martedì 27 agosto 2013

Utopia dhe socializmi.



Socializmi ra pre e paragjykimit të vet jo fillestar, por të fituar, sepse si një sistem i bazuar mbi utopinë ngaqë fliste për një shoqëri pa shtypje e shfrytëzim të njeriut prej njeriut, për barazi, me pak fjalë, afron perspektivën e një shoqërie të lumtur. Në parim, s’mund të thuhet kurrë se diçka e tillë është e gabuar. Nga ana tjetër, askush nuk mund të dijë se kur mbaron ndërtimi i kësaj shoqërie mbi këto ideale. Kështuqë, asnjë individ i një shoqërie të tillë nuk është përgjegjës. As edhe partia politike që e përvetësoi. Një përvojë e panjohur duhet pranuar me dështimet e saj dhe pasojat e këqia që dalin rrugës. Këto janë të gjitha të hamendësuara si potenciale(kapacitet). Vetëm pas dështimit mund të bëhet një analizë e thellë për të parë si dhe pse ky qëllim u paragjykua. Ndodh pak a shumë si me një program kompiuteri që futja e një virusi në një çast çfardo e devijon nga qëllimi fillestar. Më të shumtat e gjasave ndodhi gjatë ecurisë, por nuk dimë nëse qe një afërmenç, dmth cilësi, apo thjesht pasojë gabimi. Efekt flutur, nëse do t’i referohemi teorisë së kaosit. Praktika s’kishte afruar asnjë model përfundimtar. As utopitë e Sen Simonit, as edhe eksperimentet utopike në SHBA nuk dhanë përfundimin e dëshiruar, por njëherësh kjo nuk çoi në dëshpërim. Kështuqë përpjekjet e të realizuarit “me çdo kusht” mbartën pësimin vetiu sikundër, psh, ideja e vdekjes që te një drupunues ka vlerën dhe mishërohet te arkivoli kur e ndërton, me të njëjtin pasion e përkushtim si edhe ndaj çdo sendi tjetër duke e përcjellë natyrshëm dhe në parakohë konceptin e vdekjes ende pa vdekur. Por kjo nuk është lëndore për të akuzuar marangozin si shkaktar i vdekjes. Ёshtë pikërisht çfarë u harrua, sepse ky detaj i hollë ruante baraspeshën: Asnjë punishtar arkivolesh nuk bën arkivolin duke menduar se një ditë, në njërin prej tyre, do të shtrihet edhe ai. Njeriut nuk i është dhënë mundësia që të përjetojë vdekjen e tij aq më shumë të përfytyrojë përmasat e saj nisur nga vetvetja. Veç të tjerash. Përfshirja e masës në një lëvizje të tillë që synon krijimin e një shoqërie më të mirë, është e drejtë, e thjeshtë, joshëse dhe po aq nxitëse. Ja përse bie më shpejt viktimë e vetvetes se sa e mashtrimit që nuk ekziston në qëllim. Masa e ndjek një diktaturë ngaqë kjo e fundit paraqitet si regjim demokratik, si pushtet i popullit. Totalitarizmi është dëshirë për të unifikuar shtetin me shoqërinë. Kështu hamendësohej një e tashme pa të këqia, madje për ta shpëtuar prej të këqiave u prenë lidhjet me të kaluarën. Në këtë mënyrë utopia bëri një e nga një hapat drejt humnerës sepse u izolua dhe shterpëzua. Shterpëzimi i një sistemi politik dallohet nga pamundësia e tij për të realizuar të tashmen në një rëndomësi të përditshme që duhet të shërbejë si hallkë për të nesërmen. Të ëndëruarit e një shoqërie të lumtur, që i përkiste të ardhmes traumatizoi realitetin, ngaqë ky i fundit e gjen vetveten të mishëruar në arritje fizike, vlera të tilla ose të kësaj natyre. Kur shteti totalitar e kuptoi se nuk mund të plotësonte kërkesat, nuk i mbetej gjë tjetër veç të forconte vetveten sepse ndihej i kërcënuar nga dështimi i utopisë së parashtruar në mënyrën e vet e jo pse ishte pjellë e saj. Kjo e shtyn drejt krijimit të armiqve edhe kur ata nuk ekzistojnë. Madje, diktatura e majtë në dallim nga e djathta i kërkon armiqtë brenda vetes. (lufta e klasave) Për këtë ajo ndjek me vëmendje ndryshimin dhe reagimin e njeriut përballë çfarë i afron duke u shndëruar në një provokim, ndërkohë diktatura e djathtë e gjen të keqen jashtë vendit dhe shndëron në mish për top masat duke mbajtur në tension (ndehur) atë pikë që njeriu s’mund ta mohojë por as edhe ta ndryshojë, si është ai që është. Psh, kombësinë e kërcënuar. Prejardhjen. Të dyja, si diktatura e majtë ashtu edhe e djathta janë më afër përsosmërisë se çdo shoqëri demokratike sepse, sikundër e thashë më sipër synon t’i integrojë. Nëse për këtë fenomen ontologjik përdorim entropinë, atëhere është e qartë se duke mos pasur lëvizje, edhe entropia është e vogël. Për të kuptuar se ç’është entropia duhet të marr një shembull të rëndomtë. Psh, përzierja e kafesë me qumësht. Përsa kohë janë të ndarë, entropia është afër zeros, por, kur i bashkojmë dhe me një lugë i trazojmë, atëhere kemi një përzierje nga e cila nuk kthehemi dot mbrapa. Nuk mund të kemi më qumështin nga njëra anë dhe kafenë nga tjetra. Kjo do të thotë se sa më shumë të rritet rrëmujimi (përzierja) aq më shumë rritet edhe entropia. Atëhere një shoqëri e cila synon të mbrrijë te përsosmëria është si gjendja e kafesë dhe qumështit veç e veç, ndërkohë një shoqëri e interesuar të ndryshojë, atëhere i përzjen këto lëndë të para dhe i trazon aq shumë sa parasyshon pamundësinë e kthimit mbrapa, por ndërkohë kemi dalë te një gjendje e re e cila në një ndërkohë tjetër do të mbrrijë një pikë ekulibri (baraspeshë), të palëvizëshme. Gjendja e sotme e kapitalizmit. Shoqëria që e kupton këtë gjë, është e lumtur sepse do të kërkojë edhe rrugët për të dalë nga ndalesa dhe do të kërkojë të rritë entropinë duke shkaktuar një gjendje rrëmujimi ose konfuzionale tjetër me elementë të rinj. Pyetja që ngrihet është: A mund të arnohet deri në atë pikë sa trupi të quhet i veshur? Kurrsesi. Me andra mund të mbulohesh. Asnjëherë nuk ka kthim mbrapa. Është njësoj si të bësh rrushin nga vera. Diktatura krijon ose mundohet të krijojë një masë të ndërgjegjëshme për të ndjekur idealin dhe shpenzimet i paguan individi, ndërkohë demokracia formale hyjnizon individin dhe masën e shndëron në turmë pa kokë. Në këtë pikë duke e kapur fillin nga fundi, demokracia krijon tiraninë që shtyp individin.