lidhur bishtin pas qafës dhe kafsha e mjerë rrotullohet rreth vetes pa fund. 

“Mirë që s’ka tru,” mërmëriti herën e parë në oborr, kur ndaloi edhe ai për të soditur e për tu argëtuar, sëbashku me turmën, me lojën e maçokut të gënjyer, sikundër tha dikush sepse...e kujton bishtin e tij si mi, ndërsa për R ishte tjetër gjë. U ngjeth dhe kjo e bindi për të sajtën herë që ajo skenë, për shumicën zbavitëse, përcillte diçka tjetër, më shumë se një iluzion, sepse në një blitz përfytyrimi, njësoj si para një  pasqyre çudibërëse, u shfaq një pamje tjetër e fytyrës së tij. U tmerrua dhe hapat e parë i bëri kuturu, derisa gjeti drejtimin e duhur. U kujtua se qe duke u kthyer në shtëpi.

“Keq ku ke tru,” përsëriti pak më parë, kur, për të lenë përshtypje ndryshe, u çua nga shtrati me hov, por iu soll dhoma rrotull. Nuk di nëse asaj i ra në sy. “Kanë mbetur shumë pak gjëra me tru,” flet duke baritur në siudhën me fije sintetike ku janë stampuar lule.
“Me tru ka shumë por me arsye, ka pasur përherë e përherë vetëm një qenie,” thekson ajo. “Njeriu. Përse?” pyet me një mirësjellje që zhduk një pjesë të bisedës së hamendësuar duke e  quajtur tërthorazi kotësi.
“Nuk e di. Dikur qe më e thjeshtë. Sepse te e fundit, për jetën gjykojmë dhe se historia nuk është gjë tjetër veç modele jete që i ndërtojmë dhe i prishim duke shfaqur thelbin fëminor apo primitiv, parak, quaje si të duash," pohon indiferent. "Dikur. Në orare të caktuara qyteti i ngjante një deti ku batica dhe zbatica qe rregullsi, në orët e para të mëngjesit, shumica e njerzve zbarkonte në rrugë, shkonin në punë, pastaj qyteti fashitej. Lëvizjet ngjanin me puhitë apo dallgët që ngriheshin për forcë zakoni. Mbasdite vonë, fillonte zbatica, ktheheshin nga puna. Ndërmjetësia sërish qe pasojë e njohur. Sot, qyteti është përmbytur. S’ka një matës niveli: nyelli, gjuri apo gryka. Sot, është faqe e enjtur nga një prajë dhëmballe. Ёshtë një jetë pa skaje, përveç një zbehtësire pa ngjyrë që nuk të krijon mundësi gjykimi, sikurse purpuri në perëndim.”

(E di? kur ishim studentë mallkonim: Të zëntë dhëmballa në kohë provimesh?! 
Kam përshtypjen se e kam lexuar diku, thotë ajo. 
Ashtu? 
Sytë e tij mbushen me trishtim. Ky lloj pohimi, në thelb qortim dhe keqardhje bashkë, ngre një dyshim të madh mbi jetën e tij, njëherësh, hedh edhe një hije të rëndë mbi atë vetë duke e varur në çengelin e një pikpyetjeje, shkurt, i cënon edhe ekzistencën, por tashmë ndihet si kalimtari i kapur befas nga një rrebesh shiu në rrugë dhe i duhet të qulloset derisa të gjejë një strehë.
Gjysmë shekulli s’paska qenë i mjaftueshëm për t’i treguar kësaj vajze njëzet e kusur vjet, diçka të re?
Dikush që e ka emrin si ty, shton ajo, si ty, poooor ... 
Kuptova. 
Joooo! S'kisha asnjë qëllim të keq.
Përsa dorzanisë, për R është futja e një thike në një plagë të herëshme, sikundër një rrymë ajri e ftohtë që përshkon mushkritë, përmend bronket e rëna në letargji, dhe i shkund ato në një kollë frymëmarrëse. Edhe ajo thikë fillon ta grryejë me egërsi derisa. Kështu bën edhe në ato raste, kur llastika në qafën e çorapeve e shtrëngon fort. Minuta të tëra të kruajturi derisa thonjtë, pasi kanë prekur lëkurën me ashpërsi, fillojnë ta fshikin për të mos e acaruar më.) ...

