venerdì 30 ottobre 2015

Remo Koçiu - Dritare në humnerë - Streaming




“S’mbaj mend ç’ndodhi,”.
Edhe pse shqipon butë, fjalët përplasen mbi xham, e kjo do thotë panik sepse pas flashkjes dhe zbehjes, zhduken. Pesë milimetro tejpashmëri krijojnë përshtypjen e një hapësire pafund ku patjetër e gjen një strehëz të qetë, në kapitelin e të cilës te një tabelë dërrase e mbërthyer, copë e vetme, lexon:
“E kështu jetuan të lumtur e të gëzuar.”
Kush? Në kushte ikjeje, merr vlerën e një duhurie mbijetese kur percpetimin e gabuar, ngulmin, për të pasur çfarë dëshiron, truri e shndëron në bindje. Mirëpo, R s’është i përndjekur, ose të paktën s’ka një ndiesi të tillë, e zakontë për shumicën e njerzve, njëlloj kllapie, thuajse molepsje, qëkurse, nga kryeministri i sapo zgjedhur u krijua Ministria e Etikës dhe një dhomë e veçantë digitale, të cilën, ai, me zë të ulët e krahasoi me murin e ankojës së ebrenjve. Vështrimi therrës i gruas nuk i pëlqeu, por e harroi shpejt gjithsesi. Njerzit nuk e shprehin ankthin, por tradhëtia e tipareve, le mbresën e njëlloj pajtimi me dyzimin. Për R, është një marifet i stërholluar politik sepse duke i mbajtur të angazhuar pas një lufte të pabarabartë me si-veten harrojnë vetveten. E kështu nuk janë gjë tjetër veç zombi, një shkallë më lart se bagëtia. Këtë mendim, përsa ngushëllues, e fundos thellë qenies edhe pse nuk ndihet i hetuar, pavarësisht se veproi si i tillë, kushtëzoi rrethanat e shumta që afron hapësira, por, e bëri vetiu jo nga frika se dikush mund t’i ketë dhënë munxët. Nuk i përcolli jashtë fjalët, i nisur nga një përkujdesi e mbetur nga fëmijëria. Kur mbathte këpucët, në çfardo kohe, shi, dëborë, erë, nëna merakun e saj dhe të qenët kundër e shprehte tërthorazi:
“Po del sa për tu lagur e mardhur, ë?”.

Mund ta pohojë këtë lloj intimiteti e të tërhiqet në shtrat, të plekset me trupin e një vajze të re njëzetvjeçare sikurse hardhia e vjetër që braktis murin e rrëgjuar për tu kapur pas një shkopi të ri, duke përfituar dhe shijuar kënaqësi. Nuk ndodh, sepse në tërësi asnjë prej fjalëve nuk sajon mendim, shërbejnë sa për të “mbyllur shtigjet,” mërmërit, si gjethet e vjeshtës së vonë, bien përdhe, rrëmbehen nga rrëkerat që shfytëzojnë çdo pjerrësi dhe shtrohen mbi pusetat anës rrugës, një pas një, si arnat mbi një rrobë të vjetëruar duke u shtuar derisa një ditë mbulohet e tëra.
R kundron shkarazi vegimin e tij në xham, shtrembërimin qesharak të tipareve kur gëlltit sërish lëngun e thartë që stomaku e dërgon lart në grykë si një gejzer në miniaturë njerëzore. Idea për ta ribërë të njëjtin shtrembërim, kësaj rradhe për dëfrim, dështon. Sikur të kishte një përshpejtues, ndoshta, por veprimi i tij është i vonuar, (streaming) erdhi pas përfytyrimit të fetës së thekur që i kujtoi letrën pirëse me të cilën thithnin bojën e tepërt që lëshonte maja e penës, “Unxa ... oh sa kohë paskam pa e përdorur këtë fjalë,” klith dhe e përsërit me të njëjtën dëshirë që kafshon një frut të njohur hershëm.
“Unxa e linte njollën mbi trupin e fjalëve kur nuk e shkundje.”  

Jashtë, shiu skicon rrëkera të çrregullta si flokë grash të shpupurisura, sajon pellgje uji e pastaj rrjedhën e  hollë,  bisht komete apo fije lëmshi që e tërheq në drejtim tjetër. Kështu bëri R në klasën e pestë me gërshetin e Arianës derisa ajo e mërzitur ndryshoi bankë. Pellgjet e ujrave edhe pse në përmasa të jashtëzakonëshme, krahasuar me njollën e unxës, i përhapin paksa ngrohtësi në trup, janë më të qeta brenda rrembave. Njëlloj induksioni paradoksal ose talenti letrar mbështet të njëjtën ide nga drejtime të ndryshme. Mendimi ka thithur turbullirën e ujrave. Megjithatë, s’ka urth. Edhe pse duhet ta shmangë për ta çuar në fund përsiatjen, ndryshe do të duhet të pyesë: “Ku e lashë?” Ose, “Çfarë isha duke thënë?” Nga përvoja, e di që një pyetje e tillë të ndëshkon, jo si pasojë e boshllëkut në kujtesë, jo. Kur zbulon se bashkbiseduesi nuk e ka mendjen aty, është tepër e shëmtuar. Jo te ty, shenjë egozimi, aty, mbi tavolinë, përreth teje, rreth bisedës duke soditur fjalët që shtegëtojnë pa pasur nevojë për qiell. Paskësaj ndëshkimi u kthye te “unë,” thekson befas, në çastin kur silhueta e tij rishfaqet në xham, natyrisht vagëllt, ndoshta një pamje rëntgenografie, ku dallohet qartë njolla e errët sa një grusht. 
"Tharm hidhësie i një kujtimi të patretur, apo fole grenxash?" pyet. Tashmë i tronditur sepse bisturia ishte futur thellë, çfardo qoftë. Sekuencat e para të asaj nate po çliroheshin si lakuriqët nga muret ku rrinin varur kokposht, pas ardhjes së errësirës.
...


 Remo Koçiu


Te drejtat jane te autorit

venerdì 23 ottobre 2015

Shumefytyresia

Ne nje ballo me maska, mosmirnjohja eshte njera prej fytyrave.