giovedì 16 febbraio 2012

Koprraci.

E bëri shurrën në dëborë. E pa të verdhërimë dhe u gëzua. E mbledh dhe e distilon, ndoshta flori përfton.

(Remo Koçiu)

mercoledì 8 febbraio 2012

FaceBook burim lajkash.

Kur dashuria ime, betohet për të përjetëshme besnikëri,
Unë dua ta besoj, edhe pse që gënjen e di...
Shekspir soneti 138

Të dashur miq, jini të gjithë të mirë. Ju dua. Adhuroj mendimet që shkruani, filozofinë që tregoni në fraza të shkëputura aty këtu, hymnizoj lojën e fjalëve të quajtur poezi, gjithça që shkruani e thoni. Mendimdhënien pa mendime. Por dhënia është një shprehje akoma më e madhe e zemërgjerësisë tuaj të paarritëshme. Të gjitha sa bëhen këtu në facebook, janë mrekullira, kryevepra. E tregojnë duartrokitjet që ndjekin pas si gjurmët që lini në dëborë. Të jini të sigurt, nuk do të mungojnë kurrë. As fjalë të tilla: “Je i madh – për nder”.”I paarritshëm”, Të gjithë jini të jashtzakonshëm, të mëdhenj, të paarritshëm. Uf! Nuk gjej dot fjalë të përshkruaj dhe i kërkoj ndjesë meritës suaj që mangësia e fjalorit tim nuk e ndjek dot pas. Por edhe kështu ndihem jashtë mase i lumtur. Mund të pi ujë në gjurmën që le këpuca tuaj.
Tani pyes: Kush është gjeniu, ju apo unë?
Natyrisht unë, unë sepse arrij të kuptoj gjenialitetin e të tjerëve. Zakonisht nuk ndodh. Sa autorë kur shkruajnë një poezi, kanë menduar bravo, e kuptoi çkam dashur të them? Për hir të sëvërtetës, sa herë keni menduar nëse ky që lavdëron është i sinqertë dhe jo ironik? A kemi menduar ndonjëherë që lavdërimi, lajkatimi, miklimi, presin si një thikë me dy tehe, që me fjalë të varfra do të thotë të fshehësh në mos një pjesë të mirë të sëvërtetës, diçka të saj patjetër?
Asnjëherë!
Jam i bindur sepse ju pëlqen, na pëlqen, të jetë kështu, sepse mendojmë që e meritojmë. Ky mendim ledhës, të dashurit e mij, dalngadalë shkrin çdo dallim midis së vërtetës dhe ironisë, midis lavdërimit të merituar dhe lajkës, midis talentit dhe imituesit, kopjuesit. Pasojat janë të dukëshme. Po kultivohet hipokrizia? Po. Por jo vetëm kaq. Një mediokritet i pakufi. Gjithçka është në dëm të kulturës e më tej. Oh, jo, nuk e kam fjalën, për të dhënë mendim për një fëmijë të sapolindur. Është gjithmonë i bukur, sikurse një nuse me dhëndrin në foto, janë dy ëngjëj, apo fjalët që thuhen kur përcillet dikush në botën tjetër – janë një normë e pranuar tashmë, disa për vërtetësi, të tjerat si shpëlarje duarsh. Çfarë e lajkaton vërtet një njeri, - shkruan Bernard Shou - është mendimi që e quajmë të denjë të lajkatohet.
Provoni të kundërtën. Të bëni një kritikë. Do të ta mbyllin faqen. Provoni të thuash se emisioni “Gra të lira” është vetëm një rëndomësi, llafazanëri që paguhet majmë. Do të të përgjigjen: Ua, po si e thua këtë gjë. “Gratë e lira janë personalitete publike.”. Provoni të bëni një vërejtje, të këshilloni. Më e pakta është heshtja. Provo të kritikosh një politikan apo qoftë edhe kryeministrin, largohen nga lista tënde.
Zot i madh! Je me të vërtetë i madh. E krijove njeriun që të duartrokasë. Harrove që ia ke dhënë edhe majmunit këtë gjest.