Ajo hesht. “Ndoshta s’më kuptoi,” mendon, gjithsesi e gjykon si një çlirim prej një angazhimi vetiu, për të qenë i lidhur me të çdo sekondë. Kështu, e gjen më zbavitëse lojën e shqisave që ndryshojnë perceptim. 

Muret anës rrugës, epen si gomë e shkrirë, R i mungon fryma e akullt, ngurtësuese, kazani me ujë të ftohtë ku kovaçit zhyt copën e hekurit të skuqur paq nga rrahja, për ta kundruar më pas çka sajuar, edhe ai duhet ta fiksojë përfytyrimin, për të krijuar një pikmbështetje të fortë për kalimtarët e rastit që të mos fundosen sikur shkelin torfë, apo mbi një sustë të vjetëruar, ndoshta të shpërdoruar, si e fqinjit. Gërmëret aq shumë sa ai, i besdisur kaq herë, në një prej ditëve çfardo, vendosi t’i japë fund.
“Jam i bindur që bën seks,” i tha gruas. Pikasje. Sepse njëherësh dëgjohej edhe një ngërthim klithmash e pasthirmash, e ndoshta do të kishte vrarë veten sikur mendimi pasues, rëndom, vlerësuesi, të kishte pluskuar në sipërfaqe në formën e një habije. Ndoshta.
“E pastaj?” tha ajo moskokçarëse. Në çastin që R u mat ta godasë murin me grusht, por krahu i mbeti në ajër sepse ajo kundërshtoi, madje këmbënguli kaq shumë sa e habiti. “Nuk është puna tonë... ndoshta, s’është punë për ne, dhe njeriu priret ta anulojë diçka të tillë nga realiteti,” tha por këtë rradhë në frazën e saj nënkuptimi rroi në shumllojshmëri hidre. Fillimisht e mori si një dëshirë për dashuri dhe zgjati dorën për ta ledhatuar, por ajo u shmang.
"U pre një kokë por dolën dy," i tha vetes ndërkohë u përqëndrua për të dëgjuar, shpjegimet dhe arsyen e keqkuptimit sepse ajo pohoi akoma më parë se diçka e tillë ndodh kur s'është në gjendje ta pranojë. Pra, ai, nuk e pati mendjen? Frazë shkatërruese. 
“S’është faji i tij por i arkitektit dhe ndërtuesit, kursejnë duke i bërë muret maestro aq të hollë sa edhe dihatja më e lehtë i përçon.”
Mbeti keq, sepse ajo ishte gruaja e tij. Ndoshta u tregua e mençur sepse arriti brenda një pulitje sysh të përfshijë fraza të ndryshme, të shpalosë emocione e ndjenja, e njëherësh të tejbartet duke i ndrydhur sërish brenda qenies e pastaj të buzëqeshë si dikush që i shpëton rrezikut duke kapërcyer një hendek përtej të cilit ndjekësi s'mund. Pra, ajo kënaqej dhe ushqente fantazinë e saj, ndërkohë ai përfytyroi një goditje të beftë, shtypëse, sikurse bën me mizat pensionisti që shëlleret në diell, në ballkon, i veshur me pantallona të shkurtra, kërcinjtë e tij, tashmë të tharë si karthje dushku, do tu mjaftojë një përshkënditje që të shkrumbohen. R vuri re se nuk e ndante vrarësen e mizave nga dora. Herë herë godiste lehtë, me një lëvizje gati mekanike, këllqet e tij.Gjest gjerarkësh.
“R, nesër prishet koha,” thotë ai me një zë disi të ngjirur.
“Ashtu? Pse? Të dhembin kocat?”
“Jo. Mizat pickojnë,” ia kthen tjetri në picërrim sysh.
“Ndaj i vret?”
“Jo, i vras sepse janë miza.”
Fillimisht, dialogu iu duk i mërzitshëm në përsëritjet e veta, aq sa për shpoti e përfytyronte si një pllakë gramafoni të vjetër, gjilpëra i ndiqte vijat por mblidhte pluhur në majën e saj, kjo, i kujtonte lokomotivat e filmave në vendet e ftohta me atë buzën metalike të shpërvjelë si të viçit, përpara, që e shtyn dëborën në të dy anët, ndërsa treni rrëshqet mbi binarë, s'ndodh e njëjta gjë me majën e gjilpërës së gramafonit, ngec si këmbësori në një rrugë të pashtruar në ditë me shi, "si sot" mendon, edhe pse qëmton, sërish balta i ngjyen këpucët anëve duke lënë përshtypjen e mustaqeve që përshkojnë në gjithë gjatësinë paksa sipër nofullave ... Orient Ekspres ... ha ha... qetësohen kur mbrijnë rrëzë veshëve. Vonë e kuptoi se çdo gjë lidhej me ecurinë e politikës. I pëlqen ai plak dhe alegoria e tij edhe pse ende sot e kësaj dite nuk e di se kë përfaqësojnë mizat, ata - turmën, apo politikën. Nuk guxon ta pyesë, por e gjykon në thelbin e mendimit të plakut zgjidhjen rrënjësore.
“Ёshtë çfarë na duhet, zgjidhja e njëherë e mirës,” i thotë vetes i pushtuar nga dëshira për t’i fshirë disa përmasa të jetës.

Në tërësi krijohet një gravurë e rëndë prej allçie, pesha e të cilës zbutet nga ngjyrat e theksuara që fshehin vlerën e dyshimtë. Shiten me shumicë nëpër dyqanet e dhuratave artistike. Kundërshtia i enemizon mendjen, pohon shpeshtësinë dhe përfshin thuajse të gjitha shkallët e jetës së tyre. Vërdalloset një përqindje e lartë zvetënimi që ka molepsur qenien njerëzore dhe ai ndihet fajtor. Ndoshta historia e tij kishte mbaruar kohë më parë, ndodh edhe kështu. Shumë para se mërmërima e tij, thuajse adhuruese, për fqinjin: Ku e gjen fuqinë?!të cilën kujtoi se e kishte mbytur, në fakt ajo qe ngjitur pas laringut, gëlbazë e një kolle të vjetër, pjellë edhe ajo e  një pleviti akoma më të vjetër.

I dehuri, i vetmi që nuk ngec në atë rrjetë fijesh të padukëshme të një arkitekture të ndërlikuar mendimesh njohëse, ku figura të përkohëshme, tashmë fanepsje, treten, sikurse kandrat e prangosura në një butësi mashtruese, ndoshta si mëtuesit e Penelopës, peng i ahengut. Nga vrimat e hundës shfryn duhma alkooli. Prej marrjegojës tingujt zvarriten, fillimisht të pakuptueshëm pastaj si një makinë e prishur për fat në zbritje, i mjafton e shtyra për të vazhduar udhëtimin, R përqendrohet, ndoshta duhet ta ngjitë veshin pas xhamit, kështu bëlbëzimat kalojnë drejtpërdrejt e te kërmilli që bën përzgjedhjen, ndërkohë dëgjon shkoqur vargjet e një kënge të njohur sarhoshësh:
Nëma thikën të pres mollën
Jorgjica, Jorgjica,
se përndryshe do pres dorën
Jorgjica Jorgjica...
Në djall! Sikur të presësh kokën ndoshta do të jetë më mirë! Pastaj Diçka mërmërit. Ndoshta pyet: Pse më vërdalloset koka? Shembull zgjuarsie dhe marrëzie, njëherësh. I marrë, sepse kërkon mbështetje paralele, i mençur, sepse pyet dhe fjala vërdallos, tashmë e ka përfshirë në mënyrë dialektike sikurse lulet mishngrënëse kandrën që joshet nga ngjyrat.


R.Koçiu
Të drejtat janë të autorit.